Ndue Dedaj: 28 ditë protestë, pa parti dhe pa regji!...

28
ditë protestë qytetare në qendër të Tiranës, pa parti që ta organizojë e
koordinojë, duke mobilizuar njerëzit dhe autobusët nga jugu në veri dhe
aeroplanat nga aeroportet euro-atlantike, pa urdhëra nga liderët supremë dhe
sejmenët e tyre, pa skenar e regji, pa mbështetje oligarkësh e patronazhistësh.
Kjo se njerëzit e lirë kanë një vullnet dhe energji të pashoqe ndryshimi, të
vetmin ideal kanë Shqipërinë dhe nuk mund të durojnë që Atdheu të shndërrohet
në çiflik për një kastë. Ndaj dhe janë të vendosur e të pandalshëm në qëllimin
e tyre.
A
nuk mjafton kaq për ta kuptuar Protestën? Të tjerat janë kajde “folklorike”,
sipas orkestrës së qeverisë dhe dirigjentit të saj të konsumuar plotësisht, i
cili nuk e ka më në dorë situatën e brendshme, për shkak të “armiqve të
jashtëm”!? A thua këta të fundit, apo shpirti i paepur shqiptar ka arritur të
ngre në këmbë dyqind mijë njerëz, që protestojnë deri në mesnatë, se duan një
Shqipëri të re, ndryshe nga kjo që ndërtuam ne, të “tjetërsuar”, sipas modelit
më abuziv të mundshëm.
Nuk
është ndonjë gjë e re, që këso rastesh befas fjalori i politikës pasurohet me
fjalë të reja, ku të përdorura me vend si flamingo e ku pa vend si algoritëm
etj. Kështu ka ngjarë gjithmonë. A ju kujtohet kur emri Dushk u bë kryefjalë
politike dhe se me çfarë peshe parlamentare se? Bëjmë zakonin e vjetër sot e
gjithë ditën, me alibi ndaj protestuesve, thashetheme, përgojime, fyerje,
denigrime, linçime e gjer agjenturizëm, apo ankesa për ndërhyrje në “punët e
brendshme” të vëllezërve kosovarë (!), që jo vetëm shpirtërisht por dhe
realisht kanë shtëpinë e tyre këtu, me bizneset e shumta etj. I njëjti avaz që
nga 90-a me gjetë pretekst i militantëve që po humbasin terren. Jo gjithmonë do
të ishte koha e tyre. Ka ardhur me në fund koha e qytetarëve, që nuk kanë
komplekse ndaj askujt, për të mirën e vendit dhe jo të “ngastrave” partiake.
Si
të mos protestohet? Është ndaluar demokracia si një orë e mbetur, rotacioni
politik, konkurimi i ideve, alternativave dhe individëve. Kodi i ashtuquajtur
zgjedhor nuk zgjedh, por emëron deputetë. Jeta e vendit komandohet nga lart.
Kudo që ta prekësh, vjen erë korrupsion mundësisht me “ligj”. Shtetarë të
“krimbur” nga abuzimi me paratë e taksapaguesve shqiptarë, përfitime nga
tenderet e pafundëm miliardësh, favoret e krijuara oligarkisë me pronat
publike, nga pagat e deputetëve pesë herë më të larta se ato të mësuesve,
mjekëve e policëve, nga shpërblimet e majme të bordeve shtetërore, aq sa
nganjëherë peshon më shumë bishti se sqepari, që do të thotë se të ardhurat prej
tyre janë me të mëdha se vetë rrogat e ministrave, sekretarëve të përgjithshëm,
drejtorëve të agjensive qeveritare, këshilltarëve të panumërt në dikastere e
bashki, ku njëzet të tillë figuronin vetëm në borderonë e Bashkisë së Tiranës
etj.
Këto
janë ato “Zvërnecët” e padukshëm të “llokmeve” të pushtetit për të besuarit dhe
të përdorurit e vet. Sa herë është ngritur zëri qytetar për këto dhe askush nuk
ka dëgjuar. Atëherë mbetet protesta t’u japë zgjidhje çështjeve që lidhën me
kapjen e shtetit nga guri i themelit në majë të piramidës dhe e vërteta është
se ka filluar t’i zgjidhë.
Ja
që nuk ka vend për zemërim dhe anatemim të protestës, por më e pakta për ta
kuptuar e dëgjuar atë sot, përfshi dhe ambasadat e kancelaritë e vendeve mike!
Akti më i lartë i një qeverie është dorëheqja e saj, edhe pa ia kërkuar një gjë
të tillë, le pastaj kur ka afro një muaj që qytetarët ta kërkojnë largimin me
brohorimë.
Ngulmojmë,
mbështetja ka vlerë sot, se me siguri nesër do ketë jo pak njerëz që do ta
donin veten në “fotografinë” e saj...
E shtunë, 27 qershor
2026


