Albert Vataj: Skënder Rusi, liriku buzëëmbël
NE DY VJETORIN E LAMTUMIRES SE POETIT
Skënder Rusi, liriku
buzëëmbël, shpirti i këndimshëm që i mëkoi dashurisë fjalën, vargu dhe rimat

Ai,
Skënder Rusi, ai që na magjepsi me fjalën dhe poezinë e tij, prej dy vitesh ka
marrë udhën e përjetësisë, për të hedhur farë shpirti në yjësitë e galaksisë e
për t’i dëshmuar hapësirës etjen e këndshme të dashurisë.
Në
panteonin e letrave shqipe, në atë kreshtë të krenarisë dhe përkatësisë sonë
letrare, ka zëra që nuk vijnë për të tronditur muret e kohës me zhurmë, por për
t’i gërryer ato me ëmbëlsinë e një pikimi melankolik; për t’u folur zemrave e
për t'u kënduar shpirtrave, për të himnizuar dashurinë dhe për t'i blatuar
fjalës dritë. Skënder Rusi ishte pikërisht ky misionar, një lirik buzëhollë,
një aristokrat i vargut, i cili e shndërroi jetën e tij në një pelegrinazh të
pafundëm drejt altarit të ndjenjës. Sot, teksa shënohen dy vite nga ikja e tij
fizike, kuptojmë se përjetësia e ka të pamundur ta ndjekë nga pas në amshim,
veçse duke përsëritur si një jehonë liturgjike fjalët e tij që u bënë vargje,
poezitë që i kënduan shpirtit dhe metaforat që e ngritën tokësoren në hyjnore.
E
gjithë ekzistenca e Rusit ishte një fill i pandërprerë vargjesh. Ai nuk shkroi
thjesht poezi, ai gjalloi përmes tyre. Zemra dhe pena, shpirti dhe fryma e tij
bashkëjetuan në atë farkë të gjëmishme të fjalës, ku thellësia e etertë
njerëzore zhvishej nga banalja e përditshmërisë për t'u veshur me petkun e
këngës. Krijimtaria e tij gjeti prehje pikërisht në dëshirimin e atyre që e
shohin poezinë jo si një ushtrim të thjeshtë estetik, por si një kopsht të
harlisur lulesh dhe aromash, ku çdo gjemb është një dhimbje e përjetuar dhe çdo
petale, një premtim drite.
Nuk
mund të konceptohet profili letrar i Skënder Rusit pa Korçën, qytetin që për të
nuk ishte thjesht një vendlindje apo një dekor gjeografik, por një mitologji e
gjallë personale. Korça e Rusit është një gjeografi shpirtërore e mbuluar nga
një hir melankolik, një hapësirë ku trotuaret dëshmojnë dashuri të vjetra dhe
ku retë presin nën qiellin e ngrysur që dielli i frymëzimit të lindë sërish.
Kjo
hapësirë të kujton thënien e famshme të Paul Éluard: "Ka botë të tjera,
por ato janë të gjitha brenda kësaj sonte." Për Skënder Rusin, ajo
"botë tjetër" ishte Korça e treguar përmes përlotjes së vargut nën
një qiell që pret agun. Ai e ktheu këtë qytet në një frymëzim të përhershëm,
duke i dhënë serenatës korçare një dimension të ri, filozofik dhe elitar
nëpërmjet shkrimit. Në vargjet e tij, Korça nuk është thjesht e bukur; ajo
shpërfaqet e përvajshme, elegante, nostalgjike dhe e mbarsur me një vetmi
krijuese që vetëm një lirik i racës së tij mund ta deshifronte dhe ta kthente
në art.

"Nga
të gjitha instrumentet e njeriut, më i mahnitshmi është libri; të tjerët janë
zgjatime të trupit, por libri është zgjatim i imagjinatës dhe i kujtesës."
Rusi
ia zgjati kujtesën dashurisë shqiptare, duke e bërë atë të prekshme e të gjallë
për të gjitha brezat. Përgjatë gjysmë shekulli, ai nuk devijoi kurrë nga boshti
i tij ekzistencial: dashuria si zanafillë dhe mbarim. Për Rusin, ajo nuk ishte
thjesht një temë letrare, por një kod moral, një mënyrë unike për t'u përballur
me përkohshmërinë dhe vdekshmërinë.
Vargu
i tij përshkohet nga një trishtim i hollë, i cili nuk e gjunjëzon lexuesin, por
e fton atë në një meditim të thellë mbi përkohshmërinë e njeriut dhe
përjetësinë e ndjenjës. Përtej lirikës romantike, ai këndoi me të njëjtën dritë
për njerëzit e thjeshtë, miqtë dhe humbjet e mëdha, duke e kthyer dhimbjen në
një urë komunikimi universal. Absolutizmi i tij poetik qëndronte pikërisht në
faktin se ai refuzoi t'i dorëzohej rrymave kalimtare apo eksperimenteve të
zhurmshme formale. Ai mbeti deri në frymëmarrjen e fundit besnik i rimës së
brendshme, muzikës së fjalës dhe pastërtisë së gjuhës shqipe, duke e skalitur
vargun me saktësinë dhe durimin e një argjendari.
Poetët
nuk ikin, ata thjesht ndërrojnë adresë; zhvendosen nga tavolina e shkrimit në
memorien e pashlyeshme të një kombi. Siç do të shprehej Federico García Lorca:
"Poezia është thjesht ajo që ka mbetur e gjallë nga njeriu, kur ai vetë ka
vdekur." Skënder Rusi e dinte këtë sekret natyral të artit. Ai la pas
gjurmët e gjakut të tij shpirtëror në çdo varg, duke bërë që vdekja të mos gjente
asgjë për të rrëmbyer tek ai, përveç një filli të thjeshtë e të brishtë
ekzistencial.
Sot,
dy vite pa praninë e tij fizike, Skënder Rusi mbetet një figurë e pacënueshme e
kulturës sonë. Poezia e tij nuk ka humbur asgjë nga freskia ose fuqia e saj
komunikuese; ajo vazhdon të lexohet, të recitohet dhe të përcjellë atë emocion
të pastër që vetëm arti i vërtetë mund ta gjenerojë. Ai arriti t'i falë
letërsisë shqipe vargje të paharrueshme, duke dëshmuar se madhështia e një
shkrimtari nuk matet me pompozitetin e deklaratave, por methellësinë e gjurmës
që ai gdhend në shpirtin e tjetrit.
Kujtimi
i tij mbetet i gjallë, i imunizuar nga harresa, pikërisht sepse ai nuk shkroi
për të shkuarën, por për të gjitha ato të nesërme ku njerëzit do të vazhdojnë
të dashurojnë, të vuajnë dhe të kërkojnë dritë nën qiejt e vrenjtur të jetës.
Në këtë përvjetor të dytë të amshimit të tij, kuptojmë se Skënder Rusi jetoi
pikërisht ashtu siç sugjeronte Pablo Neruda:
"Nëse
asgjë nuk na shpëton nga vdekja, të paktën dashuria le të na shpëtojë nga
jeta."
Ai
shpëtoi nga harresa e kësaj jete sepse e ktheu veten në një monument të gjallë
të ndjenjës. Me respektin më të thellë dhe me një mirënjohje të pashuar, sot
përulemi para kujtimit të poetit që e ktheu jetën në këngë dhe këngën në
përjetësi. Poezia e tij mbetet një testament i hapur...











