Albert Zholi: 5 Maji dita kur kombi përkulet me respekt
Flasin, Aleksandër Dragoti, Vera Tarifa, Servet Agalliu dhe Muharrem Kamani
5
Maji dita kur kombi përkulet me respekt para gjakut të derdhur në emër të
flamurit, lirisë dhe dinjitetit kombëtar
-Kjo ditë nuk është vetëm përkujtim, por edhe
një thirrje që brezat ta transmetojnë ndër shekuj sakrificën dhe idealin e
dëshmorëve të kombit.
-Kush hedh poshtë LANÇ-in, hedh poshtë historinë
më të lavdishme të popullit tonë.

5 Maji është një nga
ditët më të shenjta të kombit shqiptar, dita kur kujtohen me nderim dëshmorët e
atdheut, ata bij e bija që sakrifikuan jetën për lirinë e Shqipërisë. Është
dita kur kombi përkulet me respekt para gjakut të derdhur në emër të flamurit,
lirisë dhe dinjitetit kombëtar. Ata ranë në lulen e rinisë, lanë pas familjet,
ëndrrat dhe jetën e tyre, por i dhanë vendit të ardhmen dhe shpresën. Çdo 5
Maj, në varrezat e dëshmorëve vendosen tufa me lule, ndizen homazhe dhe
rikthehen në kujtesë emrat e atyre që nuk kursyen asgjë për Shqipërinë. Amaneti
i tyre mbetet i shenjtë: dashuria për atdheun, liria dhe përgjegjësia për ta
çuar përpara kombin. Kjo ditë nuk është vetëm përkujtim, por edhe një thirrje
që brezat ta transmetojnë ndër shekuj sakrificën dhe idealin e dëshmorëve të
kombit.
ALEKSANDËR
DRAGOTI, djali i ish-komandantit të Brigadës VIII
Kur vjen 5 Maji ndjej diçka të veçantë në shpirt. Më afron me kujtimet e
babait. Sot për mua është një ditë e veçantë, është një ditë reflektimi e
nderimi. Unë jam djali i komandantit të Brigadës VIII Sulmuese, Asaf Dragoti.
Dita e dëshmorëve është në ditën më të bukur të luleve. Vetë natyra ka dashur
t'i mbulojë me lule këta djem dhe vajza që ranë për lirinë e atdheut. Lule
ishin ata, lule është vetë natyra në këtë ditë. Kur dëgjoj sesi e mohojnë këtë
luftë, habitem. Ishte një luftë që bota e respekton, që bota e nderon. Ishte
një luftë që ne duhet t'ua përcjellim të shkruar brezave. Kudo në botë, ata që
kanë qenë pjesë e Luftës Nacionalçlirimtare ndihen të respektuar, krenarë dhe
të nderuar. Ajo luftë na dha lirinë dhe na radhiti ndër vendet triumfuese. Madje,
duke pasur parasysh popullsinë e Shqipërisë mund të themi me plot gojën se
lufta jonë ishte e njëjtë me atë të vendeve me popullsi të madhe. Këtë e bënë
prindërit tanë, vëllezërit dhe motrat tona, ndaj ne duhet t'i kujtojmë dhe
respektojmë ata. Kudo në botë nderohen dëshmorët, madje shumë më shumë se tek
ne. Heronjtë japin jetën për atdheun ne duhet t'i nderojmë dhe respektojmë ata.
5 Maji mbetet një ditë historike, një ditë ndër më të bukurat të historisë së
Shqipërisë.
Vera Tarifa,
kryetare e Komitetit
të Veteranëve të LANÇ-it
5 Maji ditë e shenjtë, ditë historike. Nuk ka ditë më hyjnore se kjo ditë.
LANÇ-i ka qenë dhe do të mbetet periudha më e lavdishme në historinë e popullit
shqiptar, sepse solli çlirimin e atdheut nga nazifashistët. Pa LANÇ-in, e cila
e radhiti Shqipërinë në frontin e aleatëve dhe fitimtarëve të Luftës së Dytë
Botërore, Shqipëria do të ishte copëtuar, sikurse edhe në 2013-tën. Unë i quaj
turp të madh kombëtar, përpjekjet e disa neokolaboracionistëve, neoballistëve,
që të hedhin baltë mbi komandantët, komisarët e njësive të ushtrisë partizane
të LANÇ-it. Askush të mos u fërkojë kokën këtyre spekulantëve të historisë,
sepse kështu i inkurajon ata, që të baltosin LANÇ-in, ta vrasin, atë që nuk
bënë dot baballarët dhe gjyshërit e tyre. Kur vjen 5 Maji, ne pasardhësit e
veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare mbushemi me krenari. Një
krenari e ligjshme kjo, një krenari që na buron vetiu në gjithë qenien, për
vetë faktin se prindërit tanë, vëllezërit dhe motrat tona, kanë rënë për gjënë
më të shtrenjtë në botë, për idealin më të madh jetësor: çlirimin e atdheut.
Nuk thotë më kot kënga: "Kush ka rënë për atdhe, nuk ka vdekur, por ka
le". Pa trimëritë e atyre dëshmorëve, pa luftën, sakrificat e panumërta të
tyre, Shqipëria nuk do ishte kjo që është sot. Në shekuj, armiqtë e jashtëm
donin të na gllabëronin, ndërsa armiqtë e brendshëm donin të na shisnin. Pra,
kemi pasur armiq dhe tradhtarë. Kur shikon historinë e popullit tonë, habitesh
sesi kanë luftuar përballë superfuqive ushtarake, përballë armiqve të armatosur
deri në dhëmbë për të na shuar si komb dhe si shtet. Por ishin këta dëshmorë,
ishin këta njerëz, këta idealistë, këta yje të pashuar, që vunë atdheun para
jetës së tyre të re. Kushdo sot në këtë demokraci të pafre mund të flasë dhe të
hedh baltë mbi Luftën Nacionalçlirimtare, por askush nuk i rrëzon dot ato male.
Guriçkat nuk e gjuajnë dot malin, pasi thërrmohen...
Servet
Agalliu, ish-Debatikas
Për mua 5 Maji është festa më e bukur e shqiptarëve. Një festë, që kujton
ata që ruajtën atdheun gjallë. Sa herë vjen 5 Maji bëhem më i ri, më i fortë
dhe më i lidhur me atdheun. Ne që luftuam për këtë ditë, e përcjellim natyrshëm
gëzimin për ditën e dëshmorëve, ditën e heronjve të luftës. Një ditë historike
që na bën krenarë. Sot çfarë nuk dëgjojmë për luftën, çfarë nuk thuhen.
Deformime nga më të ndryshmet, shtrembërime nga më bajatet të historisë. Për
mua, Lufta Nacionalçlirimtare nuk ishte vetëm luftë kundër okupatorit, por
ishte dhe revolucion kundër qeverisë kuislinge të asaj kohe. Lufta dhe
revolucioni kundër kësaj qeverie, do të thotë shkulje me themel e çdo gjëje, që
binte ndesh me interesat kombëtare. Shumë nga fisi im kanë qenë pjesë e kësaj
lufte që në moshën 13 vjeç. Në luftë ranë 28 mijë dëshmorë, 28 mijë yje të
pashuar. Ishin të gjithë të rinj, idealistë, me dëshirën për të shporrur
pushtuesin nga atdheu. Pa këtë luftë, Shqipëria do të copëtohej. Ndaj çdo 5
Maj, ne veteranët shkojmë tek Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Kujtojmë shokët
tanë, vëllezërit tanë, atë luftë heroike. Mund të them se i gjithë populli e
respekton këtë luftë, veç atyre, që ishin bashkëpunëtorë të nazi-fashizmit. Sot
më tepër se kurrë është rritur respekti për këtë ditë simbol të kombit shqiptar.
-Muharrem
Kamani-pasardhës veterani
Sot, jo rrallëherë, dëgjohen zëra që përpiqen të zbehin ose të hedhin poshtë madhështinë e Luftës Nacionalçlirimtare. Disa pseudohistorianë, shpesh të ndikuar nga trashëgimia politike apo familjare e ish-kolaboracionistëve, tentojnë ta paraqesin atë si një "luftë civile", duke mohuar karakterin e saj çlirimtar dhe antifashist. Por historia nuk mund të fshihet dhe as të tjetërsohet sipas interesave të ditës. Lufta Nacionalçlirimtare u shkrua me gjakun dhe sakrificën e 28 mijë dëshmorëve që ranë për lirinë e Shqipërisë. Ata nuk dhanë jetën për përçarje, por për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazi-fashistë dhe për dinjitetin kombëtar. Varret e dëshmorëve, plagët e luftës dhe kujtesa e popullit janë dëshmia më e fortë se ajo ishte një luftë e drejtë dhe një nga faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare. Historia mund të studiohet, të analizohet dhe të debatohet, por askush nuk ka të drejtë të mohojë gjakun e derdhur për lirinë. Amaneti i dëshmorëve mbetet i gjallë dhe i pashlyeshëm në ndërgjegjen kombëtare shqiptare.


