Llesh Ndoj: Reforma…! Një vështrim në gjerësi dhe thellësi
REFORMA…! NJË VËSHTRIM NË GJERËSI DHE THELLËSI
-
Disa mendime rreth nevojës për një reformë thelbësore, jo formale -

Periudhat parazgjedhore është bërë e
zakonshme të dominohen nga fjala “reformë”. Gjithnjë shpiken metoda, sektorë e
fusha ku kjo fjalë shihet si shpresa ose ilaçi për transformimin e opinioneve
të votuesve, por edhe si justifikimi pse arritjet nuk janë ato që priteshin.
Është kjo një shpikje allashqiptarçe për të mos dhënë kurrë llogari për
realizimin e objektivave politike të paraqitura si “kalë beteje” në zgjedhjet
pararendëse dhe si ura njëkalimshme drejt vijimit të pushtetit edhe për një
mandat. Ndërsa në vitet e para të pluralizmit politik, një fjalë e tillë kishte
fuqinë e vërtetë të shndërrimeve në opinionet e votuesve, tashmë 35 vite më
pas, ajo është kuptuar si demagogjia e radhës e cila përdoret sa “për të kaluar
lumin”. Dhe dihet ç’ndodh në qëllime të tilla okulte: “Kalova lumin, të… bëfsha
kalin!”, - thotë një shprehje e vjetër popullore. Sapo vihet apo rikonfirmohet
në pushtet, “kali i betejës” harrohet dhe gjithë vëmendjen e merr pasurimi i
vetes dhe i familjes, rregullimi i balancave brenda vetes e blerja e kundërshtarit,
duke pritur fundin e mandatit për të shpikur reforma të reja. 35 vite udhëtim
në një shoqëri formalisht të lirë dhe qëllimisht “drejt Europës”, duhet të na
kishin pozicionuar sot në një stacion, ku fjala reformë thuajse nuk do të
përdorej, ose do të kishte një peshë të moderuar. Por s’ndodh kështu! Ajo
vazhdon të artikulohet me të njëjtën peshë si në artikulimet e viteve të para
të pluripartitizmit.
Po a kemi ne nevojë reale për një reformë?
Mendoj se po. Dhe jo vetëm reforma nga
lart, apo reforma në letër, por edhe një reformë psikologjike të dyanshme. Populli,
apo trupa elektorale, ka nevojë të konceptojë realisht sistemin në të cilin
kemi zgjedhur të jetojmë, duke e ulur gjithnjë e më shumë rrethin e kërkesave e
të pritshmërive nga shteti, sipas parimit kristian “Jepi Cezarit, atë që i
takon Cezarit!”, ose “Luaj këmbë e dorë se të ndihmon Shenjti i Shënkollë”, ndërsa
shteti që ta çmontojë përfundimisht nga mendësitë qeverisëse se mund të sillet
si pronar i nevojave të njerëzve, duke u larguar gjithnje e më shumë nga
sjelljet “si perëndi” e afruar me konceptin e shërbimit, apo administrimit të
nevojave e halleve të të qeverisurve prej tij.
Ngjet kjo zgjidhje me një ekuacion ku
njëra palë, trupa elektorale, nuk lëshon në minimumin e vet, por punon e
shpreson për më shumë, ndërsa klasa qeverisëse përcakton limitet e saj në
sjelljet prej pronari, dhe zgjidhja të çon natyrshëm në një zonë optimale, apo
zona “gri” ku këto kërkesa përputhen mes tyre, e nga mandati në mandat, synohet
të kemi një optimum zgjidhjesh sa më afër interesave të zgjedhësve, të
pranueshme e të realizueshme nga klasa qeverisëse. Duke ecur në këtë rrugë, edhe
fjala reformë merr peshën reale që i takon, por edhe zhgënjimi nga mosarritjet,
ka peshën e pranueshmërisë e të mundësisë për tejkalim. Si duken gjërat,
qartësisht nuk jemi këtu. Pra nuk kemi përcaktuar akoma fushën ku duhen kërkuar
zgjidhjet optimale. Është vërtetë e trishtueshme, por këtu jemi, mbase edhe më
herët se formalisht të jemi në një “treg” ku interesat dypalëshe të çojnë në
një kontratë sociale, ku ne zgjedhësit, trupa elektorale, i tjetërsojmë disa të
drejta dhe i delegojmë ato drejt klasës qeverisëse.
Ja disa fusha që kanë nevoja uluritëse për reformë reale:
- Ende ne si shoqëri (klasa qeverisëse
edhe më shumë) nuk jemi qartësisht të përcaktuar për llojin e ekonomisë, që
duhet të ndjekim: ekonomi tregu qartësisht liberale, apo ekonomi tregu të orientuar.
- Ende shteti nuk është pozicionuar në
raportin me ekonominë e vendit e rolin që duhet të luaj, duke hequr dorë edhe
ndaj atyre qe përbëjnë sektorë ekzistencialë, si energjia, buka, siguria etj,
- Ne nuk i njohim të drejtat tona dhe
nuk luftojmë për ti fituar ato;
- Shteti dhe elita në pushtet nuk i
njeh limitet e veta dhe nuk ndalet para asgjëje,
- Dhe si për të konkluduar, në këtë
piramidë prej pisllëku, asnjëra palë, as ne e as qeveritarët tanë, nuk i njohim
raportet tona ndaj atdheut, historisë e ardhm?risë së tij, e sillemi si të
përkohëshëm.
Mund të rrjeshtoja edhe plot të tjera
si më lart, dëshmi e pozicionimeve të gabuara tashmë historike, të cilat kanë
sjell këtë agoni ku gjendemi: vendi shpopullohet dita - ditës, e qeverisja
(vendore e qendrore) zgjerohet e majmet; të drejtat e njeriut janë akoma as në
letër të shkruara si duhet e represioni shtetëror në zgjerim të pandalshëm, jemi
vendi ku drejtësia është luks që nuk mund të preket dhe ku ajo pritet vetëm nga
Zoti.
Ja, kjo është fusha ku kërkohet reformë
reale e qasje reformatore nga të gjithë aktorët, duke vënë në balancë përballë
tyre vetëm atdheun dhe interesat e tij. Kjo reformë ka nevojë të shtrihet në
gjerësi e në thellësi. Pushteti do të duhet të rrudhet në numër e në të drejtat
që i jep vetes, duke marrë vetëm rolin që i takon, larg konceptit të pronarit e
sa më afër konceptit të shërbëtorit. Numri i atyre që paguhen si shtetar të çdo
niveli duhet përcaktuar me limit ligjor e duhet të jetë krejt më pak se sa
është sot. Popullsia po “firon” çdo ditë, rrethi i problemeve që mund të zgjidhë
shteti është kufizuar e ngushtuar shumë, teknologjia ka përparuar, falë
zhvillimeve botërore që kapërcejnë epokat, dhe e vetmja gjë sufiçitare mbetet
administrata, gjë që thjesht nuk shkon në të njëjtën kahje me zhvillimit bashkëkohore
e në thelb, dëmton interesat e të sotmes e të nesërmes. Në këto kushte, kryeministri,
ministrat, kryetarët e njësive vendore e këshillat përkatës, kuvendi e gjithë
ata që paguhen për ta ndryshuar gjendjen drejt përmirësimeve të vazhdueshme,
nuk mund të lejohen të eksperimentojnë sipas qejfit.
Si çdo gjë që synon të bëhet efektive,
kjo reformë prej tyre duhet të nis nga vetja: 140 deputetë për më pak se 2
milion njerëz! Paradoksale kjo! Pa hyrë në cilësitë e tyre e në privilegjet e
përjetshme që i kanë rezervuar vetes, analiza të thjeshta të orientojnë drejt
udhës që paradoksin tonë e kthejnë në një alarm mbi shfaqjen e piramidave të
rej shqiptare, tashmë jo vetëm me bekim shtetëror, por si krijesa të
drejtpërdrejta të tij. Është një sëmundje që nuk kurohet me ilaçe, por vetëm me
guxim duke e “operuar” për ta larguar nga trupi ynë sa s’është tepër vonë.
Pikërisht kjo meriton të thirret me emrin reformë!. E këtë guxim drejt saj mund
t’a kenë vetëm njerëz që u dhimbset atdheu. Rrudhja në numër do të shoqërohet
me “mendje të hapura”, duke i shpenzuar paratë aty ku duhet e ashtu si duhet,
jo për të ndërtuar shkolla pa nxënës e pa mësues, spitale e qendra shëndetësore
pa personel mjekësor, vende pune pa punë…, ngritur mbi kriterin e vetëm, jo
efektshmërinë e investimit, por normën e lartë të korrupsionit qeveritar,
tashmë gjenerik e sistematik. Populli e ka tipizuar këtë situatë si “kur bëhen
dy reja në shtëpi, buliera mbetet pa u mbushur!”.
Le të kthehemi te reforma vendore, apo
teritoriale, e vendosur aktualisht në rend të ditës nga parlamenti që ka hall të
madh karriget, jo vendin e interesat e tij, por na ka hedh tymçen e radhës. Për
të dhënë ndonjë mendim rreth saj, duhet të njohim gjendjen e të pranojmë
faktin, nëse reforma që solli këtë gjendje ku ndodhemi, a ishte një sukses apo dështimi
i radhës? Personalisht e shoh si dështim, fryrje burokratike, mosadministrim
teritori, mosadministrim financash, kaos kompetencash. Shih vetëm administratën
shtetërore dhe vendore. Gati e dyfishuar, krahasuar me gjendjen e mëparshme, ku
ishte copëtuar vendi në “kopshte” elektorale. Po! Duhet ndryshuar kjo gjendje e
ky ndryshim duhet bërë në gjerësi dhe në thellësi.
Në gjerësi numri i bashkive duhet të
shkojë drejt numrit të rretheve të vitit 2000, por kjo jo doemos me të njëjtët
kufinj. Ka kudo vende ku mund të ndërhyhet e zona të tëra që mund t’i
bashkangjiten qendrave urbane më të afërta, jo vetëm fizikisht. Bashki të
ngritura pa asnjë kriter, sidomos në Jug, por edhe disa në Veri, duhen
bashkangjitur bashkive qendër, I bindur se aty do të kenë më shumë frymëmarrje
e vëmendje. Thënë këtë, p.sh., nuk mendoj se Mirdita duhet kthyer në kufijtë
etnikë, por asnjë logjikë nuk e pengon që zona si Ulëza, apo Gjegjani t’i
bashkohen asaj, në të mirë të tyre. Mund të sjellësh sa të duash arësyetime
edhe për bashki të tjera, por kjo kërkon domosdoshmërisht dy palë, një palë që
flet e kërkon (populli), e një që dëgjon e zbaton (qeveria). Por kjo e s’është
as më pak e as më shumë se përmbysje e raporteve aktuale mes trupës elektorale,
e klasës qeverisëse. Natyrshëm vjen pyetja:
- Kujt t’ia thuash?
Krahas numrit të bashkive, edhe numri i
njësive administrative duhet reduktuar dukshëm, sa për efekt të rënies së
popullsisë, po aq edhe të shërbimeve që ato duhet të afrojnë ligjërisht. Nuk di
se ku është gjendja e deri ku shkojnë mendimet e atyre që janë kompetentë për
të vepruar, por qarqet dhe prefekturat vazhdojnë të mbeten atavizma apo
zgjatime nga poshtë e nga lart, pa funksione të dobishme, përveçse ishuj
rehatie ku konsumohen paratë e popullit taksapagues. Ka kaq shumë ministri,
drejtori të përgjithshme e drejtori rajonale (pa rajone!), që vërtetë i bën ato
institucione parazitare, deri edhe të urryeshme nga opinioni i votuesve. Lëre
po të hysh pastaj në analizën se sa këta njerëz e përfaqësojnë elektoratin e
interesat e tyre, ku llagami do të ishte i pakapërcyeshëm.
Edhe në nivel vendorë reforma duhet të
prekë thellësitë. Thellësi kompetencash e thellësi administrimi të burimeve
financiare vendore. Fjala vjen, jo vetëm bashkitë qendrore (këshill e kryetar)
por edhe ato të nj?sive administrative duhen zgjedhur me votim të përgjithshëm
e të drejtpërdrejtë, me qëllim që ato të jenë të përputhshëm me vullnetin e
votuesve e t’i ushtrojnë kompetencat e tyre ligjore në raporte të
mirëpërcaktuara mes tyre, jo sipas ngjyrave partiake apo orekseve të
kryetarëve. Është plotësisht e mundur kjo. Jo për t’a kopjuar natyrisht, por
organizimet e para nëntëdhjetës, këshillë rrethi - këshilla të bashkuar - këshilla
fshati, të rikonceptuar në teritor e kompetenca e të zgjedhur me zgjedhje
vërtetë të lira e të ndershme, duhen marrë seriozisht në konsideratë, pa asnjë
paragjykim.
Nga ana tjetër, njësitë vendore
natyrshëm do të duhet të kenë akses mbi pasuritë zonale, me një harmonizim
ligjor të kompetencave midis përfitimeve rajonale dhe interesave kombëtare,
duke zhdukur disbalanca të tilla si fjala vjen, Bulqiza, Mirdita e Puka që i
japin ekonomisë kombëtare pasuri minerare e pyjore të pafundme, vetë jetojnë në
varfëri ekstreme, se shteti, në përputhje me interesa okulte jokombëtare heq, vë
dhe administron vetë taksën minerare apo ato që kanë të bëjnë me pyjet e me
shfrytëzimin e tyre. Kështu edhe për zonat naftëmbajtëse etj. Prodhohet aq
shumë e me sakrifica mbinjerëzore në këto zona dhe investimet bëhen në bregdet,
ndërsa atje as edhe një metër asfalt apo një shtyllë e transmetimit të
energjisë elektrike nuk realizohen.
Gjithçka fillon nga ndryshimi i të
konceptuarit të raporteve votues - administrues dhe i të dyjave këtyre me
atdheun, këtë pasuri të papërsëritshme e amanet të brezave, që po e shpërdorojmë
pa mëshirë. Prej këtij pozicioni të mirë konceptuar, çdo ndryshim është i
mundur dhe bëhet me kosto minimale, duke sjell efekte pozitive, maksimale dhe
të shpejta.
A ka shenja që kjo do të ndodhë?
Shpresa vdes e fundit… por më duket se edhe kësaj radhe jo!
Lezhë, më 5 maj 2026



