Ndue Dedaj: Dy amerikanë në Hagë, përballë
DY AMERIKANË NË HAGË, PËRBALLË

Është
fjala për zotërinjtë Uesli Klark dhe Çarls Smith. Do të kalojë kohë e njëri,
gjenerali do të jetë në histori, kurse tjetri në pension, jo se një gjykatës
nuk mund të hyjë në histori. Klark do të përmendet si komandanti suprem
amerikan i NATO-s që udhëhoqi luftën për çlirimin e Kosovës nga genocidi serb,
Smith si gjykatësi që dha vendimin në shkallë të parë kundrejt katër drejtuesve
të UÇK-së, 27 vjet pas përfundimit të Luftës së Kosovës, që mund ta rrëzojnë
gjykatat më të larta. Kaq për të dytin, nuk mund të thuhet më shumë. A, po, që
vendimin e dha “në emër të popullit të Kosovës”, e cila të dënuarin kryesor të
procesit më 25 vjet heqje lirie e pati për kryeministër e president të vendit
edhe në çastin e arrestimit. Të tjerët, ekspertët e drejtësisë ndërkombëtare,
mund ta qortojnë procesin se paraburgimi i katërshes zgjati 6 vjet, sa askund
tjetër, se shkas u bë legjenda e “Shtëpisë së verdhë” për trafikim organesh në
një fshat të largët te Matit, që kurrë nuk u vërtetua se ka ekzistuar,
“misterin” e së e mori me vete një emër tashmë i harruar Dick Marty.
Mbas
datës 16 shtator, vendimi i Gjykatës Speciale për dënimin e Hashim Thaçit,
Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit nuk do të përbëjë më lajm, ai
nuk do t’i rëndojë Kosovës, por vetëm katër të dënuarve dhe familjeve të tyre.
Lajm do të kishte qenë nëse ata do të dilnin në liri dhe nuk do të
“barazoheshin” me gjeneralët serb të dënuar nga Haga si shfarosës të popullsisë
civile. Por ndërkohë që gjykata i shpalli fajtorë, Klark ka dëshmuar po në atë
gjykatë, faqe gjithë botës, pafajësinë e tyre, duke deklaruar se drejtuesit e
UÇK-së nuk kishin kryer krime lufte, se Thaçi kishte pozicion politik dhe jo
ushtarak etj. E thotë këtë ai që, si me thënë, ishte i zoti i punës, i cili në
asnjë rrethanë nuk do të bashkëpunonte me kriminelë luftë të asnjë kombësie.
Kësisoj, më parë se të udhëtonte drejt Kosovës gjykata për të zbuluar krime,
patën udhëtuar bashkëfitimtarët e Luftës së saj, Presidenti Klinton dhe
Sekretarja Ollbrajt, që jo më kot kanë dhe shtatoret në Prishtinë. Kjo është
historia dhe kështu do të jetë, pasi ajo nuk vendoset nga gjykata, ashtu si as
luftërat çlirimtare, as piedestalet. “Gjykata” që nënshkroi lirinë dhe
drejtësinë e Kosovës ishte familja martire Jashari në Prekaz dhe shumë masakra
të tjera që u kryen nga ushtria serbe duke nisur nga Reçaku. Asnjë gjykim
politik, juridik, penal etj. nuk mund të jetë i drejtë nëse del jashtë
kontekstit historik dhe nuk sheh dhe sot me sytë e at’hershëm dëbimin e
përdhunshëm biblik të popullsisë së Kosovës prej trojeve të veta nga regjimi
kriminal i Millosheviçit, që e ktheu rajonin ish - jugosllav të Ballkanit në
një varrezë masive në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XX.
Kjo
nuk është retorikë patriotike, por historia politike që çoi në krijimin e
shtetit të ri të Kosovës. Të rënët e saj u vranë në tokën e tyre dhe jo duke
luftuar kundër ndonjë populli tjetër. Kosova nuk ka qenë një xhungël, por një
tokë ballkanike nën monitorimin ndërkombëtar gjatë Luftës dhe pas saj. Europa
ka qenë e pranishme aty nga dita e parë e lirisë, me misionet UMNIK dhe EULEKS.
Rastet e shkëputura kriminale askush nuk thotë të mos zbulohen e dënohen me
prova, duke dhënë drejtësi për viktimat, pavarësisht statusit të personit të
përfshirë në krim. Mungesa e dhënies së drejtësisë për ta do të gjymtonte
Luftën. Për të mos thënë se ajo duhej të kishte ndodhur tashmë. Kurse dënimet
në grup, pa pasur grup kriminal, me të njëjtat formulime të përgjithshme të
aktakuzës të lënë shije të hidhur në një Europë demokratike.

Për
ta mbyllur, kthehemi te dy zotërinjtë e fillimit. Zoti Klark e di shumë mirë se
vendimet e gjykatave nuk kundërshtohen, megjithatë ai e quajti të padrejtë
vendimin e Gjykatës Speciale të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë,
duke thënë se udhëheqësit e UÇK-së nuk kishin kryer krime lufte. Vetë ajo
gjykatë e rrëzoi akuzën e parë dhe më të rëndën, për krime kundër njerëzimit.
Nesër mund të bjerë dhe akuza që u shqiptua, në emër të trupit gjykues, prej
zotit Smith më 16 shtator 2026, çka urojmë të ndodhë.


