Albert Vataj: Mira Murati, nga dallgët e brigjeve të Vlorës te matricat e inteligjencës artificiale, arkitektja e erës së re
Mira Murati, nga dallgët e brigjeve të Vlorës te matricat e inteligjencës artificiale, arkitektja e erës së re

Sot, Shqipëria nuk është
më një "nocion gjeografik", siç do ta përcaktonte ftohtë dhe me
cinizëm gjeopolitik Otto von Bismarck në llogaritë e mëdha të kancelarive të
vjetra. Ajo nuk është më as ajo njollë e errët në hartën e paragjykimeve, ku
pas çdo krimi apo trazire, mediat e huaja nxitonin të skiconin identikidin e
një shqiptari si autorin potencial.
Eksodi biblik, tashmë i
përket një të shkuare që po fshijmë nga traumat e kujtesës. Listat e zeza të
izolimit nuk na skedojnë më në analet e tyre të dyshimit. Ka kohë që kemi dalë,
me dinjitet nga rrethi vicioz i vendeve të pasigurta.
Sot, kjo tokë
legjendarësh dhe legjendash, e lahutës dhe isopolifonisë, kcimit të Tropojës
dhe shtegtimit të dhenve, eposit e iliadave, gjuhës dhe gjurmëve në histori, që
skaliti në eterin e kohëra emrin e Skënderbeut si Kalorës i Krishtit, është
shndërruar në mrekullinë e papritur të Evropës Juglindore.
Shqipëria
e sotme është toka që ka mbarështuar një bimë të rrallë ekzistenciale, një vitalitet
që harliset mes sfidave më të egra, që gjen dritë aty ku dikur kishte vetëm
hije terri dhe që dëshmon se rrënjët tona, sado të goditura nga stuhitë e
historisë, kishin brenda tyre kodin gjenetik të triumfit. Ne nuk jemi më
thjesht udhëtarë në stacionet e botës; ne po bëhemi projektuesit e stacioneve
të së nesërmes.
Sot
jemi Shqipëria e Angjelin Preljocaj, Ermonela Jahos, Igli Tare, Tedi Papavrami,
Anri Salës, etj., etj., etj., siç jemi atdheu i Mira Muratit dhe krenar i
arritjeve të saj.
Në
një kohë kur bota po përshpejtohet drejt një të ardhmeje të diktuar nga
Inteligjenca Artificiale, një emër shqiptar qëndron në epiqendër të këtij
revolucioni epokal, këtij cikloni sfidash. Ajo është Mira Murati. Shqiptarja
për të cilën flet gjithë bota, vlonjatja e gurthemelit të erës së re të
njerëzimit.
Inxhiniere, vizionare
dhe lidere e shquar në një nga fushat më përcaktuese të shekullit XXI, ajo u
shndërrua në simbolin e mendjes së ndritur që sfidon kufijtë tradicionalë dhe
formëson të nesërmen. E rritur mes vlerave të trashëgimisë sonë kulturore dhe e
kalitur nën rigorozitetin e edukimit perëndimor, Murati mishëron lidhjen
organike mes rrënjëve dhe horizontit, mes përulësisë dhe guximit, mes ëndrrës
ekzistenciale dhe përmbushjes së saj. Historia e saj nuk është thjesht një
triumf personal, por një dëshmi ontologjike se shqiptarët mund të jenë jo vetëm
dëshmitarë të së ardhmes, sedo edhe arkitektë të saj.

Përpara se të bëhej
pjesë e matricës së Inteligjencës Artificiale, Mira kontribuoi në kompani
avangarde si Tesla, ku udhëhoqi zhvillimin e Model X, dhe Leap Motion, ku punoi
për krijimin e ndërfaqeve njerëz-kompjuter.
Në vitin 2018, ajo iu
bashkua OpenAI, duke u ngjitur shpejt në rolin e Kryetegnologes (Chief
Technology Officer – CTO). Nën drejtimin e saj teknik u lançuan platformat që
tronditën botën: ChatGPT, DALL-E dhe Codex.
Në
nëntor të vitit 2023, gjatë një prej krizave më të mediatizuara të Silicon
Valley, ajo u emërua përkohësisht CEO e kompanisë pas largimit dramatik dhe
jetëshkurtër të Sam Altman. Gjatë atyre ditëve të trazuara, Murati shfaqi një
maturi të jashtëzakonshme, duke u vlerësuar globalisht për qetësinë dhe
aftësinë për të mbajtur të palëkundura themelet e platformës më transformuese
të shekullit.
Si një personazh që nuk
pranon të mbetet brenda kornizave të komoditetit korporativ, viti 2024 solli
kthesën e madhe në karrierën e saj. Pas lançimit të suksesshëm të modelit
inovativ GPT-4o, në shtator të vitit 2024, Mira Murati njoftoi largimin e saj
të bujshëm nga OpenAI. Ky vendim erdhi si një akt çlirimi krijues dhe reflektimi
të thellë. Ajo deklaroi se largimi bëhej për t'i krijuar vetes kohë dhe
hapësirë për kërkime të pavarura.
Sot, largimi i saj merr
një kuptim të ri. E çliruar nga strukturat e vjetra, Mira Murati ka nisur
projektimin e një sipërmarrjeje të re të pavarur në fushën e Inteligjencës
Artificiale. Ajo po ngre një kompani të re që synon ndërtimin e modeleve të
IA-së të bazuara në sigurinë, etikën dhe efikasitetin e lartë. Ky hap e
zhvendos atë nga roli i një ekzekutiveje të lartë në atë të një themelueseje
sovrane, duke tërhequr vëmendjen e investitorëve më të fuqishëm të globit dhe
duke rikonfirmuar statusin e saj si një lidere autonome e teknologjisë globale.
Përtej zotërimit teknik,
Mira Murati mbetet një zë i fuqishëm dhe avokate e paepur e përdorimit etik të
teknologjisë. Në një botë të magjepsur pas kodit dhe algoritmeve, ajo ka
predikuar vazhdimisht nevojën për rregullimin e kësaj fushe, duke kërkuar që
zhvillimet teknologjike të mos funksionojnë në vakum moral, por të jenë në
shërbim të njerëzimit me transparencë dhe barazi.
"Teknologjia nuk
duhet të jetë vetëm një produkt i inovacionit të ftohtë teknik, por edhe i një
reflektimi të thellë human e moral." do të kumtone Mira Murati.
E përkushtuar, vizionare
dhe me një qetësi stoike përballë presioneve globale, ajo përfaqëson më së miri
atë elitë intelektuale që, ndonëse operon në qarqet më të larta të botës, ruan
një lidhje të pathyeshme me dimensionin human.
Suksesi i Mira Muratit
nuk është një aksident i historisë, ai është një përgjigje ndaj saj. Qyteti i
saj i lindjes, Vlora, mbart në kujtesën e vet kolektive një histori të
dyfishtë, e ngarkuar me dritën e lirisë, por edhe me hijet e eksodeve biblike,
të ikjeve të dhimbshme dhe tragjedive që lanë gjurmë të thella në shpirtin
shqiptar gjatë viteve '90. Prej atyre brigjeve u larguan me mijëra, me sytë nga
perëndimi dhe me ankthin e mbijetesës.
Në këtë kontrast të
skajshëm mes rrënjëve dhe largësisë lindi dhe u formua Mira Murati. Ajo nuk iku
për t’u asimiluar në harresë, por për të sfiduar kufijtë e të mundshmes. Ëndrra
e saj nuk u mbyt në dallgët e fatit të përbashkët, por u bë një urë e madhe që
lidhi kujtesën e vendit të saj me horizontet e reja të njerëzimit.
Në historinë e saj të
jashtëzakonshme, ne shohim të përmbysur narrativën e dhimbjes. Ajo dëshmon se
Vlora dhe Shqipëria nuk janë më thjesht sinonime të ikjes ekzistenciale, por
djep i shpresave që rilindin larg për t’i dhuruar botës dritë dhe progres.
Mira
Murati e ringjall qytetin e saj në një formë të re, si një metaforë të një
Shqipërie sovrane që nuk rri më në dhomën e pritjes së historisë, por që ecën,
mendon, krijon dhe sfidon të ardhmen me dinjitet të lartë intelektual. Ajo
mbetet, pa dyshim, kapitulli më i ndritur i ëndrrës sonë moderne.











