Adil Fetahu: Ikja nga burgu dhe nga identiteti

2h më parë

IKJA NGA BURGU DHE NGA IDENTITETI

(Ibrahim Kadriu: ‘’Ikja si shpëtim’’, roman, botoi Koha, Prishtinë, qershor 2026)

Nga Adil Fetahu

’Ikja si shpëtim’’, jo vetëm e individit, por ikja kolektive mund të merret edhe si titull metaforik i gjendjes historike dhe sociale e shqiptarëve. Sepse gjithnjë ishin të ndjekur nga vendlindja, nga shtëpitë, nga rrugët e veta dhe me ikje kërkonin shpëtim fizik e moral. Ikje nga lufta, nga tmerri i krimeve, nga zullumi i pushtuesve, nga ndërrimi i besimit dhe kombësisë, nga varfëria, nga  kushtet e rënda sociale, nga burgu, nga ushtria...

Fabula e romanit të Ibrahim Kadriut: ‘’Ikja si shpëtim’’, është ikja i një të riu shqiptar nga burgu ‘’Zabela’’ i qytetit të Pozharevcit (Serbi), e më pastaj ikja edhe nga identiteti i vet personal (në Shqipëri).

Kryeprotagonisti i romanit, Mal Coli, nuk u burgos për ndonjë ideal, por e zuri taksirati që u përfshi në protesta, edhe herën e parë në Prishtinë, edhe herën e dytë në Tiranë.

Mal Coli u kap në rrugë, gjatë një proteste që mbahej në Prishtinë, u dënua me pesë vjet burgim dhe u dërgua në burgun famëkeq ‘’Zabela’’ të Pozharevcit.  Në burg kishte edhe shqiptarë tjerë si Mali, po kishte edhe  serbë të gjykuar për krime të ndryshme. Një gardian i burgut, me butësi e takt përpiqej ta bënte Mal Colin bashkëpunëtor për spiunimin e të burgosurve tjerë, por ky gjithnjë iu ikte kurthave.  Gardiani tjetër (Zorani) i njohur për sjellje të vrazhda me të burgosurit , donte të krijonte shkak për ta rrahur e futur në çeli. Një ditë, derisa të burgosurit ishin dukë ngrënë në menzën e burgut, Zorani ia hodhi një grusht kryp në gjellën e Mal Colit, ia shau nënën dhe e quajti terrorist. Mal Coli ia hodhi gjellën e nxehtë në fytyrë Zoranit dhe e shtriu përtokë. Gardianët tjerë e kapën Mal Colin  e futën në çeli, kurse gardianin e lënduar e dërguan në spital. Shefi i shërbimit të sigurimit, gjatë marrjes në pyetje për rastin, u përpoq ta bindë Malin të bëhej bashkëpunëtor, spiun. Pasiqë Mali nuk pranoi, ia vazhdoi qëndrimin në çeli të burgut, që është një formë e torturës psikologjike kundër atyre që rezistojnë. Gjatë qëndrimit në çeli i vërtiteshin nëpër mend gjithfarë situatash të përjetuara edhe të babait të tij.

Kishte mbajtur më se katër vjet burg, nga dënimi pesëvjeçar që i ishte shqiptuar. Sa ishte në çeli po edhe jashtë saj, bënte planin e ikjes nga burgu. Ndonëse shokët e burgut e ndihmuan, ikja ishte e vështirë pa pasur ndonjë lidhje e përkrahje nga jashtë. Kur arriti të ikë nga burgu, udhëtoi katër ditë, më tepër natën se ditën, me frikë se do ta zënë e ta kthejnë në burg. Pasi arriti në fshatin e vet, mori vesh se atë ditë e kishin varrosur të amën, e cila shkoi me mallë për birin e burgosur. Mali nuk guxoi të shkonte në shtëpi të vet, por shkoi të prindët e të dashurës së tij (Emira, absolventë e pedagogjisë). Aty u takua edhe me motrën. U tregoi planin e ikjes për në Shqipëri. Emira i premtoi se sapo të diplomojë, do të shkonte të bashkohet me Malin e ta vazhdonin jetën bashkë.  Mali dhe Emira e kaluan natën në shtëpinë malore larg fshatit. Të nesërmen Mali vazhdoi rrugën për ikje në Shqipëri. Përmes disa lidhjeve që kishte, kufirin e kaloi në Dibër.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, rastësisht përfshihet në masën e protestuesve dhe policia e arreston bashkë me një grup protestuesish. Kur e kuptojnë se është nga Kosova, e konsiderojnë si spiun dhe të prangosur ia dorëzojnë organeve hetimore. Gjatë hetimeve, komisari i propozon bashkëpunim, duke i ofruar favore të lakmueshme dhe duke ia bërë me dije se çfarë vuajtjesh e rreziqesh e presin nëse nuk pranon bashkëpunimin. Gjatë qëndrimit (5 ditë) në burg, Mal Coli mendonte si t’i përgjigjej kërkesës së komisarit në ofertën për bashkëpunim, ishte zhytur në situatë sa që i shkonte mendja të bënte vetëvrasje, por as këtë nuk kishte si ta bënte në çelinë e burgut.  Në bisedën e serishme, komisari i flet për  verifikimet që kishte bërë me vendlindjen e Malit, besimin që kishe fituar dhe për detyrën e agjentit, respektivisht të inspektorit që do t’i jepej, me identitet të ndryshuar, favoret që do të gëzojë, mundësinë e udhëtimeve jashtë, punësimin e Ermirës, e cila i kishte humbur lidhjet me Malin pasi nuk ia dinte adresën ku t’i shkruante. Emira tashmë ishte shtatzënë dhe priste lindjen e fëmiut, të zënë nga nata e kaluar me Malin.

Mal Coli pranon ofertën e komisarit, merr dokumentet e identifikimit me emër e mbiemër, datëlindje e vendlindje tjetër, e kishte lëshuar edhe mjekrën dhe vazhdonte punën e inspektorit. Një ditë kishte zbuluar në Aeroportin e Rinasit një bandë droge. Shefi ishte i kënaqur me punën e tij, i kishte siguruar banesë komfore në Tiranë.

Ermira  me beben që e kishte lindur, shkon në Tiranë dhe  e takon  Mal Colin, i cili e kishte ndërruar identitetin personal me emër e mbiemër e me mjekër.

Në romane gjithçka është mirë, kur përfundon mirë. Kështu është edhe në romanin ‘’Ikja si shpëtim’’.

***

Ikja (nga burgu, nga shtëpia apo nga atdheu) si metaforë e shpëtimit fizik ose moral,  është ngjarje e shpeshtë dhe temë shumë e përhapur në letërsi dhe në kinematografi. Në kuptimin filozofik, ikja nuk nënkupton vetëm frikën, por si një akt i ruajtjes së jetës, lirisë, dinjitetit dhe identitetit personal dhe kolektiv. Në situata, kushte e rrethana të padurueshme, ikja është zgjidhja radikale për të shpëtuar. Kështu, shkrimtari Ibrahim Kadriu e ka zgjedhur temën ‘’Ikja si shpëtim’’, ku shtjellon fatin dhe dramën e një të ri shqiptar,  por që përfaqëson edhe fatin kolektiv dhe dramën e një populli. Dhe këtë e ilustron  me deklaratën e Mal Colit, para shefit të sigurimit të burgut në Pozharevc, kur thotë  se ‘’jeta jashtë burgut është  njësoj, ose edhe më tmerr’’! Në ndërthurjen e romanit, autori paraqet një mozaik ngjarjesh personale, shoqërore dhe politike të shqiptarëve, këndej dhe andej Drinit.

Përmbajtja e romanit ka elemente të zhanrit kriminalistik, social, politik po edhe të lirikës së dashurisë. Autori është mjeshtër i hollë i gdhendjes së tekstit, me gjetje fjalësh që hyjnë në shtresa të thella palimpseste të jetës dhe psikës së njeriut.

Ibrahim Kadriu, me përvojën e tij me më se njëqint veprave letrare, ndër të cilat 43 romane, me mjeshtri të rrallë e zotëron teknikën e thurjes së romaneve të çfarëdo teme e motivi që trajton. Bënë lidhjen e pashkëputshme të pjesëve, ngjarjeve, datave e personazheve, mesazheve. Kështu ka vepruar edhe në romanin ‘’Ikja si shpëtim’’, i ndarë në 19 pjesë (pa tituj, vetëm me numra), por i ndërlidhur me një kontinuitet harmonik të ngjarjeve.

Romani ‘’Ikja si shpëtim’’, vetëm dy ditë pas daljes nga shtypi, u promovua në kuadër të Panairit 26 të Librit, të mbajtur në Prishtinë. Për romanin folën Xhevat Syla, Labinot Berisha e Avni Spahiu, të cilët i dhanë notë të lartë  përmbajtjes së romanit. Mbetet të vlerësohet më tutje nga lexuesit dhe kritika letrare.