Driton Gashi: 70 Vjet Eurovision Song Contest

1h më parë

70 VJET EUROVISION SONG CONTEST

Nga Driton Gashi

"Nëse këndojmë së bashku, nuk vritemi mes vete", pohon këngëtarja dhe aktorja gjermane Katja Ebstein në një debat televiziv, e cila mori pjesë tre herë në festivalin më të madh të muzikës së lehtë në botë. Edicioni i parë i kësaj ngjarjeje të rëndësishme kulturore u mbajt para 70 vitesh në Lugano të Zvicrës dhe nga atëherë nuk e ka humbur atraktivitetin dhe interesin e publikut evropian dhe botëror. Asokohe quhej "Grand Prix Eurovision de la Chanson".

Ky festival u themelua për t'i bashkuar popujt evropianë, të cilët jo vetëm në Luftën e dytë botërore ishin vrarë mes vete dhe kishin shkatërruar çdo gjë. Qëllimi primar ishte afrimi i njerëzve, pajtimi, ndarja e skenës së përbashkët si dhe përçimi i mesazheve të paqes e dashurisë ndërnjerëzore gjithandej. Në vitin 1956, Evropa kishte akoma shumë plagë të hapura nga lufta, kishte uri dhe pasiguri. Andaj ky festival u sillte njerëzve së paku njëherë në vit pak shpresë, ngrohtësi e argëtim. Asokohe shumë pak familje posedonin aparat televiziv, andaj festivali transmetohej edhe në valët e radios.

Si adhurues i madh i muzikës, Eurovizionin e kam ndjekur që nga fëmijëria me shumë kërshëri e emocion. Ndoshta ai ka ndikuar edhe në zhvillimin e afinitetit tim për muzikë, meqenëse mezi pritja majin për t'u ulur para televizorit tonë bardh e zi në Prishtinën e viteve tetëdhjetë. I kam përjetuar drejtpërdrejt fitoret e këngëtarit legjendar irlandez Johnny Logan në vitin 1980 (What's another year) dhe "Hold me now" (1987). Poashtu himnin gjerman të paqes nga këngëtarja gjermane Nicole "Ein bißchen Frieden" (1982). Belgen e re Sandra Kim me "J'aime la vie" në 1986. Yllin e muzikës botërore Celine Dion me këngën "Ne partez pas sans moi" në 1988. E shumë e shumë të tjerë. Kisha fatin të jem edhe shikues në finale të festivalit në Düsseldorf të Gjermanisë në vitin 2011, pasi Lena kishte fituar vendin e parë për Gjermaninë në Oslo (2010).

Si është e mundur që Eurovizioni i ka mbijetuar kohës?

70 vite kanë kaluar tashmë. Shumë trende muzikore kanë ndryshuar, shumë shtete të reja marrin pjesë, jo të gjitha këngët më bindin nga ana artistike. Por i gjithë eventi është avancuar në një festë të madhe kulturore, ku shansoni francez ndeshet me sirtakun grek, ku kënga e lehtë shqiptare pëlqehet nga shumë vende tjera e ku muzika e popullarizuar nuk njeh kufi. Një mozaik i vërtetë kompozimesh e performancash, një shumëllojshmëri e këndshme, nganjëherë e tepruar, por gjithmonë me qëllim të mirë.

Uroj të kemi më shumë muzikë, më shumë dashuri e më pak smirë, urrejtje e dhunë!


Abba