Albert Zholi: Mimoza Ahmeti kundër Kadaresë, debat letrar apo etje për protagonizëm?! Letërsia nuk është Ferma VIP!

Mimoza Ahmeti kundër Kadaresë, debat letrar apo etje për protagonizëm?! Letërsia nuk është Ferma VIP
-Kadareja dhe zhurma e spektaklit, kur reality
shou kërkon të gjykojë gjeniun

Gjatë
një sfide në "Ferma VIP", të titulluar "Përgjigju ose
pije", Mimoza Ahmeti u përball me pyetjen se cili prej kolegëve të saj,
sipas saj, është i mbivlerësuar. Pa hezitim, ajo përmendi shkrimtarin Ismail
Kadare, duke deklaruar: "Mendoj se nuk e meriton suksesin që ka". Jam
habitur sinqerisht nga deklarata e Mimoza Ahmetit ndaj Ismail Kadare. Nuk do ta
besoja kurrë se një poete, një njeri i letrave, do të ngrihej me aq lehtësi
kundër një miti të gjallë të kulturës shqiptare, madje me fjalë aspak elegante
për një gjeni të letërsisë sonë. Kritika letrare është e nevojshme dhe çdo
autor mund të debatohet, por kur gjithçka thuhet në një reality show, mes
logjikës së spektaklit dhe etjes për vëmendje, atëherë debati humbet
seriozitetin dhe kthehet në zhurmë mediatike. Sepse Ismail Kadare nuk është
thjesht një shkrimtar. Ai është figura që e bëri Shqipërinë të njihej në
Francë, në Europë dhe në botë përmes letërsisë. Veprat e tij nuk janë thjesht
romane, por univers artistik ku historia, miti, filozofia dhe drama njerëzore
marrin dimension universal. Ndaj të sulmosh Kadarenë për të fituar protagonizëm
televiziv është njësoj si të përpiqesh të krijosh zhurmë përballë një mali që
qëndron i palëvizshëm në kohë.
Deklarata dhe e vërteta
Deklarata
e bërë nga Mimoza Ahmeti në spektaklin televiziv Ferma VIP nuk ishte thjesht
një opinion letrar. Ajo ishte një provokim i llogaritur për të tërhequr
vëmendje, për të krijuar debat dhe për të prodhuar protagonizëm mediatik. Në
kohën e rrjeteve sociale dhe të reality show-ve, fama shpesh fitohet më shpejt
nga skandali sesa nga libri. Sulmi ndaj një figure si Ismail Kadare garanton
menjëherë klikime, komente, debate dhe tituj portalesh. Por problemi është se
letërsia nuk është "Ferma VIP". Letërsia nuk është arenë britmash,
gjestesh teatrale apo provokimesh të momentit. Letërsia matet me kohën, me
ndikimin kulturor dhe me aftësinë për të mbijetuar përtej epokave. Të thuash se
Kadare "nuk e meriton suksesin që ka" mund të prodhojë efekt
televiziv, por nuk mund të zhbëjë një histori letrare që tashmë është pjesë e
kulturës europiane. Për dekada me radhë, Ismail Kadare ka qenë emri që e nxori
letërsinë shqipe nga izolimi dhe e vendosi në hartën botërore të kulturës. Në
Francë dhe në shumë vende të botës, Shqipëria identifikohet me Kadarenë, duam
apo nuk duam ne. Për lexuesin europian, emri i Shqipërisë shpesh lidhet fillimisht
me autorin e "Gjeneralit të ushtrisë së vdekur", me universin e tij
ballkanik, me mitet, dramat dhe filozofinë, që ai ndërtoi në veprat e tij.
Kjo
nuk është rastësi.
Kadareja
nuk u bë i njohur nga marketingu apo nga spektakli televiziv. Ai u bë i njohur
sepse krijoi një letërsi me karakter sa unik aq edhe universal. Aftësia për t'u
dhënë krijimeve të tij një dimension që tejkalon kufijtë shqiptarë është një
nga vlerat më të mëdha të artit kadarean. Veprat e tij nuk flasin vetëm për
Shqipërinë. Ato flasin për pushtetin, frikën, diktaturën, tradhtinë, kujtesën
historike dhe fatin e njeriut në përballje me sistemet shtypëse. Në këtë
kuptim, letërsia e Kadaresë nuk mbetet e burgosur në kohën kur janë vendosur
ngjarjet. Ajo transformohet në një kohë universale, të largët dhe njëkohësisht
të përhershme. Kadareja ka aftësinë që përmes historive shqiptare të sugjerojë
të vërteta universale. Në veprën e tij filtrohet një koncentrat filozofik dhe
historik që vazhdon të diskutohet edhe sot. Ai përdor mitin, historinë dhe
folklorin jo si zbukurim estetik, por si instrument për të kuptuar natyrën
njerëzore dhe tragjeditë kolektive. Në romanet e tij ka elemente nga mitologjia
greke, iliro-shqiptare, biblike, pagane dhe ballkanike, por gjithmonë të
përpunuara në mënyrë origjinale. Kjo e bëri të kuptueshëm dhe të pranueshëm në
kulturat europiane.
Pikërisht
këtu qëndron diferenca mes letërsisë së madhe dhe zhurmës mediatike.
Një
deklaratë në një reality show mund të zgjasë disa ditë në rrjetet sociale. Një
vepër letrare e madhe jeton për dekada. Sot, shumë nga debatet televizive
harrohen pas një sezoni, ndërsa romanet e Ismail Kadare vazhdojnë të botohen,
të studiohen dhe të përkthehen. Problemi nuk është se Mimoza Ahmeti ka shprehur
kritikë. Kritika është pjesë normale e jetës letrare. Problemi është mënyra dhe
konteksti ku kjo bëhet. Kur letërsia futet në logjikën e reality show-t,
gjithçka reduktohet në spektakël. Sa më i fortë provokimi, aq më e madhe
audienca. Dhe këtu nis degradimi kulturor: krijohet ideja se një fjali
provokuese ka të njëjtën peshë me një jetë të tërë krijimtarie. Për rreth 45
ditë, publikut shqiptar i është krijuar ndjesia se çdo gjest i Mimoza Ahmeti në
ekran është i lejueshëm dhe i mbrojtur. Çdo shpërthim emocional, çdo sjellje
ekstravagante apo çdo sulm verbal trajtohet si "lojë", si
"karakter", si "autenticitet artistik". Kjo nuk duket më
spontane. Duket si një strategji e ushqyer nga produksioni, opinionistët dhe
moderimi selektiv. Në momentin kur një konkurrent trajtohet si i paprekshëm,
loja humbet besueshmërinë.
Njohjet me Kadarenë
Kam
pasur fatin ta takoj disa herë Ismail Kadare dhe të realizoj intervista me të.
Për mua ai mbetet një gjeni i letërsisë shqipe. Madje ruaj edhe një vlerësim të
tij për librin tim të parë "Ikja e Madhe". Por edhe pa këtë përvojë
personale, pesha e Kadaresë nuk ka nevojë për mbrojtje emocionale. E mbron vetë
vepra e tij. E mbron fakti që ai mbetet autori shqiptar më i lexuar, më i
përkthyer dhe më i njohur në botë. Sepse letërsia nuk fitohet në studio
televizive. Nuk fitohet me virale, me klikime apo me provokime të momentit.
Letërsia fitohet duke mbetur në kohë. Dhe koha, deri tani, ka folur qartë për
Ismail Kadare.







