Pilo Zyba: Kur ideologjitë heshtin dhe populli kërkon të dëgjohet

2h më parë

KUR IDEOLOGJITË HESHTIN DHE POPULLI KËRKON TË DËGJOHET

NGA PILO ZYBA

Ka një privilegj të rrallë, por edhe të rëndë, në jetën e një njeriu që ka kaluar gjysmën e jetës në një sistem dhe gjysmën tjetër në një sistem krejt të kundërt. Unë i përkas atij brezi që jetoi për tridhjetë vite nën filozofinë marksiste dhe për tridhjetë vite të tjera nën filozofinë e botës perëndimore. Kam lexuar Marksin dhe Engelsin me të njëjtin seriozitet me të cilin më vonë lexova John Locke, Friedrich Hayek dhe Karl Popper. Dhe pas kaq dekadash, kam arritur në një bindje që nuk lind nga propaganda, por nga përvoja: asnjë ideologji nuk e zotëron e vetme të vërtetën mbi njeriun dhe shoqërinë.

Kur njeriu jeton vetëm në njërin sistem, ai zakonisht bëhet mbrojtës i verbër ose kundërshtar i verbër. Por kur ai i ka jetuar të dyja, fillon të kuptojë se çdo filozofi mbart brenda vetes si forcën, ashtu edhe kufizimin e saj. Marksizmi kërkoi drejtësi sociale dhe barazi, por shpesh e sakrifikoi lirinë individuale. Kapitalizmi ngriti lirinë dhe iniciativën personale, por në shumë raste krijoi pabarazi të thella dhe largim të shtetit nga detyrimi moral ndaj qytetarit. Historia nuk tregoi se njëri sistem ishte absolutisht i pastër dhe tjetri absolutisht i gabuar; historia tregoi se çdo ide, kur kthehet në dogmë, fillon të humbasë lidhjen me realitetin njerëzor.

Pikërisht për këtë arsye, sot më duket e gabuar mënyra sesi politika vazhdon t’i trajtojë idetë si armë lufte dhe jo si mjete zhvillimi. Në Shqipëri, pas më shumë se tridhjetë e pesë vitesh tranzicion, nuk kemi më një konflikt të vërtetë filozofik mes të majtës dhe të djathtës. Kemi një lodhje të mendimit politik. Idetë që dikur premtonin zhvillim, sot shpesh përsëriten mekanikisht, pa frymë të re, pa reflektim dhe pa ndjeshmëri ndaj realitetit të njeriut të zakonshëm. Dhe kur një klasë politike fillon të jetojë më shumë brenda propagandës sesa brenda jetës reale të popullit, lind pakënaqësia.

Por pakënaqësia nuk duhet keqkuptuar. Demonstratat nuk lindin sepse njerëzit kanë etje për kaos apo përmbysje. Ato lindin kur shoqëria ndien se nuk po dëgjohet më. Protesta është një sinjal se ekziston një hendek mes mënyrës si qeveriset vendi dhe mënyrës si jeton populli. Dhe një shtet i mençur nuk duhet ta shohë këtë si luftë kundër vetes, por si nevojë për korrigjim dhe ripërtëritje.

Problemi ynë më i madh sot nuk është se njerëzit protestojnë; problemi është se pushteti shpesh e sheh protestën si kërcënim, jo si pasqyrë. Në të vërtetë, çdo shoqëri që ndalon zërin kritik fillon të humbasë aftësinë për t’u përmirësuar. Sepse zhvillimi nuk vjen nga heshtja artificiale, por nga guximi për të pranuar se disa ide janë konsumuar, se disa mënyra drejtimi janë varfëruar dhe se koha kërkon mendim të ri.

Kjo kërkon kurajë politike dhe pjekuri shoqërore. Kërkon të kuptosh se ndryshimi nuk është domosdoshmërisht rrëzim, por domosdoshmëri evoluimi. Ashtu si në laboratorët farmaceutikë, ku çdo substancë merr vlerë nga masa dhe kombinimi i saj, edhe filozofitë dhe sistemet politike duhet të marrin prej njëra-tjetrës atë që i shërben më mirë njeriut dhe kohës. Një shoqëri nuk ndërtohet mbi fanatizëm ideologjik, por mbi ekuilibër, reflektim dhe aftësi për të korrigjuar vetveten.

Dhe ndoshta kjo është prova më e madhe e demokracisë: jo të fitosh mbi kundërshtarin, por të kuptosh se edhe zëri kundër teje mund të mbajë brenda një të vërtetë që i duhet vendit.

***

Materialet e shfrytëzuara...

John Locke — 29 Aug 1632 .... 28 Oct 1704 

Konsiderohet një nga themeluesit e liberalizmit modern. Ai mbrojti të drejtat natyrore të njeriut: jetën, lirinë dhe pronën private. Mendimi i tij ndikoi fort në demokracitë perëndimore.

Friedrich Hayek — 8 Maj 1899.....23 Mars 1992

Kritik i sistemeve kolektiviste dhe mbrojtës i ekonomisë së lirë. Ai besonte se liria ekonomike është themel i lirisë politike dhe se shteti nuk duhet të kontrollojë jetën e individit.

Karl Popper —  28 korrik 1902....17 1994

I njohur për idenë e “shoqërisë së hapur”, ku asnjë ideologji nuk duhet të shndërrohet në dogmë absolute.

Karl Marx .- 5 Maj 1818....14 Mars 1883

Përfaqësonte idenë se historia e njerëzimit lëviz nga lufta e klasave dhe se shoqëria duhet të ndërtohet mbi barazinë ekonomike e sociale. Ai besonte se kapitali krijon pabarazi dhe se njeriu i thjeshtë, punëtori, shpesh humbet dinjitetin përballë forcës së parasë dhe pronës private. Për Marksin, drejtësia sociale ishte themeli i një bote më njerëzore.

Friedrich Engels  -  28 Nëntor 1820....5 Gusht 1895

Përfaqësonte organizimin praktik dhe analizën sociale të këtyre ideve. Ai e shihte shoqërinë si një strukturë ku ekonomia përcakton mënyrën e jetës, politikën dhe kulturën. Engelsi u përpoq të tregonte se varfëria, pabarazia dhe shfrytëzimi nuk ishin rastësi, por pasoja të mënyrës sesi ndërtohej sistemi ekonomik dhe pushteti.