Ndue Dedaj: Kafazi i presidentit si precedent

31m më parë

KAFAZI I PRESIDENTIT SI PRECEDENT

NGA NDUE DEDAJ

E pamë, para do kohësh, Presidentin e Republikës në kafazin e Gjykatës së Posaçme Tiranë. Dikush mund të thotë, ishte ish-Presidenti, bile njëri prej tyre. Kjo nuk ndryshon asgjë lidhur me atë çka duam të cekim në këto pak radhë. Presidenti mbetet gjithnjë ai që ka qenë, edhe kur t’ia ketë dorëzuar zyrën pasardhësit të tij, pasi janë dekretet në emër të republikës dhe Kushtetutës, protokollet, marrëveshjet, aktet, dekoratat etj. me firmën e tij, të cilat nuk kthehen në “ish”.

Presidenti është institucioni dhe jo personi. Në këtë kuptim, qasja jonë nuk ka lidhje domosdoshmërisht me individin, emrin konkret të presidentit në burg, por me dinjitetin e shtetit shqiptar kur vihet nën akuzë një president etj. Për qytetarët dinjiteti i shtetit nuk është kafazi, por që shteti të godasë krimin te cilido, qoftë ky dhe kreu i shtetit, ama jo duke ia vënë atij prangat si një halabaku për të “prodhuar” spektakël policor.

Dihet që para ligjit janë të gjithë të barabartë... përpos bosëve të krimit të organizuar, kudo që ata të ndodhën, si në majë të pushtetit, si në klanet e mafias në “zgafella”. Ata zakonisht nuk bien në pranga. Funksionarët e lartë  shtetërorë që sot gjendën në paraburgim nuk kanë shfaqur asnjë shenjë agresiviteti, le pastaj agresioni, përkundrazi janë treguar normalë, si gjithë të tjerët në qeli. Do ta tregojë gjyqi fajësinë ose mosfajësinë e tyre. Problemi është jo penalizimi i tyre, por kafazi i xhamtë, a thua se vetë burgu nuk është një kafaz!? Dikur dhe arushën e cirkut të Tiranës e nxirrnin nga kafazi i “artë” se nuk i sulmonte spektatorët. E dinte që ishte në lojë dhe jo në pyll. Shtetari në gjyq, edhe po u la jashtë kafazit, nuk do të flakë prangat aty para publikut dhe të sulmojë policët e shoqërimit, gjykatësit, prokurorët, sepse i di pasojat. Kafazi me siguri është bërë për raste ekstreme kriminelësh të rrezikshëm, ku mund të hamendësohet dhe sulmi mbi sallën e gjyqit për ta rrëmbyer njeriun e mbërthyer në kafaz. Por këtu tek ne nuk ka ndonjë juntë ushtarake që mund të bëjë grusht shteti. Jemi një vend demokratik në zhvillim e progres, anëtar i NATO-s etj.

Kanë reaguar për kafazin dhe të tjerë qytetarë, juristë, publicistë. Ne e dimë se nuk do ta ndalojmë këtë gjë në seancat e ardhshme gjyqësore, ku sërish Presidenti i paraburgosur do të shfaqet në kafaz, duke bërë ose jo më dorë shqiponjën. Precedenti i kafazit do të vazhdojë, për aq kohë sa shoqëria shqiptare nuk do të reagojë me qytetari, por si në “kafaz”, ndaj problematikave të mprehta të saj. Mund të mos jetë ky rasti për të folur gjerësisht për integritetin e atij (atyre) që ka qenë, është e do të jetë nesër në postin numër një të vendit, se përndryshe do të kishte me siguri propozime dhe anzaliza të vlefshme sociale, politike dhe juridike rreth funksionit të kreut të shtetit, ku jo pak do të kërkonin ndryshimin e Kushtetutës, që presidenti të zgjedhet nga populli dhe jo t’i lihet në dorë kryetarit të mazhorancës së radhës për ta caktuar si një “noter” të qeverisë, siç është thënë ndonjëherë. Një president i dalë nga populli, për mendimin tonë do të zinte vendin e tij të merituar në hierarkinë e lartë të shtetit dhe as nuk do të kërkonte ta forconte artificialisht rolin e tij mbi atë çka i jep Kushtetuta dhe as do t’i rrinte lepe-peqe partisë në pushtet.

Atëherë mbase do të ishte dhe më absurd se sot kafazi, jo se kreu i shtetit i zgjedhur drejtpërdrejt do të ishte një shenjtor...