Tri poezi nga Vangjush Ziko
Vangjush Ziko
TRI POEZI
PESHORJA
Sa zor që ta matësh vetveten.
Sa zor kjo peshore të gjendet.
Sa zor që të gjesh një pasqyrë
Të mos shformësojë fytyrën.
Narcisin e mbyti vetvetja.
Makbethin e gjakut etja.
Salieri helmoi Moxartin
Për ëndrrën e artë të artit.
Eh,ne të mjerët ç' kërkojmë,
Pse veten dot s' e peshojmë?!
Në botë sa qenka vështirë
Të jesh artist e njeri i mirë!
KUJTESA IME
Kujtesa ime është një djep i drunjtë,
Përrall' e gjyshes me rudha mençurie.
Mëngjesi im erë barut e luftë,
Rinia një fanfarë çmendurie.
Lule e parë në saksi të zemrës,
Thinj' e parë si dëbora e papritur.
Balldi e mjaltit të martesës,
Tensioni dhe artriti i thinjur.
Një mal i lartë,berjoza dhe një panjë
I bëjnë hije jetës sime endacake.
Një emër i shkruar në mermer të pllakës,
Poezitë e mia mbi të zambakë.
ARTI I JETËS
Në jetën tonë që ngjan me luftën,
Vetes i themi luftëtarë.
Me armët tona: britma dhe lutje
O fitojmë.O hiqemi zvarrë.
Të fitosh,do të thotë luftë
Mes jetës dhe vetvetes.
Të jetosh,do të thotë të lutesh
Për paqen e jetës me vdekjen.








