Albert Zholi: Psherëtima dhe e qeshura e Fanit
05.12.2009, 01:48 AM (GMT+1)
PSHERËTIMA DHE E QESHURA E FANITAlbert Zholi (Athine 1997)
“ Do Zoti e bëhet Shqipëria se ngelëm me trastë krahut ...” Kështu më thoshte Fani sa herë që e takoja. Pastaj niste nga bisedat për politikën e politikanët, ku kishte mbushur një torbë me barcaleta nga ato që tregonion shqiptarët në cdo sahat të ditës ... Por në atë bisedë na hodhi dhjetë vjet të shkuar:
DY VJET PA GJUMË…
-Eh ,-psherëtiu Fani duke fërkuar mjekrën.
- C’pate ? – i them.
-C’të kem, deri dje trembeshim ne nga të huajt, tani tremben ata nga ne.
-S’të kuptoj .
-C’të kuptosh, ju gazetarët doni t’i themi fjalët si doni ju .
Ja, më 1987-tën, në verë, kisha lënë një takim me një mikun tim në turizmin e qytetit të Sarandës. Pa pritur, para këmbëve të mia,
ndalon një autobuz me turistë. Nga të folurit ishin grekë. Turistë me pikatore në atë kohë...Ata morën plackat e u ngjitën shkallëve. Në fund mbeti një burrë plak mbi të 65-tat. Para këmbëve kishte një goxha valixhe sa një veturë...Bëri dy herë ta ngrinte, por... valixhja nuk lëvizi, ndërsa ai gati u shtrembërua, sa të rrëzohej,
e pashë që për të, aty edhe dhjetë vjet do të rrinte plaku, dhe valixhja me rrota.... Pa i thënë gjë, ngrita valixhen dhe ngjita shkallët. Ia lashë para derës së ashensorit. Kur do të ikja, sigurisht pa e
hapur gojën, si të isha memec, plaku më zgjati dorën miqësisht. “Efhariristo”, më tha plaku e në dorë më lëshoi një monedhë letre...E pashë, ishte një mijë dhrami. U sula tek ashensori, por dera u mbyll . “Bobo c’më gjeti !”
thashë me vete dhe pashë rreth e rrotull mos ma kish ngjitur ndonjëri damkën. Dora pa më pyetur mua e kish fshehur në xhep mijëshen. Ashtu i djerësitur mora udhën e shtëpisë. Udhës mallkoja plakun dhe veten. S’dija c’të bëja me dhramitë. Ti hidhja ? Më dukej vetja vec frikacak dhe i cmendur...Pastaj c’bëra ? I fsheha në një kuti nga ato të bojës së këpucëve dhe i vura poshtë kutisë së ujit në kafazin e pëllumbave...Mbi dy vjet aty mbetën dhe unë me frikë se mos ndonjë natë na vinin ata të sigurimit dhe për një mijë dhrami më e pakta ishte 1000 ditë burg...Kështu derisa “ socializmi” shqiptar na dha lamtumirën...
Të Tjera
Në Fokus







