Albert Zholi: Baxhul Merkaj - Pa libër nuk ka dije, pa dije nuk ka shoqëri të shëndoshë
Flet kritiku i artit, Baxhul Merkaj:
-
Korrupsioni, padrejtësitë, luksi i shfrenuar dhe largimi i pushtetit nga
qytetari dhe pensionistët janë probleme që rëndojnë politikën shqiptare
-
Politika shqiptare nuk i përfill fare pensionistët, artistët dhe krijuesit.
Shumë njerëz që kanë krijuar, kanë shkruar, kanë kënduar dhe kanë pasuruar
kulturën shqiptare mbeten në harresë
-
Politika shqiptare ka probleme me nivelin intelektual dhe me përdorimin e
pushtetit. Pushteti duhet të jetë përgjegjësi, jo privilegj
-
Në demokraci, teatri u zbeh, estrada u zhduk, jeta kulturore u vak
-Pa
libër nuk ka dije, pa dije nuk ka shoqëri të shëndoshë
-Një
shoqëri që nuk lexon, humbet, dikur shqiptari lexonte, sot libri po lihet
mënjanë
-Kur
mësuesi nuk lexon një libër artistik, çfarë presim nga nxënësi?
-Arti
nuk është luks, është shpirt i shoqërisë. Fama nuk të bën artist
-Një
shoqëri që nuk lexon e ka të vështirë të kuptojë se çfarë po ndodh rreth saj

Ka njerëz që e matin
jetën me vitet dhe ka të tjerë që i matin vitet me atë që kanë lënë pas. Baxhul
Merkaj i përket kësaj kategorie të dytë. Në 83 vite jetë, ai ka kaluar nëpër
disa nga periudhat më të rëndësishme të shoqërisë shqiptare, duke qëndruar pranë
librit, gazetës, teatrit, kinemasë dhe njerëzve të artit. Kritik arti,
publicist, intervistues dhe njeri i lidhur përherë me kulturën, Merkaj nuk e ka
parë kurrë artin si një zbukurim të jetës. Për të, arti është kujtesë,
ndërgjegje dhe pasqyrë e shoqërisë. Prandaj edhe sot, në moshën 83-vjeçare, ai
vazhdon të flasë me shqetësim për teatrin që po humbet hapësirën e dikurshme,
për kinemanë që prodhon pak, për librin që blihet gjithnjë e më pak, për
arsimin që vuan nga mungesa e leximit dhe për një politikë që, sipas tij, është
larguar nga libri dhe kultura. Ai ka intervistuar figura të mëdha të skenës dhe
ekranit shqiptar. Ka biseduar me artistë që sot janë pjesë e historisë së
kulturës sonë. Ka dëgjuar nga afër zërin e një brezi që e ndërtoi artin me punë,
disiplinë dhe sakrificë. Në këtë 83-vjetor, biseda me Baxhul Merkajn nuk është
thjesht një intervistë për përvjetorin e një intelektuali. Është një udhëtim në
kujtesën e artit shqiptar dhe, njëkohësisht, një vështrim kritik mbi Shqipërinë
e sotme. Ai flet pa shumë zbukurime: për atë që është humbur, për atë që po
rrezikohet dhe për atë që duhet rikthyer.
Zoti Baxhul Merkaj, 83 vite jetë. Çfarë ju ka mbajtur kaq
aktiv gjatë gjithë këtyre viteve?
Më ka mbajtur gjallë dashuria për jetën, për librin, për
artin dhe për fjalën e shkruar. Kam qenë gjithmonë i lidhur me leximin,
gazetarinë, kritikën e artit dhe me njerëzit e kulturës. Njeriu nuk duhet të
dorëzohet para moshës. Për sa kohë ke dëshirë të lexosh, të shkruash, të
mendosh dhe të komunikosh me njerëzit, je aktiv. Unë kam gjetur gjithmonë
energji te libri dhe te arti. Libri ka qenë shoqëruesi im i përhershëm. Gazeta
më ka dhënë mundësinë të komunikoj me publikun, ndërsa arti më ka mësuar të
shikoj më thellë te njeriu dhe te shoqëria.
Ju keni intervistuar shumë personalitete të mëdha të artit
shqiptar, si Margarita Xhepa, Kadri Roshi, Sandër Prosi, Timo Flloko dhe të
tjerë. Si jeni ndier përballë tyre?
Shumë i emocionuar. Ata ishin njerëz të mëdhenj dhe të tillë
mbetën. Kur uleshe përballë tyre, e kuptoje menjëherë se nuk kishe përballë
thjesht një aktor, por një personalitet. Kam mësuar shumë prej tyre. Më kanë
mësuar për artin, për jetën, për sakrificën dhe për përgjegjësinë që ka një
artist ndaj publikut. Sot, kur i kujtoj ato takime, emocionohem edhe më shumë,
sepse shumë prej tyre nuk janë më mes nesh. Por ata kanë lënë pas role, filma,
shfaqje dhe një kujtesë që nuk shuhet lehtë.
Çfarë i dallonte ata artistë nga shumë prej figurave publike
që shohim sot?
Puna. Përkushtimi. Kultura. Ata nuk u bënë të njohur brenda
një nate. Punuan vite të tëra për të ndërtuar një emër. Nuk mjaftonte të dilje
në ekran. Duhej të dije, të studioje, të provoje dhe të bindje publikun. Sot
fama shpesh vjen më shpejt se talenti. Dhe kjo është një dukuri që duhet parë
me kujdes.
Si e shikoni teatrin shqiptar sot?
Teatri ka humbur shumë nga ajo që kishte dikur. Në qytete
kishte teatro, estrada, trupa artistike dhe një jetë kulturore të gjallë.
Njerëzit shkonin në teatër, diskutonin shfaqjet dhe artistët ishin pjesë e
jetës së qytetit. Sot në shumë qytete kjo jetë është zbehur. Nuk kemi më atë
gjallëri. Jeta artistike është bërë e vakët. Një qytet pa teatër, pa bibliotekë
aktive, pa kinema dhe pa aktivitete kulturore është një qytet që humbet diçka
nga shpirti i vet.
Pra, nuk është vetëm problem i artistëve?
Jo. Është problem i shoqërisë dhe i politikave kulturore.
Artisti nuk mund të punojë në boshllëk. Duhet të ketë institucione, mbështetje
dhe një publik të kultivuar. Nuk mund t'u themi të rinjve "duajeni
teatrin", nëse nuk u krijojmë mundësi ta shohin teatrin.
Po kinemaja shqiptare?
Prodhohet pak. Dhe problemi tjetër është se shumë prodhime
nuk arrijnë të njihen sa duhet nga publiku. Filmi duhet të ketë jetë. Duhet të
shfaqet, të diskutohet, të kritikohet dhe të arrijë te njerëzit. Kinemaja nuk
është vetëm argëtim. Është edhe kujtesë kombëtare.
Si e shikoni politikën shqiptare pas viteve '90?
Me shumë kriticizëm. Kam parë një luftë të vazhdueshme për
pushtet dhe shumë largim nga problemet reale të popullit. Ka probleme me
korrupsionin dhe me përdorimin e pushtetit. Pushteti duhet të jetë përgjegjësi,
jo privilegj. Më shqetëson edhe niveli kulturor. Një politikan duhet të jetë
njeri i dijes, i librit dhe i formimit. Ka raste kur shohim njerëz në politikë
që janë shumë larg kulturës dhe leximit. Kjo nuk është shenjë e mirë për një
shoqëri.
Po debatet dhe protestat e fundit, përfshirë atë që është quajtur
"revolta Flamingo"?
Problemet që ngrihen nga qytetarët duhen dëgjuar. Nëse
njerëzit protestojnë, do të thotë se kanë shqetësime dhe kërkojnë përgjigje.
Korrupsioni, padrejtësitë dhe largimi i pushtetit nga qytetari janë probleme që
nuk mund të anashkalohen. Por revolta duhet të shoqërohet me program. Nuk
mjafton vetëm zemërimi. Duhet të dish çfarë kërkon dhe si do ta realizosh. Një
shoqëri ka nevojë për alternativa konkrete.
Të flasim për librin. Pse shqiptarët po lexojnë më pak?
Sepse libri nuk është më në qendër të jetës shoqërore si
dikur. Dikur shqiptari ishte shumë më i lidhur me librin. Sot botohen shumë
libra, por blihen pak. Kjo është një kontradiktë e madhe. Dhe këtu kanë
përgjegjësi edhe figurat publike. Nëse politikanët nuk lexojnë, nëse nuk flasin
për librin, nëse nuk e vlerësojnë dijen, çfarë shembulli u japin të rinjve?
Po arsimi?
Arsimi shqiptar ndodhet përballë problemeve serioze dhe një
prej tyre është mungesa e leximit. Unë bëj një pyetje të thjeshtë: kur vetë mësuesi nuk blen dhe nuk lexon një
libër, çfarë mund të presim nga nxënësi? Mësuesi duhet të jetë shembull.
Duhet të lexojë më shumë se teksti shkollor, të kërkojë, të studiojë dhe t'i
mësojë nxënësit të mendojnë. Pa libër nuk ka dije të thellë. Dhe pa dije të
thellë nuk mund të kemi një shoqëri të shëndoshë.
Në 83-vjetorin tuaj, cili është mesazhi që do t'u jepnit të
rinjve?
Lexoni. Mos u mjaftoni me atë që shihni në ekran. Mos e
matni jetën vetëm me para dhe famë. Lexoni libra, mësoni, pyesni, diskutoni.
Mos kini frikë të mendoni ndryshe. Unë kam kaluar një jetë mes librit, gazetës
dhe artit. Dhe sot, në moshën 83-vjeçare, mund të them se një nga pasuritë më
të mëdha që mund të ketë njeriu është ajo që ka mësuar. Libri nuk të varfëron.
Libri të pasuron. Arti nuk të largon nga jeta. Arti të mëson ta kuptosh më mirë
atë.
Ju jeni
me origjinë nga Lapardhaja e famshme e këngës labe dhe e grupit të Nazif Çelës.
Sot, a ka gjallëri në Lapardha?
Eh! Lapardhaja e ka humbur shkëlqimin e dikurshëm. Nuk
është më ajo Lapardhaja e zhurmshme, ku çdo darkë mblidheshim dhe këndonim. Nuk
janë më ato mbrëmje të bukura kur zëri i Nazif Çelës dëgjohej në të gjithë
Labërinë. Ishte një kohë tjetër, një kohë kur kënga na bashkonte, kur njerëzit
mblidheshin në odat e shtëpive dhe çdo mbrëmje kishte biseda, humor e këngë.
Sot Lapardhaja ndodhet e mpakur, e rrënuar, pa atë gjallëri dhe atë jetë që
kishte dikur. Shumë shtëpi janë mbyllur. Të rinjtë kanë ikur, disa jashtë
vendit e disa në qytete të tjera, duke kërkuar një jetë më të mirë. Kanë mbetur
më shumë të moshuarit, që mbajnë gjallë kujtimet dhe historitë e fshatit. Kur
shkon sot në Lapardha, të duket sikur dëgjon jehonën e atyre viteve. Të
kujtohen njerëzit, këngët, zërat, dasmat e festat. Të duket sikur nga ndonjë
shtëpi do të dalë përsëri një këngë labe, por pastaj kupton se shumëçka ka
ndryshuar. Dikur kënga ishte pjesë e jetës së përditshme. Nuk këndonim vetëm në
skenë apo në festivale. Këndonim në oda, në gëzime, në dasma, në kuvende
burrash. Kënga ishte mënyra jonë për të shprehur gëzimin, mallin, dashurinë për
vendlindjen dhe për njerëzit tanë. Dhe kur përmend Lapardhën, nuk mund të mos
kujtosh Nazif Çelën. Zëri i tij ishte bërë pjesë e identitetit të atij vendi.
Kur këndonte ai, nuk dëgjohej vetëm në Lapardha. Kënga përhapej në gjithë
Labërinë. Më vjen keq kur e shoh sot fshatin tim kështu. Por një gjë nuk mund
të shuhet: kujtesa. Lapardhaja mund të jetë rrënuar fizikisht, por nuk është
rrënuar në kujtesën e njerëzve. Ajo jeton në këngët që janë kënduar, në
njerëzit që kanë lindur e janë rritur aty dhe në historitë që ne ua tregojmë
brezave të rinj. Ndoshta një ditë Lapardhaja do të rigjallërohet. Do të doja të
shihja përsëri shtëpitë me drita, rrugët me njerëz dhe, pse jo, të dëgjoja
përsëri një këngë labe që të ngjitet në shpatet e fshatit dhe të përhapet nëpër
Labëri. Sepse një vend pa njerëz mund të mbetet në hartë, por një vend me këngë
mbetet gjithmonë i gjallë.
–
Mendimi juaj për këngën labe?
Ajo është ashtu siç e kam cilësuar edhe në librin tuaj Polifonia shqiptare: magjike, qiellore.
Më vjen keq që disa e quajnë "isopolifoni". Për mua ajo quhet
polifoni, këngë labe ose vënçe. Pra, është e jona. Nuk rrjedh as nga sirenat
dhe as nga Bizanti. Ajo rrjedh nga historia dhe gjaku i shqiptarëve. Kënga labe
është një pasuri e jashtëzakonshme shpirtërore e popullit tonë. Ajo ka lindur
dhe është përcjellë brez pas brezi, duke mbartur në vetvete historinë,
dhimbjet, gëzimet, trimërinë dhe dashurinë për vendin. Prandaj duhet ta ruajmë
dhe ta përcjellim te brezat e rinj ashtu siç na e kanë lënë të parët tanë.
– Keni
menduar ndonjëherë të jetoni jashtë Shqipërisë, për shembull te vajza juaj në
Amerikë?
Kurrë! Unë jam një pensionist me një pension qesharak, por
asnjëherë nuk kam menduar të jetoj jashtë. Vajzën e kam në Amerikë, e dua dhe
më merr malli për të, por vendi im është këtu.
Njeriu mund të shkojë jashtë për të vizituar fëmijët, për
të parë botën, por të jetosh larg vendit tënd është tjetër gjë. Unë jam lidhur
me Shqipërinë, me Labërinë, me njerëzit e mi, me këngën dhe me kujtimet e
jetës. Këtu kam kaluar jetën dhe këtu dua ta mbyll. Më dhemb vetëm një gjë:
politika shqiptare nuk i përfill sa duhet artistët dhe krijuesit. Shumë njerëz
që kanë krijuar, kanë shkruar, kanë kënduar dhe kanë pasuruar kulturën
shqiptare mbeten në harresë. Ne, krijuesit, shpesh i dhurojmë librat
njëri-tjetrit dhe me kaq kënaqemi. Ky është ngushëllimi ynë. Nuk presim shumë,
por do të donim të ndienim se puna jonë vlerësohet dhe se ajo që kemi bërë për
kulturën shqiptare nuk shkon dëm. Në fund të fundit, çfarë i mbetet një
krijuesi? Libri, kënga, kujtimi dhe dashuria e njerëzve. Këto janë pasuria jonë.


