Murat Gecaj: Shtohet kujdesi për nxënësit me aftësi të kufizuara
SHTOHET KUJDESI PËR NXËNËSIT ME AFTËSI TË KUFIZUARA
(Konferencë shkencore në Tiranë, ku marrin pjesë përfaqësues nga disa shtete)
Nga Prof. as. Dr. Murat Gecaj
Publicist e studiues-Tiranë
Dje paradite, në sallën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit tonë, u çel Konferenca dyditore Shkencore e Tiflopedagogjisë (Probleme të arsimit për nxënësit që nuk shikojnë). Organizatorë janë Fondacioni “Vsio” i Holandës dhe Instituti i Nxënësve që nuk Shikojnë, në Tiranë. Merrnin pjesë nxënës e pedagogë të këtij Instituti, nga institucionet arsimore e kulturore, media e shkruar dhe ajo elektronike e tjerë. Gjithashtu, ishin të pranishëm përfaqësues të ministrive të Arsimit e Shkencës të Republikës së Shqipërisë e Kosovës, nga shoqatat e të verbërve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mali I Zi dhe Lugina e Preshëvës.
Fjalën e hapjes e mbajti drejtori i Institutit të Nxënësve që nuk Shikojnë, në Tiranë, MA Hajri Mandri. Pastaj përshëndeti përfaqësuesja e Fondacionit “Viso” të Hollandës, znj. Carina Poles. Ajo theksoi nevojën e kujdesit të veçantë të familjes, shkollës e mbarë shoqërisë për këtë kategori të nxënësve. Ndërsa kryetari i Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë, Dr. Sinan Tafaj u ndal në udhën e përshkuar, që nga themelimi I këtij Instituti në vendin tonë, më 1992, arritjet e deritanishme dhe çështjet që mbeten për t’u zgjidhur në të ardhmen. Dëshmi e punës së bërë dhe arritjeve nga ky Institut është se, pas mbarimit të arsimit përkatës, tani i ndjekin Universitetet 121 studentë, të cilat kanë dalë prej tij. Ndërsa që nga themelimi i kan marrë diplomat e shkollave të larta 236 nxënës, që nuk shikojnë. Me gjithë kujdesin në rritje ndaj tyre, përsëri dalin problem të mprehta, si për tekstet e bazën tjetër material specifike, punësimin dhe integrimin e plotë në shoqërinë shqiptare. Për këtë qëllim, tha Dr.Tafaj, po hartohet një projekt i veçantë, shoqëruar me strategjinë përkatëse, me synimin që nxënësit që nuk shikojnë të përfshihen në arsimin e zakonshëm 9-vjeçar. Lidhur ngusht me këtë gjë është dhe hartimi e botimi i teksteve të posaçme për këta nxënës.
Prof.Virgjil Nano, pedagog në Universitetin e Tiranës, në kumtesën e tij u ndal në punën e veçantë kualifikuese me personelin, që u shërben këtyre nxënësve, metodat e vëzhgimit dhe të trajtimit të tyre, në procesin e mësimit dhe të edukimit.. Po kështu, ai përmendi veçoritë e nxënësve që nuk shikojnë, të cilët janë të tillë që në lindje ose që e kanë humbur këtë aftësi më vonë.
Vëmendjen e të pranishmëve e tërhoqi dhe kumtesa e paraqitur nga Vedat Bajrami, drejtor i arsimit special në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Republikën e Kosovës. Ai përmendi politikat e gjithëpërfshirjes, që po synohen atje dhe vizionin për të ardhmen, bazuar në përvojën e deritanishme. Me inters të veçantë ishin dhe punimet e paraqitura nga specialistët tjerë të ardhur nga Kosova: Xhavit Kastrati (Pejë), MA Lulavere Behluli, Bujar Kadriu e Semiha Hamiti (Prishtinë).
Konferenca do t’i vazhdojë punimet edhe sot, datë 12 nëntor 2010. Ndër të tjera, do të bëhen vizita në mjediset e Institutit të Nxënësve që nuk Shikojnë të Tiranës. Aty do të mbahen kumtesa të tjera nga specialistë arsimit dhe pedagogjisë nga disa vende: Mehmet Kastrati (Kosovë), Zako Zalkovski (Maqedoni), Fadil Muqiq (Mali i Zi), Prof. Shaban Sinani, Prof. Hajri Shehu, Geraldina Minxha, Emin Gjapi, Naim Zoto, Bujar Muça, Entela Puja e Halil Rama (Tiranë) dhe Gëzim Rexha (Kosovë).
Temat e paraqitura në këtë Konferencë dhe veprimtaritë e zhvilluara, me këtë rast, dëshmojën kujdesin në rritje ndaj nxënësve që nuk shikojnë, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali I Zi dhe Lugina e Preshëvës. Me masat e parashikuara, bazuar dhe në mendimet e shfaqura aty, në të ardhmen synohet që kjo kategori e nxënësve të integrohet sa më normalisht në mjediset e vendeve, ku ata mësojnë sot dhe nesër do të punojnë e jetojnë.
![]() |
| Z.Vedat Bajrami, duke folur në Konferencë |
![]() |
| Pamje nga salla, ku u zhvillua Konferenca |
![]() |
| Prof. Virgjil Nano, duke lexuar kumtesën e tij. |
(Fotot: M.Gecaj)
Tiranë, më 11 nëntor 2010


















