Sevdail Hyseni: Bishti…

2h më parë

Sevdail Hyseni

Satirike

Bishti…

Në Luginë nuk na buzëqesh zari,

pesha e fjalës sa një koqe kandari,

ku lajmet rriten si qimet në kokë,

me kasnecët, bishtin deri në tokë.

I sheh në studio me gojë bilbili,

ku fjala u del si tymi prej fitili,

në rrjete sociale bëhen filozofë,

e rrugëve heqin kësulë e gëzof.

Në bufe, ku politika zien si kafeja,

janë ekspertë që s’i honeps as feja,

tundin bishtin si flamur krenarie,

shpikin teori në mungesë barazie.

Sa më i gjatë bishti, sakaq fitore

për atë që hedh kocka me favore,

kurse mendja rri në dietë noprane,

pa proteina vetëm me disa slogane.

Fjalitë i kanë si tullumbace në erë,

por brenda - të zbrazëta, pa vlerë;

një fryrje që mban më shumë interes,

e shpërndahet si mjegulla në mëngjes.

Në botën normale bishti është zoologji,

këtu te ne - CV, diplomë edhe biografi.

Paradoksi vallëzon si komedi absurdi:

n' këtë gjullurdi më dinak bëhet hajduti.

Prandaj, pyetjet enden si hije të zeza

nëpër rrugët tona me laqe dhe kthesa:

Mos vallë mendja nga koka u zhduk,

apo bishti i dhisë na është bërë rrugë?!

(Karikatura marrë nga interneti)