Gjon Marku: Është koha e tyre

Tregim
nga Gjon Marku
Nata qe në të sosur, ndërsa yjet puthnin agimin, kur Mark Bregu
doli prej kullës dhe mori udhën. Hëna hidhej flokëshprishur mbi kataraktet e
atyre anëve. Yjet regëtinin mbi ujëvara, si lulet që çelin e vdesin. Fshati
hepoheshte rrëzë maleve me borë, ndërsa alpet, kreshtëbardha e shtatgjelbra,
ngriheshin krenare drejt qiellit.
Rruga
drejt stacionit të autobusit përdridhej si një gjarpër i zi. Duke zbritur
teposhtë, ndjeu aromën e lisnës që vinte nga shpatet e malit. Në kroje
gurgullonte uji i kulluar, i kthjellët si një lot, ndërsa lugjet ishin mbuluar
me blerim. Nëpër livadhe harliste bari i njomë. Në sukën përtej lumit, në malin
përballë, pa dy kaproj që ia jepnin vrapit, kaluan një përtejqafë dhe u zhdukën
mes pyllit. Kur mbërriti te stacioni i autobusit, dita kishte dalë.
E hodhi
vështrimin drejt qiellit: kupë e kaltër, pa njolla, qelibar. Pas bjeshkëve
kishte dalë dielli. Ndërsa autobusi filloi të rrëshqiste teposhtë rrugës,
përskaj lumit valëbardhë, nga shkrepat e majëmaleve brofën shqipet drejt
qiellit.
- Eh...
katundi ndërron si ujku qimen; tash mbulohet me borë e tash bleron gjithkah.
Kështu e
la katundin e tij mes bukurish atë mëngjes dhe, duke u afruar dreka, mbërriti
në kryeqytet, ku i biri priste të merrte diplomën universitare. Kjo e bënte të
ndjehej krenar dhe i lumtur.
Në një
tërthore rruge e la autobusi. Ai mori udhën për nga Korpusi Qendror. Kaloi
pranë një dyqani ku shiteshin zogj dhe e hodhi vështrimin drejt kafazëve, prej
nga dëgjohej veç gugama e papagajve. Për një çast mërmëriti me vete:
- Po, po,
këtu veç papagaj dërdëllisin. Atje ku kam lindur unë është tjetërsoj. Ta
dëgjosh këngën e zogjve, ajo ia kalon çdo simfonie.
Fjalën e
fundit dukej se e kishte lidhur pikërisht me vendin ku ndodhej, pasi ishte
krejt pranë Akademisë së Arteve.
Pasi
mbërriti para Korpusit Qendror të Universitetit, zuri vend në njërën nga
kafenetë në të djathtë dhe porositi një kafe, që të mblidhte veten pas asaj
rruge të gjatë. U mbështet mbi bërryla dhe e hodhi vështrimin nga dalja e
universitetit, prej nga dilnin grupe-grupe studentësh.
Takoheshin
me të dashurat apo të dashurit e tyre dhe, pasi ua cakërronin buzët si gotat,
merrnin dorë për dore rrugën drejt Qytetit Studenti apo kodrave të Liqenit
Artificial. Ndonjë çift, më rrallë, drejtohej drejt ndonjë kafeneje. Edhe kur
ndaheshin, kur njëri hynte e tjetri dilte, ata sërish putheshin dhe, si kaproj
të lehtë, i hidhnin hapat gjithë krenari.
Teksa
shihte puthjet e tyre, mendimet iu bënë të zjarrta.
- Oh...
Lëshoi
frymën dhe sikur iu lehtësua gjoksi.
- Është
koha e tyre, - mërmëriti me vete.
Trupat e
tyre plot musht, vrull e energji, plot jetë.
Është koha
e tyre. Mosha e tyre. Ditët e tyre të arta.
Në
tavolinën ngjitur zuri vend një çift studentësh, që dukej se po e tepronte me
përkëdheljet dhe joshjet ndaj njëri-tjetrit. I vështronte në tërthore të
shikimit dhe nuk deshi t'ua prishte qetësinë me përqendrimin e vëmendjes së
tij. Aq më tepër që vetja iu duk si i ardhur prej një tjetër kohe, të cilit nuk
i kishte mbetur gjë tjetër veçse të vështronte çiftet kur putheshin.
Kështu, e
piu me një frymë kafenë dhe bëri të dalë.
- O Zot, -
mërmëriti me vete, - atje në ato fshatrat tona, mes maleve, vajzat e bukura
rrinë fshehur prej djemve, ndërsa ndonjërit prej këtyre të fundit i vjen era
vodkë. Ndonjë tjetër, si hardhuca që fshihet nëpër gardhe, përgjon të shquajë
diku, qoftë edhe vetëm me sy, atë që ia ka trazuar ndjenjat, pa mundur t'i
afrohet, pale më ta puthë e ta përkëdhelë.
Po i biri,
a ishte mes tyre? Ndoshta diku ishte strukur duke puthur të dashurën e vet.
Gjithsesi, ai nuk i kishte thënë asgjë të tillë.
U ngjit në
sheshin që shtrihej para Korpusit Qendror, pasi ngjite shkallët që të nxjerrin
në sheshin pranë Akademisë së Arteve. Ndoshta do ta shquante diku mes tyre,
duke dalë nga ndonjë leksion apo nga ndonjë orë konsultimesh, pasi ishin ditët
e fundit të studimeve.
Mbështetur
në njërën prej kolonave, e pa. Bisedonte me një shoqe, së cilës i rrinte
pothuajse ngjitur; qeshte dhe i gëzohej pranisë së saj. Pastaj pa që i biri i
hodhi krahun rreth qafës.
Marku
menjëherë ktheu rrugë mbrapsht.
Nuk deshi
që djali ta shihte. Ndoshta edhe ai donte të shijonte zjarrin e buzëve të saj.
Nuk deshi që ajo të ishte një puthje e lënë përgjysmë.
Teksa
zbriste shkallëve, dëgjoi zërin e të birit që e thërriste dhe u ndal. Nuk dinte
çfarë t'i thoshte. Vetja iu duk si një shegë e mbyllur.
I biri
fliste dhe e pyeste për gjithçka. Madje i tregonte për provimet e mësimet, por
për atë që ai donte të dinte, nuk i thoshte asnjë fjalë.
T'i njoh dëshirat e heshtura, mendoi me vete, teksa e pa djalin të burrëruar.
- Dje u
kam dhënë fund studimeve, - i tha i biri. - Tani pres të marr diplomën.
- A ke
ndonjë nevojë? - e pyeti i ati.
Por në të
vërtetë kishte dashur t'i thoshte: A ke ndonjë gjë tjetër për të më
thënë?
- Jo,
baba, gjithçka shkon mirë. Kam dalë mjaft mirë dhe dje, në mbrojtjen e temës,
kam marrë maksimumin e vlerësimit.
- Tani, a
shkojmë për një drekë së bashku, apo ke ndonjë punë?
- Jo,
baba. Po ti rri sonte tek unë.
- Jo, jo.
Sot do të jemi bashkë për drekë. Ti na gjej një restorant të mirë; rri me mua
sa të duash dhe më thuaj ndonjë gjë të re. Pastaj, sonte do të jem te motra ime
dhe nesër vij në ceremoninë e marrjes së diplomës tënde.
U futën në
një restorant dhe hëngrën një drekë të mrekullueshme. Por i biri nuk i tha
asgjë për shoqen e tij. Kështu që, kur po bëheshin gati të dilnin, i ati e
pyeti:
-
Kristjan, a ke zgjedhur ndonjë shoqe?
Tjetri u
skuq.
- Dëgjo,
baba, bisedojmë kur të vij atje.
- Mirë, si
të duash. Veç hap sytë dhe kujdesu për vete.
Kështu,
biseda që kishte mbetur përgjysmë në atë restorant pranë stadiumit më të madh
të vendit, u hap një natë tjetër, atje në odën me oxhak, në katin e tretë të
kullës. Por tani mori një udhë të paparashikuar për të dy.
- Po,
baba, unë dua një vajzë të bukur e të pashme, të sjellshme, që më do dhe që më
përshtatet. Dua ta kaloj jetën me të.
Deri këtu,
gjithçka kishte shkuar mirë.
Por
gjithçka ndryshoi kur ai tha se vajza ishte myslimane.
I ati mori
një pamje të rreptë dhe, për një çast, nuk deshi ta besonte. Pas kësaj, biseda
u bë e ftohtë dhe e tendosur si tehu i shpatës. Dhëmbët sikur i lëshonin xixa.
Gjithsesi,
mundohej të përmbahej. Përpiqej t'i vinte fre inatit që i cingriste në zemër,
por qetësia e humbur i dukej haptazi. Kishte filluar të ndizte e shuante një
llullë shqope.
Iu duk
sikur kishte rënë në fund të një pusi.
Ky bredharak nuk ka pyetur fare
për trollin. Tri degë lisi ka fisi ynë, e tash dega jonë do të marrë një
njollë, sikur ta kishte vrarë rrufeja.
Nata sikur
kishte rrudhur ballin mbi pezmin e tij. Ishte një natë pagjumësie. Sikur vetmia
i ulërinte te porta.
Ai kishte
bërë të pamundurën që i biri të shkollohej, e tani ai do t'i sillte për nuse
një vajzë të një feje tjetër...
Po farefisi? Po katundi? Po
bajraku? Po prifti?
- Kund a
ke, o Zot? - iu drejtua të birit pas një heshtjeje të gjatë.
Por ai u
ngrit dhe u largua për në dhomën e tij pa folur.
Mesnata
kishte dy a tri orë që kishte kaluar, ndërsa Marku rrinte ende pranë votrës,
duke fikur e ndezur çibukun e shqopës.
Mëngjesi i
zuri të dy zgjuar. Dolën herët prej kullës dhe morën udhën drejt stacionit të
autobusit. Ecnin prapa njëri-tjetrit, pa folur.
I biri nuk
i tha gjë të atit, por së ëmës i kishte thënë se do të shkonte në kryeqytet.
Pra, tek ajo, mërmëriti me vete Marku, kur zbriti nga autobusi dhe vijoi
rrugën, pasi lëshoi një ofshamë të pikëlluar.
Edhe pse
lodhja i ishte ulur mbi vetulla, Mark Bregu mori udhën dhe e ndali hapin në
oborrin e kishës së madhe, në kryeqendrën e katolicizmit në vend. Atje takoi
dom Palin.
Fill e për
pe, ia rrëfeu gjithçka që kishte ndodhur dhe i kërkoi mendimin.
- I
mbështjellë jam në rrjetën e zezë të dhimbjes. Jam aty ku gjunjëzohet
burrëria...
Tjetri
heshtte. Dëgjonte me vëmendje, por nuk fliste. Mundohej të hynte në shpirtin e
tij, të gjente pjesën e palatuar.
I është ndryshkur shpirti, si
parmaku i dyerve të vjetra, mendoi me
vete dom Pali, por ende nuk kishte shqiptuar asnjë fjalë.
Është si një copë dru mështekne
që vështirë merr formë. I përket një kohe tjetër, një mentaliteti tjetër.
Ndërsa i biri, edhe pse ishte diplomuar në nivelet më të larta universitare, e
kishte pasur të vështirë të bindte të atin për gjënë më të shtrenjtë të tij:
dashurinë.
Dom Pali
uli syzet në kodrën e hundës.
Ishte dita
e Shën Valentinit, dita e të dashuruarve. Po ku dinte Marku për këtë? Pikërisht
për të festuar atë ditë, i biri kishte shkuar në Tiranë. Edhe pse plaku
dyshonte, djali nuk po i shkelte parimet e veta.
Dom Pali
nuk po dinte nga t'ia niste.
Marku i
kishte treguar për atë ditë në kryeqytet, kur të rinj e të reja putheshin pa
pyetur nëse i shihte kush.
- Dëgjo,
Mark, - iu drejtua ai krejt butë. - A është me rëndësi që buburrecat i shkelin
me këmbë kalimtarët?
Tjetri
mori një drejtqëndrim, sikur donte të thoshte:
Lëri buburrecat. Ti më thuaj ç'të
bëj me djalin që po bën mëkat.
Prifti
vijoi gjatë. Pastaj, në fund, tha:
- Nuk
është aspak gabim, Mark. Ti merr një vajzë myslimane për djalin, pra për re, e
pagëzon dhe e kthen katolike. Edhe nipin që do të lindë, e pagëzojmë.
Përkundrazi, Mark, është mirë.
Pas asaj
bisede të gjatë, Marku mori udhën drejt kullës së tij. E zuri muzgu mbi kodër.
Shpirti i hënës pikonte ëmbëlsi mbi arat në shpat të malit.
Por brenda
tij kishte zënë vend një brengë e pikëlluar.
- A ka
mbërritur djali? - e pyeti të shoqen në oborrin e kullës.
- Jo, - u
përgjigj ajo shkurt.
Mbrëmja ia
mbushi sytë me terr. Brenda vetes ndjeu të përshkohej nga ankthe që bulëronin
si dema.
Fërshëllimat
e bulkthave kishin marrë jetë nëpër hatulla.
Edhe pse
kishte rrugëtuar gjithë ditën, priti gjatë që të kthehej i biri. Por ai nuk
erdhi as atë natë, as të nesërmen.
Po pse? - e pyeste disa herë veten Marku. Ti këtu, në këtë shtëpi të vjetër, duhet të kërkosh
fëmijërinë tënde, mor bir.
Pas tri
ditësh, kur i biri mbërriti në oborrin e kullës, Mark Bregu po kërkonte në një
lëpizë një teskë, për të gdhendur një bisht lopate.
-
Përshëndetje, baba. A u lodhe? - i tha ai.
Por Marku
as që e ktheu kokën.
Kishte
pritur që djali të vinte e të bisedonin edhe një herë, shtruar, por më kot.
Në mesnatë
doli te dritarja dhe pa të fikur dritën në dhomën e të birit.
E pa
siluetën e tij tek zhvishej nën dritën e hënës, me dritaren hapur, që fresku të
hynte lirshëm.
- Nuk
është mëkat...
Iu bë
sikur zëri i dom Palit foli ndër muret e kullës.
Mos ka zënë vend ndonjë gjë e
keqe në rrënojat e zemrës sime të prishur? mendoi.
Pastaj e
mbylli dritaren dhe i tha së shoqes:
- Ma thirr
djalin.
- Ka
fjetur gjumë, ishte i lodhur.
- E di se
ka fjetur, po ma thirr.
- Pash
hatrin e Zotit, mos m'ia thyej zemrën djalit. E kam si dritën e syve.
- Ani,
ani, ma thirr djalin.
Ajo, duke
mërmëritur me vete një lutje, u drejtua nga dhoma e të birit.
- Po të
pret yt atë.
- Po fle,
moj nënë.
- E di, po
më tha të të thërras.
U ngrit.
- Të pastë
nana, mos e nxeh më atë. Do t'i lutemi të dy. Nuk ta prish nana ty...
- Nana ty,
ti e di.
- Të
thirra të të pyes edhe një herë për punën e asaj vajze.
- Ajo punë
ka marrë fund, baba. Unë e dua dhe s'kam pse t'i hyj në hak, përderisa ajo
është një vajzë e mirë.
- A je
menduar siç duhet?
- S'kam
ç'të mendoj më gjatë. Ne kemi vite që njihemi, kemi mbaruar shkollën bashkë. E
njohim mirë njëri-tjetrin.
- Sak, ke
ba mend mos me na pyet?
- Ti fol
për vete, babë. Nana s'e ka thënë hala asnjë fjalë.
- Si? -
pyeti tjetri.
- Po ti
mos ia prish djalit, mor burrë. Pash hatrin e Zotit! Ai prandaj e mbaroi këtë
të flamosur shkollë, që të dijë të vendosë për veten e vet.
- Ashtu.
Marku
heshti një çast. Pastaj, me një ton sikur donte të bënte ironi, tha:
- Mirë,
nesër do të shkojmë të kërkojmë dorën e saj tek i ati. Apo nuk ka baba?
- Ka baba
që ç'ke me të. Alamet burri!
- Nesër të
dy bashkë do të shkojmë tek i ati.
U ngrit
dhe doli jashtë, në oborrin e kullës, pa lënë mundësi që të thuhej asnjë fjalë
tjetër.
***
Të
nesërmen herët, të dy morën udhën teposhtë drejt stacionit të autobusit. Ecnin
pranë njëri-tjetrit, por pa folur.
- A je
menduar mirë? - e pyeti edhe një herë të birin.
- Si ç'ke
me të? Më mirë nuk bëhet për mua, mor babë.
- Dakord,
- tha tjetri.
Pasi zunë
vend në sediljet e autobusit, që ishte pothuajse bosh, Kristjani, sikur donte
t'ia zbuste inatin të atit, filloi ta merrte me të mira.
- Baba, ti
e di vetë, po s'ka pse miku të dijë çfarë kemi biseduar ne. Pastaj, po të pyeti
se ku banon ti, i thuaj: aty afër qytetit.
Marku e
dëgjonte pa folur.
-
Natyrisht, po të pyeti si jetojmë, nuk ka nevojë t'i themi se hamë mish derri.
Aha, mendoi
tjetri. Duket se nuk qenka krejt ashtu siç më
duket. Edhe ata paskan problemet e tyre. Eh, do Zoti e thotë i ati se nuk na e
jap vajzën, e pastaj e di vetë unë.
***
Kështu
mbërritën te miku.
Nisën të
bisedonin me njëri-tjetrin.
- Unë të
kam ardhur për mik, - tha prerë Mark Bregu, krejt pa takt.
- Mirë se
ke ardhë, - ia priti tjetri.
- Këto
punë i dinë më mirë fëmijët, po ne, sidoqoftë, duhet të njihemi.
- Prej nga
je dhe si jeton?
Erdhi zogu në dorë, mendoi
Mark Bregu. Tash po i rregulloj mirë punët e
s'po la me m'u ngatërrue ferra nëpër kambë.
- Unë, me
të thënë të drejtën, jetoj nja gjashtë orë larg qytetit me autobus.
I biri e
hodhi vështrimin nga ai, por tjetrit nuk po i tundej qerpiku. Dukej sikur i
kishte matur hapat e breshkës që rrokulliset shkëmbinjve. Nuk foli, edhe pse i
erdhi të qeshte me ironinë e të atit, që po bënte pikërisht të kundërtën e asaj
që i kishte kërkuar.
- Sa për
të jetuar, nuk jetoj keq, - vijoi Marku. - Një herë në dy muaj ther një derr,
mbi njëqind okë mish të kuq e të bardhë.
- Ani,
ani, - tha tjetri, krejt i qetë, sikur fjalët e Mark Bregut të mos kishin qenë
për të.
Por Marku
kishte vendosur t'i shkonte kësaj pune deri në fund. Kishte edhe një gur tjetër
në dorë.
- Unë, të
them të drejtën, nuk e kisha me qejf këtë punë. Po, para se të vija këtu, kam
pyetur dom Palin dhe ai më ka thënë se nuk është mëkat të marrësh nuse ndër
myslimanë. Ne po e marrim, e pagëzojmë dhe e kthejmë katolike. Kështu, nuk ka
dert.
Tjetri e
pa drejt në sy.
- Bash, o
mik, edhe unë nuk e kisha me qejf dhe nuk kam qenë tue ta dhanë vajzën. Po kam
qenë te hoxha dhe e kam pyetur. Ai më ka thënë se nuk ka dert. Jepja vajzën. Po
kur të lindë nipi, e bajmë synet dhe nuk ka problem.
Kristjanit
i shpërtheu e qeshura.
Në derë
ishte ndalur kandidatja për nuse.
- Dëgjoni,
- ndërhyri Kristjani, kur pa se puna nuk po merrte rrugën e duhur. - Ju pyetni
sa të doni priftin e hoxhën. Ne e duam njëri-tjetrin dhe do të martohemi bashkë.
Dy
baballarët u panë sy më sy.
Fjalët e
tyre e humbën fuqinë.
Nuk kishin
më vend.
Ishte koha
e tyre.


