U nda nga jeta shkrimtari për fëmijë - Avdi Shala

NJOFTIM MORTOR
U nda nga jeta shkrimtari për fëmijë - Avdi
Shala
Me pikëllim të thellë
njoftojmë se është ndarë nga jeta shkrimtari i njohur për fëmijë, Avdi Shala,
njëri ndër krijuesit e përkushtuar të letërsisë shqipe për brezat e rinj, i
cili me veprën e tij la gjurmë të çmuara në kulturën dhe letërsinë tonë.
Shtëpia Botuese FAD –
Prishtinë, së bashku me botuesen Fatmire Duraku, shpreh dhimbjen e thellë për
humbjen e këtij autori të respektuar dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta
bashkëshortes së tij, dy djemve, vajzës, familjes Shala, të afërmve, miqve,
komunitetit letrar dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e çmuan veprën e tij.
Pas një jete të
përkushtuar ndaj familjes, arsimit dhe letërsisë, Avdi Shala la pas
bashkëshorten dhe tre fëmijët e tij, të cilët do të mbajnë gjallë kujtimin për
njeriun, babanë dhe krijuesin e dashur.
Avdi Shala lindi më
1942 në Kishnarekë, komuna e Drenasit. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje
dhe në Komoran, ndërsa studimet universitare i përfundoi në Fakultetin
Filozofik të Universitetit të Prishtinës, në degën Gjuhë dhe Letërsi.
Gjatë jetës së tij
profesionale punoi si mësimdhënës në vendbanime të Drenicës, në Mitrovicë dhe
Kastriot, ndërsa pjesën më të madhe të veprimtarisë së tij e zhvilloi si
gazetar në gazetën “Kosova” të ish Elektroekonomisë së Kosovës.
Që në vitet e rinisë
u përkushtua ndaj shkrimit dhe krijimtarisë letrare. Ai la pas një opus të
pasur krijues në poezi, tregime, romane dhe drama, duke u bërë një emër i
dalluar i letërsisë shqipe për fëmijë.
Ndër veprat e tij për
fëmijë veçohen:
Poezi:
- Lulishtja
- Xum,
xum, xum
- Ju
të mëdhenjtë
Tregime:
- Vocërraku
me tufën e rrezeve
- Pikniku
i shkronjave
- Gjuha
e luleve
- Abetarja
ime
- Drenica
u ngrit
- Kur
shtatori ishte vogëlush
- Lulet
e syve
- Pallati
i çokolatave
Romane:
- Njeriu
me kapelë të verdhë
- Viti
i ikjeve
- Një
piknik me tre kreshnikë
- Dielli
me dritare
- Viti
i ndjekjeve
- Fëmija
i padukshëm
- Viti
i ndaluar
- Lulnaja
- Miushi
magjistar
Drama:
- Kali – komedi për të rritur
- Kapedan
Karameli –
dramë për fëmijë
Disa nga veprat e tij
janë botuar nga Shtëpia Botuese FAD – Prishtinë, e cila pati nderin të
bashkëpunojë me autorin dhe të jetë pjesë e rrugëtimit të tij krijues.
Dorëshkrimet e tij të tjera mbeten dëshmi e një pune të vazhdueshme letrare dhe
e përkushtimit të tij ndaj librit.
Avdi Shala
bashkëpunoi me revistat letrare dhe me shtypin e kohës. Për krijimtarinë e tij
u nderua me disa çmime letrare, ndërsa një ndër vlerësimet e fundit ishte Sofra
“Ymer Elshani” e Drenasit. Ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës
dhe i Karvanit të shkrimtarëve për fëmijë “Agim Deva”.
Me ndarjen nga jeta
të Avdi Shalës, letërsia shqipe humbi një krijues të veçantë të fjalës për
fëmijë, një autor që me imagjinatën, dashurinë dhe urtësinë e tij ndërtoi ura
mes botës së të rriturve dhe ëndrrës së fëmijëve.
Kujtimi për jetën dhe
veprën e tij do të mbetet i gjallë në librat që la pas dhe në zemrat e lexuesve
të vegjël e të mëdhenj.
Lavdi kujtimit të
shkrimtarit Avdi Shala!
Prishtinë, 22.07.2026


