Mark Tirta: Gjergj Fishta në optikën studimore të Gjon Markut

46m më parë


Gjergj Fishta në optikën studimore të Gjon Markut

Nga Prof. Dr. Mark Tirta, Akademik

Në vitin 2024, studiuesi dhe autori Gjon Marku sjell në vëmendjen e lexuesit librin e tij studimor "Gjergj Fishta – shkrimtari me vetëdije të lartë kombëtare", kushtuar njërit ndër figurat më të rëndësishme të urdhrit françeskan, një personaliteti që ka lënë gjurmë jo vetëm në jetën kulturore shqiptare, por edhe në rrafshe më të gjera të kulturës europiane. Veprat e tij përfaqësojnë një trashëgimi të rëndësishme letrare dhe shpirtërore, e cila shtrihet në dy periudha historike të dallueshme: para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Ky studim, i titulluar "Gjergj Fishta – shkrimtari me vetëdije të lartë kombëtare", paraqet një përpjekje serioze për t'iu afruar figurës dhe veprës së një prej personaliteteve më të mëdha të letërsisë shqiptare.

I vetëdijshëm për dimensionet e shumta të veprës së autorit të "Lahutës së Malcisë", autori tërhiqet dukshëm nga këto dimensione dhe arrin të artikulojë një lexim personal mbi mënyrën se si shfaqet arti fishtjan në tri rrafshet themelore të krijimtarisë së tij: në epikë, në lirikë dhe në dramatikë. Pikërisht ky këndvështrim personal përbën edhe një nga aspektet më interesante të studimit, pasi i jep lexuesit mundësinë të vëzhgojë mënyrën se si një lexues i kultivuar dhe studiues i spikatur e përjeton dhe e interpreton artin e një autori të madh siç është Gjergj Fishta. Në këtë mënyrë, studimi dëshmon edhe një herë se vepra e Fishtës vazhdon të mbetet e hapur për interpretime të reja dhe për qasje të ndryshme kritike.

Shtrirja tematike është e gjerë dhe përfshin një numër të konsiderueshëm burimesh bibliografike, çka dëshmon për përpjekjen e autorit për ta mbështetur argumentin në një bazë të gjerë studimore. Kjo tregon një njohje të mirë të vendit që zë Gjergj Fishta në traditën letrare shqiptare dhe të rolit që vazhdon të ketë vepra e tij në zhvillimin dhe pasurimin e gjuhës shqipe.

Ky studim, që në vetvete paraqet një këndvështrim të ri, është i ndarë në gjashtë kapituj, të konceptuar në funksion të trajtimit tematik të çështjeve kryesore që lidhen me veprën fishtjane.

Marrëdhënia midis traditës humaniste europiane dhe veprës së Fishtës, e evidentuar dhe përmendur me interes nga autori, ka ndriçuar qartë ndikimet dhe ndërthurjet kulturore që kanë formësuar horizontin intelektual të poetit.

Gjon Marku e njeh mirë trashëgiminë kulturore dhe rolin e shqiptarëve të spikatur qysh herët dhe e gjen me vend që të ndalet dhe të trajtojë "Traditën humaniste shqiptare në Rilindjen Europiane". Në këtë pjesë ai përfshin një trajtesë relativisht të gjerë, duke u mbështetur në një literaturë të gjerë, çka e bën këtë studim serioz dhe i jep atij vlera të larta e të spikatura si studim. Kjo pjesë, pa frikë mund të thuhet se shkurton një farë largësie dhe krijon një lidhje me letërsinë e trashëguar ndër breza, apo me burimet letrare që vijnë prej shekujsh dhe që autori i njeh dhe i pasqyron me saktësi.

Edhe pse, në fakt, lidhja midis humanizmit europian dhe krijimtarisë së Fishtës mbetet më tepër e tërthortë, gjithsesi Gjon Marku e përfshin këtë trajtesë në studim për të sjellë bazën dhe trashëgiminë letrare që sjellin paraardhësit e Fishtës, mbi të cilën ai mbështetet fort, e njeh dhe në njëfarë mënyre edhe e tejkalon atë. Ky studim, që vjen i përqendruar dhe me një literaturë të pasur, sjell natyrshëm lidhjen e Fishtës me trashëgiminë e mëparshme letrare, sado e pakët që mund të ketë qenë ajo në periudha të caktuara historike, kur një pjesë e madhe e saj ishte zhdukur apo ishte dëmtuar nga kushtet dhe rrethanat e kohës, nga pushtimet dhe barbaria e tyre.

Më tej autori Gjon Marku vjen në një përcaktim dhe e cilëson Fishtën si një erudit të papërsëritshëm. Në kapitullin "Gjergj Fishta – ky erudit i papërsëritshëm", autori ndalet më konkretisht në veprimtarinë intelektuale dhe kulturore të poetit. Përmenden momente të rëndësishme historike dhe kulturore, si pjesëmarrja e Fishtës në Kongresin e Manastirit dhe në Komisinë Letrare të Shkodrës, si dhe veprimtaria e tij publicistike, përfshirë themelimin e revistës "Hylli i Dritës", të cilën ai e drejtoi që nga themelimi i saj e deri sa ndërroi jetë në vitin 1940. Në këtë kapitull vërehet një përpjekje për të ndërtuar një panoramë më të gjerë të veprës dhe ndikimit të Fishtës, duke përfshirë edhe vlerësimet e studiuesve të njohur si Injac Zamputi, Ali Xhiku, Eqrem Çabej dhe të tjerë.

Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe poemës monumentale "Lahuta e Malcisë", e cila trajtohet si një epope e mirëfilltë kombëtare. Gjon Marku ndalet në dimensionin epik të saj, në raportin me traditën folklorike dhe në mënyrën se si në këtë vepër ndërthuren historia, miti dhe përvoja kolektive e shqiptarëve. Përfshirja e referencave nga autorë dhe studiues të ndryshëm, si Ernest Koliqi, Rrok Zojzi, Sabri Hamiti apo Ismet Elezi, dëshmon për përpjekjen e autorit për ta vendosur interpretimin e vet brenda një tradite më të gjerë studimore.

Një vend të rëndësishëm dhe me një këndvështrim mjaft interesant në këtë studim të Gjon Markut zë kapitulli "Satira e Fishtës", ku trajtohet një nga dimensionet më të veçanta të krijimtarisë së poetit. Është e njohur se Fishta nuk është vetëm një poet epik i madh, por edhe një satirist i mprehtë, i cili përmes ironisë dhe humorit ka goditur shumë dukuri të jetës shoqërore shqiptare të kohës së tij. Përmbledhja "Anzat e Parnasit" paraqitet si një pikë kulmore e kësaj prirjeje satirike, ku trajtohen tema që lidhen me jetën qytetare, me arsimin, me botimin e librave, me qëndrimet ndaj kulturës dhe me marrëdhëniet e shqiptarëve me të huajt.

Gjon Marku vëren me të drejtë se shumë prej vargjeve satirike të Fishtës kanë hyrë në përdorimin e përditshëm të njerëzve dhe janë përcjellë gojarisht si sentenca apo shprehje të urta, duke u shoqëruar shpesh me formulën popullore: "Ka thanë Fishta." Ky fakt dëshmon për ndikimin e thellë që ka pasur poeti në kulturën popullore dhe në vetëdijen kolektive të shqiptarëve.

Në një kapitull tjetër autori ndalet te dimensioni ideor i krijimtarisë fishtjane, duke e trajtuar Fishtën si "shkrimtar me vetëdije të lartë kombëtare", koncept që përbën edhe boshtin interpretues të gjithë studimit. Në këtë kontekst analizohet edhe drama "Juda Makabe", ku përmes një tematike biblike artikulohet një reflektim i fuqishëm mbi fatin e atdheut, tradhtinë dhe qëndresën.

Studimi mbështetet në një bibliografi të gjerë, e cila në fund arrin në rreth 127 zëra studimorë. Ky fakt tregon për një përpjekje serioze të autorit për ta vendosur interpretimin e vet në dialog me një traditë të gjatë studimesh mbi Fishtën, ku përfshihen emra si Arshi Pipa, Zef Pllumi, Desnickaja dhe studiues të tjerë të rëndësishëm.

Me një gjuhë të zgjedhur, të kujdesshme dhe të matur, me një arsyetim të ftohtë e logjik, Gjon Marku ballafaqon fakte dhe dokumente dhe nxjerr konkluzionet dhe vlerësimet e tij të vlefshme. Mbi të gjitha, ai e paraqet këtë studim duke e mbajtur atë unik nga fillimi deri në fund.

Në përfundim të këtij leximi kritik mund të thuhet se vlera kryesore e librit të Gjon Markut qëndron në guximin intelektual për t'iu afruar një figure kaq të madhe të letërsisë shqiptare. Ai arrin të ndërtojë një dialog serioz me veprën e Fishtës, duke ofruar reflektime dhe vlerësime që shpesh rezultojnë të frytshme, veçanërisht në trajtimin e dimensionit satirik të krijimtarisë së poetit.

Në këtë kuptim, studimi i Gjon Markut mund të shihet si një punë serioze dhe e sinqertë për të rikonfirmuar aktualitetin e veprës fishtjane dhe për të treguar se arti i Fishtës vazhdon të mbetet një burim i pashtershëm interpretimesh. Siç është shprehur edhe vetë autori në fund të studimit: Fishta këndohej, sepse në këngët e tij ishte shqiptari – në doke, në kanun, në mitologji, në folklor, në aspirata, në jetë, në luftë dhe në ngadhënjime. Dhe ndoshta, pavarësisht gjithçkaje që është shkruar deri më sot për të, ende mund të thuhet se për Fishtën është thënë më pak sesa meriton.

Në përfundim, libri i studiuesit Gjon Marku përbën një përpjekje serioze për t'iu afruar një prej figurave më të mëdha të kulturës shqiptare. Duke ndërthurur analizën letrare me referenca historike dhe kulturore, autori arrin të ndërtojë një dialog të qëndrueshëm me veprën e Gjergj Fishta, duke e vendosur atë në një perspektivë më të gjerë studimore. Ky studim dëshmon se krijimtaria fishtjane mbetet një fushë e hapur për interpretime dhe rilexime të reja, ndërsa vetë figura e poetit vazhdon të mbetet një nga shtyllat themelore të identitetit letrar dhe kulturor shqiptar. Në këtë kuptim, vepra e Gjon Markut jo vetëm që kontribuon në pasurimin e studimeve mbi Fishtën, por edhe rikujton rëndësinë që ka rikthimi i vazhdueshëm kritik ndaj klasikëve të letërsisë sonë.