Albert Vataj: 1 tetor 1913 – lindja e “Hyllit të Dritës”

1 tetor 1913, kur erdhi në jetë “Hylli i Dritës”, i pari yll që driti me shpirtin e dishepujve të dijes dhe besimit

Në
kalendarin e historisë shqiptare, data 1 tetor 1913 mbetet e gdhendur si një
ditë themelimi kulturor e shpirtëror, dalja e numrit të parë të revistës “Hylli
i Dritës”, organi i françeskanëve shqiptarë, por edhe i gjithë mendimit të lirë
e të përkushtuar ndaj kombit, ndaj më të lartit qëllim, promovimit,
përfaqësimit dhe mbrojtjes së interesave që udhëprijnë të gjithë ata që kombin
dhe obligimet ndaj tij i morën, i trajtuan dhe i vlerësuan si amanet i të
parëve.
Themeluesi
i saj, At Gjergj Fishta, i vuri revistës emrin “Hylli i Dritës”, duke e lidhur
simbolikisht me agun e qytetërimit të Shqipërisë së sapolindur, duke i mëkuar
këtij pagëzimi vezullimin e atij shkëlqimimi, i cili vinte jo vetëm të
lajmëronte zgjimin, por edhe të tubonte në dëshirime ëndërrtare shpirtrat e
etur për dije dhe dritë, ata që do të prinin interesat dhe aspiratat e kombit
në udhën e përndritur të shpërfaqjes së vlerave dhe përkatësive identitare.
Në
një shkrim programatik ai shënonte: “E kemi quejtë ketë të Përkohëshme tonë,
“Hylli i Dritës”, përsé âsht tue lé nepër ag të qytetnisë së Shqipënisë. E
porsi Hylli i Dritës me fërfllim t’ambël të vetin ngjall shpënesët e shueme në
zemër të shtegtarit, errun ndër shkretí të mjerueme, (ashtu) na do të
përkujdesena, qi edhe e Përkohëshmja jonë të mrrijë me ngjall shpënesën ndër
zemra të Shqipëtarëvet, se prej Hyut ditë mâ të mira kanë me iu reshë
Shqipënisë” (H.D. I. 1913, 4-8).
Revista
nuk ishte thjesht një organ kulturor; ajo u shndërrua në pasqyrë të lavdishme,
por edhe të dhimbshme të historisë shqiptare, duke u rreshtuar hapur në
mbrojtje të lirisë dhe të drejtave kombëtare. Kjo guximtari e saj çoi në
ndërprerjen e menjëhershme pas numrit të parë, vetëm një vit pas shpalljes së
pavarësisë dhe në prag të Luftës së Parë Botërore.
Megjithatë,
“Hylli i Dritës” nuk u shua. Ai rifilloi botimin në maj të vitit 1921, duke u
bërë një tribunë e rëndësishme e mendimit kulturor, politik e letrar shqiptar.
Heshti sërish nga nëntori i vitit 1944, kur Shqipëria ra nën regjimin komunist,
dhe u rikthye vetëm në nëntor 1993, nën drejtimin e At Zef Pllumit, një prej
françeskanëve të mbijetuar nga persekutimet. Në atë periudhë të re, revista
arriti përsëri lartësinë e saj tradicionale, krahas revistës tjetër madhore të
jezuitëve shqiptarë, “Leka”.
Pas
disa vitesh të lulëzimit të saj, “Hylli i Dritës” u detyrua të mbyllej më 1997,
për të rifilluar botimin në vitin 2006, gjithnjë nën kujdesin e Provincës
Françeskane “Zoja Nunciatë” të Shqipërisë.
“Hylli
i Dritës” mbetet jo vetëm një dëshmi e guximit intelektual e kombëtar të
françeskanëve shqiptarë, por edhe një flamur i përhershëm i kulturës shqiptare,
që ka ditur të ringjallet e të qëndrojë, pavarësisht mbylljeve, ndalimeve e përndjekjeve
të kohës. Në çdo rikthim të saj, ajo ka sjellë me vete një fjalë drite dhe një
thirrje shprese, duke mishëruar atë vizion fishtian se ditë më të mira kanë për
t’i ardhur Shqipërisë.
Që
në numrin e parë, revista u pozicionua hapur në mbrojtje të të drejtave
kombëtare. Ky guxim e bëri që ajo të mbyllej menjëherë, në një kohë kur
pavarësia e shpallur në Vlorë ishte ende e brishtë, dhe Shqipëria kërcënohej
nga copëtimi e Lufta e Madhe. Megjithatë, në heshtjen e dhunshme që pasoi,
“Hylli i Dritës” mbeti si një fjalë e paplotësuar, një dritë e penguar që
priste të ndizej sërish.
Dhe
ajo dritë u ringjall, sepse zjarrin i saj ishte i mishëruar në shpirtin prej
Feniksi të çdo intelektuali dhe patrioti shqiptar. Në maj 1921, revista
rifilloi botimin, duke u bërë platforma më e rëndësishme e mendimit kulturor e
politik të kohës, deri në ndërprerjen e re më 1944, kur diktatura komuniste
mbylli çdo frymëmarrje të lirë. Pas gati gjysmë shekulli heshtjeje, ajo u
ringrit më 1993 nga duart e lodhura, por të pathyeshme të At Zef Pllumit, i
cili i dha “Hyllit” një jetë të re, duke e vënë krah për krah me “Lekën” e
jezuitëve si dy maja të mendimit shqiptar të krishterë e kombëtar.
Por
“Hylli i Dritës” është më shumë se histori botimesh. Ai është një simbol i
mbijetesës shqiptare. Ndërprerjet, ndalimet, persekutimet e shumta nuk arritën
ta shuajnë. Si një yll që duket e zhduket ndër retë, por asnjëherë nuk shuhet,
ai ka ditur të rilindë, herë në 1921, herë në 1993, herë në 2006, gjithnjë duke
rifilluar misionin e vet. Sepse fjala, mendimi dhe dritimi që penat mëkuan
përmes saj, bënë që drita e atij Hylli të agimtë të shndrij.
E
nëse sot kthehemi pas, nuk kujtojmë vetëm një revistë. Kujtojmë një univers
kulturor e kombëtar që frymëzoi e vazhdon të frymëzojë, një thirrje e thekshme
e shpirtit kombëtar që mblodhi zërat dhe zemrat, penat dhe parmendat, ëndrrat
dhe vullnetet, për t’i shndërruar ata në diell të agimeve shqiptare, atëherë
motit e tash sodit. Kujtojmë, kësokohe e kësaj ndërmendje edhe të hyjtin fjalën
e mendim, At Gjergj Fishtën, por edhe ata që e pasuan, krejtata që ju bashkuan
këtij vargani të gjatë të lajmësve, kujtojmë të gjithë ata, ata që nuk u
pajtuan me errësirën, dhe që e besuan se një komb i vogël mund të mbijetonte,
vetëm duke u ushqyer me dritën e kulturës e të fesë, të pasurimit të vetëdijes
përmes thesarit; etnografik, historik, arkeologjik, linguistik, krejt gjënezës
sonë atropologjike, atyre që vinin në këtë kushtrim për të blatuar shpirtin e
madh atdhetar me pasionin dhe përkushtim, devocion dhe sakrificë.
“Hylli
i Dritës” është dëshmi e gjallë se kombi shqiptar nuk është ngritur vetëm mbi
krahët e luftëtarëve, por edhe mbi fjalën e lirë, mbi kulturën e guximshme dhe
mbi besimin se shpresa, njëherë e ringjallur, nuk shuhet më kurrë. “Hylli i
Dritës” erdhi për të qenë një yllë që lajmëronte agun, dhe është edhe sot e
asaj dite, një rreze në diellin e çdo shpirti që guxon dhe shndrit lindjes që
na zgjon në lindje.


