Ndue Dedaj: Kriza e identitetit të liderve (dhe Ibrahim Rugova si një simbol)
KRIZA E IDENTITETIT TË LIDERVE
(dhe Ibrahim Rugova si një simbol)

Kur
vëren me shqetësim se liderit shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë nuk po e luajnë
dot rolin që kanë marrë përsipër, atëherë mendja të vete menjëherë të modelet e
mëparshme. Kishim apo nuk kishin ne të tillë? Dhe sa rrimë e kërkojmë në
histori arketipin ideal të Luigj Gurakuqit, po sjellim profilin më të spikatur
të liderit ndër shqiptarë në këto 35 vjet. Ibrahim Rugovën. Kemi qenë bashkohës
me të. E kemi parë se si veproi si “aktor” klasi në skenën e trazuar politike
të Kosovës. Si u soll me lirinë, luftën dhe paqen, si asnjë tjetër. Si priu
lëvizjen “Kosova Republikë” në 90-ën, që ishte preludi i ndryshimit epokal që
pritej të ndodhte. Si e udhëhoqi vendin me urtësi politike, kur u bë kryetar
shteti mbas Luftës. Intelektual me formim akademik si studiues letërsie, kritik
letrar dhe shkrimtar, i mbrujtur me parimet e demokracisë, politikan me vizion
perëndimor. I matur dhe i pagabueshëm në asgjë. E ktheu politikën e Kosovës në
institucion, kur ende ajo nuk ishte çliruar dhe nuk ishin krijuar institucionet
e saj kushtetuese. Ai pritej në kalncelaritë perëndimore euro-atlantike si
lider i vendit të tij, ende pa e fituar zyrtarisht një mandat të tillë.
Sot,
kur shkruajmë për Rugovën, nuk kemi për qëllim ta përvijojmë më tej profilin e
tij politik, pasi ai ishte bërë më së miri prej tij që kur ishte mes nesh, por
ngase na mungon vazhdimësia e tij politike, modeli i tij. Dhe ky është një
problem i madh kombëtar në ditët e sotme. Na ka ndodhur gjithnjë kështu në
historinë tonë. Pas Gjergj Kastriotit – Skënderbeut nuk pati më një të dytë si
ai. Ishte dhe epoka e errët otomane mbi Arbëri që e pengonte “të lindet
njeriu”, siç do të shkruante Migjeni, sundim që mbyste çdo nismë civilizuese
ndër shqiptarë. Do të vinte pas pesëqind vjetësh Ismail Qemali, ku më shumë
ishte koha / rrethanat historike sesa njeriu që rilindte. Kurse mbas njëqind
vjetësh, me Ibrahim Rugovën, ishte sa koha aq dhe njeriu progresist. E mira qe
se udhëheqësia e re e Kosovës demokratike nuk u ngjiz nga trashëgimia
komuniste, siç për fat të keq ndodhi në Shqipëri dhe nuk po e lëshon politikën
as sot e kësaj dite. Por a mund të integrohesh në BE me këtë trashëgimi të
zgjebosur “nëpër këmbë”? Protestat e fundit demokratike, rinore e intelektuale
të Tiranës na thonë se jo.
Por
si do t’i dëgjonte këto kambana Ibrahim Rugova? Si do të sillej ai me to? Me
arrogancën tipike të liderve të tjerë, pa dallim, apo siç dinte ai të sillej me
demokracinë. Ja, për këtë është i thirrur ai këtë moment.
“Njerëz si Ibrahim
Rugova lindin njëherë në njëqind vjet”
Kemi
dëgjuar plot vlerësime të larta për Rugovën, nga shqiptarë dhe liderë të botës.
Kemi lexuar shkrime kushtuar atij. Të gjithë e madhnojnë, se ai i madhnishëm
ishte. Por ndoshta vlerësimin më të lartë ia ka bërë krejt spontanisht një
bashkëfshatar i tij, në emisionin “Dritare” të gazetares Xhunga. Nuk u tha se
si e kishte emrin ai burri që foli për Rugovën, që e kishte pasur fqinj në
fshatin Cercë të Istogut, e që ishte pak vite më i ri në moshë se lideri
historik i Kosovës. Ai tha një fjali që e përsëriti: “Njerëz si Ibrahim Rugova
lindin njëhërë në njëqind vjet”. Ja, që një njeri i thjeshtë, i ndershëm, i
fisëm, që nuk ka qenë për vetë ndonjë “dikushi”, befas shqipton një frazë aspak
patetike, retorike e folklorike, por si burrat e motit, që u zë vend fjala me
ta shqiptuar. Nuk ishte ky qëllimi i emisionit, ai ishte ftuar aty për të folur
për veten, jetën në fshat, por e harrroi veten e foli për Rugovën. Kjo është
vetia më e lartë e shqiptarëve të racës, me fol për tjetrin e jo për veten!
Ndryshe nga sot, kur buçet e shqyhet rrjeti (social) për bëmat “heroike” të
vetvetes. Ndaj fjalët e përvuta të atij njeriu, “mik shtëpie” sipas zakonit me
Rugovën, kishin vlerë më shumë se çdo akademizëm.
Rugova,
ndërkohë, për fat të keq, është koha e ndalur e politikanëve modernë shqiptarë.
Nuk do ta donim kurrësesi një gjë të tillë, jo vetëm se nuk është më koha e
miteve e mitizimeve, e apostujve, por normalisht shoqëria demokratike nuk duhet
të vuajë për udhëheqës normalë. Ata të botës perëndimore ndërrohen lehtësisht,
pasi atje është i fortë institucioni dhe jo individi. Rugova ishte njëri nga
ata. Ai ndonëse vinte nëpër luftë, predikonte paqen dhe u bë mishërimi i saj.
Kurse pas tij, liderët politikë ishin tjetër gjë, nuk kishin frymën
demokratike, por unin dhe egon e mbijetesës politike me çdo kusht. Edhe në
Shqipëri veç më e theksuar ka qenë në këto tre-katër dekada dukuria e
protagonizmit të paprinciptë të liderëve politikë e shtetërorë, që për të mbijetuar
deri në thinjën e fundit çfarë nuk bëjnë, majtas e djathtas, konkurojnë me
veten në garat për kryetar partie apo kryeministër, vetë shkruajnë e vetë
vulosin cilindo emër për në parti a qeveri, apo për ta bërë kurban, kur nuk u
shkon sipas qejfit, nuk duan t’ia dinë për kurrëfarë forumesh politike të
zgjedhura, thërrasin në ndihmë fytyra të vërenjtura e të vrerosura të epokës së
lenizmit, mjaft që t’iu bëjë punë propaganda militante, rrëfejnë “histori” e
tregojnë batuda se si e “kapën” partinë për brirësh e u ngjitën në krye me hir
e me pahir.
Të
gjithë ata që ishin dhe janë në pushtet mendojnë se prapa u vete historia,
ndërsa deri më sot del se në të dy lidershipet shqiptare, i bekuar me historinë
ështe vetëm Rugova. Dallimi mes atij dhe të tjerëve është se këta të fundit nuk
kursejnë asgjë për të qenë përjetësisht vetë në pushtet si persona, si klane
apo dhe si familje. Vetëm sëmundja delirante e pushtetomanisë bën që
udhëheqësit e rinj të paformuar të Kosovës ta çojnë vendin tri herë radhazi në
zgjedhje, ngaqë nuk arrijnë të formojnë qeverinë apo të zgjedhin Presidentin e
republikës.
Rugova
i mblodhi shqiptarët e mërgatës dhe i solli në Kosovë, se kishin besim tek ai,
kurse liderët e sotëm po i “nxjerrin” jashtë, se nuk kanë besim tek ata.
“Presidentët dhe
Kryeministrat shqiptarë të betohen në Krujë”
Tre
vite më parë u ndodhëm në Krujë, teksa në Tiranë po mbahej Samiti i radhës i
Berlinit dhe për një çast përfytyruam se pritja e liderëve të Europës nuk do të
bëhej para godinës së Kryeministrisë, por bash në kalanë e Krujës, nga Kryezoti
i shqiptarëve, i njohur si shpëtimtar i Europës në shekullin XV. Mirëpo nëse
protokolli qeveritar e ka harruar Krujën dhe delegacionet e huaja nuk ngjitën
më deri këtu, turistët janë çdo çast të pranishëm, sa drejtori i Muzeut,
Hafizi, e ka të vështirë të shkëputet prej tyre. Ai kujton shumë biseda, por
pëlqen të riprodhojë për ne fjalët e Ibrahim Rugovës, kur vizitoi Muzeun në
vitin 1995: “Të gjithë presidentët dhe kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës
duhet të vijnë këtu në Krujë për t’u betuar, para se të marrin detyrën e lartë
shtetërore”. Ishte vizioni i tij për shtetin e ardhshëm të Kosovës, pasi ai
ishte i sigurtë për pavarësinë e saj. Por a e kanë bërë ata ndonjëherë këtë?
Asnjëherë, pasi nuk janë si Rugova.
Nuk
rreshtin botimet ku shfaqet figura e Rugovës, si kohët e fundit në romanin
“Iliriana” të autorit Reshat Sahitaj, krahas asaj të Adem Demaçit, Jusuf
Gërvallës, Fehmi Aganit etj.
Sa
herë shkojmë në Prishtinë, është e pamundur të mos ndalojmë pak çaste para
shtatores së tij. Është si të ndalojmë para vetë Historisë për ta nderuar e
medituar...




