Llesh Ndoj: Kur t’na duhet të ballafaqohemi me veten…
KUR T’NA DUHET TË BALLAFAQOHEMI ME VETEN…
-
Paralele kohësh që ulurasin: - Vigjilencë! -

Ndonëse
për nga përmasat dhe nga forma, protesta aktuale antiqeveritare është e pashoqe
në historinë tonë relativisht të re, kthesat historike që kanë marrë zhvillimet
në këtë vend, gjithnjë me përkrahje masive popullore, nuk janë të parat.
Ndoshta nuk ia vlen të futem në historinë e largët, edhe sepse brezi i sotëm i
protestuesve përgjithësisht nuk lexon histori, përveç rrjeteve sociale dhe
sejcili prej tyre do të më thoshte se kohërat kanë ndryshuar, dhe se analiza
ime bazohet në premisa të gabuara, por po ndalem në ngjarjet e më pak se një
shekulli, ngjarje që kanë akoma dëshmitarë të gjallë gjyshërit e këtyre që
protestojnë sot, jo për të ulur protestat, as për t’i nënvleftësuar ato, por
për të potencuar nevojën e padiskutueshme për vigjilencë e pjekuri, nevojën për
qartësi politike e garanci institucionale se cilat do të jenë shinat e sigurisë
për të ardhmen, në mënyrë që ngjarjet të mos përsëritin vetveten si në një “de
ja vu”, qoftë edhe thjesht për të ekonomizuar kohën e vlefshme, e për të mos u
gjendur si gjithnjë në kundrakohë.
Protesta
aktuale, krejt e pashembullt në formë e kohëzgjatje, tashmë po bëhet e pa shoqe
edhe në përmbajtje. Pjesmarrja mikse qytetare, kryesisht me shqiptarë të
Shqipërisë, por edhe me shqipfolës emigrantë e jo shtetas shqiptarë, po
shoqërohet edhe me një paqartësi infantile të kërkesave të artikuluara, dhe mbi
të gjitha të rrugëve se si ato do të mund të shndërrohen nga ëndërrime rinore,
në një realitet të prekshëm. Protestat nisën me parulla të pastra mjedisore,
“Jo investimit në Zvërnec se dëmton mjedisin e pasur natyror”, morën si simbol
flamingot apo pelikanin kaçurrel, u pasuruan me thirrje mbi të drejtat e pronës
(gjë që është një mishmash dokumentar e korruptiv në të gjithë Shqipërinë, me
burime jo vetëm qeveritare e as vetëm aktuale), tashmë kanë mberritur në
parullën e pastër politike “Dorëheqje Edi Rama!”, ndërkohë që gjithçka tjetër
mes këtyre dy artikulimeve të pastra, ashtu si edhe rruga për realizimin e
tyre, veç shembullit të pashoq për veprime paqësore, mbeten një amalgamë e
vërtetë. E në një amalgamë, as pika e ngrirjes, as ajo e shkrirjes, nuk mund të
përcaktohen lehtë, as proporcionet e ingridentëve nuk mund të gjenden saktësisht
të tillë që produkti i tyre të ketë qëndrueshmëri. Pra, nuk është qartësuar ku
duam të shkojmë, si duam të shkojmë e kush duhet t’a drejtoje “trenin - shtet”
në rolin e makinistit, elementë këto që janë jo garnitura, por thelbi i
problemit.
Protestuesit
janë përpjekur deri më sot të mbajnë distancë nga politika, duke harruar si
padashje se historia nuk njeh mjet tjetër veç saj për realizimin e shndërrimeve
të kërkuara, është përpjekur të jetë e distancuar nga të gjitha palët politike
ekzistuese, ndërkohë që nuk po “pjell” një palë të re. ?shtë kundra të gjithëve, por ka në përbërjen e saj disa
parti të vogla neomarksiste e neopopuliste, ashtu siç nuk është distancuar
qartazi nga të tredhurit e Ramës e të Berishës, që pasi i kanë vjel pa asnjë
psherëtimë të mirat korruptive e pushtetore në kurriz të popullit që vuan, nga
qeverisjet e këtyre të dyve duan, në mos rrëmbimin e protestës, të paktën të
garantojnë nga një karrige prej saj.
Unë…,
qofsha i vetmi, akoma nuk kam dëgjuar asnjë fjalë të artikuluar nga
protogonistët e protestës, se kush do të jetë raporti ynë i ardhshëm me
Europën? A jemi të përcaktuar edhe në vijim për bashkim me familjen e madhe
Europiane apo jo? E duam Shqipërinë si gjithë Europa, është ndër të paktat
parulla që s’është shfaqur kurrë në këtë protestë ku secili folës shpik një
parullë të re, ose unë nuk shoh qartë!
Pak
më tej….
Alencat
e kombit tonë me kombe të tjera janë luhatur gjithnjë në vartësi të erërave
politike, që kanë fry këndej e andej kufive të shqiptarëve, por në thelb
afirimi i mirënjohjes sonë ndaj kombit amerikan, ka qenë vijues dhe ka mbetur
gjithnjë e njëjta në popull. Madje kjo edhe në errësirën qorre komuniste, nuk
ndryshoi sa i takon ndjeshmërive popullore. “Zëri i Amerikës” edhe atëherë
mbeti zëri i shpresës për liri. Qeveritë e Enverit, Saliut e … , Zot mos, edhe
kjo e Ramés (!), që luajtën nga ky aks, u shkundën si mani për shkak të
ekscentrizmit të manifestuar. Askund, nga askush e asnjëherë të vetme, veç
ndonjë flamuri rastësorë, nuk e pash të artikulohet kjo gjë në protestën
aktuale, pa hamendësuar se sfondi i nisur i saj ka elemente anti.
Le
të ecim edhe pak më tutje: “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhëtarëve”, burg
këtij e atij, toka t’u kthehet të zotëve etj., janë parullat tipike që vijojnë,
por askund nuk gjen një shprehje, se ç’shtet duam të ndërtojmë pas kësaj stuhie
- proteste? Duam shtet komunist që i bën të gjitha vetë, shtetëzon pronat e i
rishpërndanë ato sipas meritave “në revolucion”, duam shtet demokratik, ku
pushtetet ndahen e burgun e shqipton vetëm gjykata, apo shtet ku burgun e
përcakton partia dhe e ekzekuton turma, duam shtet ku të drejtat e njeriut
prevalojnë, e vdekja është shpallur herezi përballë të drejtës natyrore për
jetën, apo shtet ku katundçe mund të digjesh edhe në turrën e druve, ku po
ashtu mund të të digjet shtëpia e të priten pemët, mund të dëbohesh nga fshati,
të leçitesh, etj. Duam shtet ku dënimi, si atribut i gjykatës, nuk i
nënshtrohet gjykimeve popullore, apo shtet ku në emër të lirisë, “gjykojmë”,
nëpërkëmbim e poshtërojmë, përmes fuqisë së mediave, këdo e sido, mjaft t’a
kënaqim oreksin popullorë.
Këtu
lindin së paku dy probleme:
-
Së pari, a e duam shtetin demokratik, apo jo?
-
Së dyti, a e dallojmë dot kufirin mes diktaturës dhe demokracisë përfaqësuese?
Unë
jam me protestën, si zgjim i vetëdijes popullore, se qeveritarët s’mund të jenë
tjetër, veçse shërbëtorë të të qeverisurve. Unë e dua protestën si mësim se një
qeveritar, i çdo rangu qoftë edhe me 100% të votave të ketë ardhur në pushtet,
s’mund të jetë i pakufizuar në pushtetin e tij, e i duhet periodikisht dhe në
mënyrë të pa vesuar t’a verifikojë mbështetjen ndaj vetes, duke pyetur
drejtpërdrejt sovranin. Afatet 4 - vjeçare janë limite për të mos u kaluar, jo
kufinj para të cilëve populli duhet të heshtë. Por thënë e pohuar hapur sa më
lart, unë kam frikë nga turmat, nga thirrjet, nga duartrokitjet frenetike, jo
nga ç’mund të bëjnë ato në kohë reale, por nga produkti që sjellin e nga
pasojat që përgjithësisht ato janë të prirura të pjellin.
E
mbajmë mend shumica jonë, ata që jemi mbi pesëdhjetë, kur turma e protestuesve
e inspiruar nga Partia Demokratike e sapolindur, u drejtua nga ish - blloku, e
po të mos ishte intelektuali i përgjegjshëm Neritan Ceka që e devijoi turmën me
një megafon, lufta mes veti pa të fituar, mund të ishte parashikimi më i afërt.
Se turmat pjellin e ushqejne diktatura, pavarësisht qëllimeve apo maskave që
përdorin. Këtu s’mund të mos sjell si kujtesë disa paralele, si e potencova
edhe në fillim të këtij shkrimi. Jo për ndonjë gjë, por gjithnjë popujve do t’u
duhet të ballafaqohen me vetveten, ashtu si qeveritarëve do t’u duhet të ballafaqohen
me popullin, e koha e re digjitale këto ballafaqime i bën më të shpeshta,
lehtësisht të mundshme e humnerat mes asaj çfarë deshëm e çfarë realizuam
gjithnjë e më të dallueshme, prandaj duhet të kujdesemi që së paku, të mos na
vije turp nga vetja në këto ballafaqime.
Komunistët
erdhën në pushtet në vitin 1945 pas një mbështetje mbarëpopullore që morën,
nisur kryesisht nga qëndrimi ndaj pushtuesve, por edhe nga premtimet e bujshme
për liri e barazi shoqërore, për emancipim shoqërorë e progres ekonomik, për
pjesmarrje të popullit në qeverisje, për arsim e shëndetësi falas etj. Ata u
duartrokitën kur ua morën tokat ish - pronarëve e ua dhanë masave, sipas
parimit “toka i takon atij që e punon”, u duartokitën kur ua mori pësëri, akoma
pa i shijuar, poseduesve e ia kaloi shtetit, duke i xhveshur njerëzit edhe nga
pronësia ndaj banesës personale e familjare, u duartrokitën edhe kur shpallën
fenë opium për popullin e ata, të indoktrinuar, shembën kisha e xhami, u
duartrokitën edhe kur familjen e shpërbënë dhe e kthyen vegël të partisë.
Ç’ndodhi me tej? Dihet botërisht se nën duartrokitjet e thirrjet e turmës, u
gjendëm populli më i varfer në Europë, të qeverisur nën diktaturën më
monstruoze, që ishte njohur deri atëhere, e krahasueshme me atë nazi - fashiste,
por me ngjyra të bukura sociale.
Nëntëdhjeta
është e freskët. Turmat, gjithnjë nën parulla demokratike e me thirrje
entuziaste “liri - demokraci”, premtimet e “çekut te bardhë” bazuar tek teoria
e nivelit zero, shkatërruan me zjarr e vjedhje mundin popullor
pesëdhjetvjeçarë, si të mos ishte i tyre. Ku shkuam? Kujtoni vitet 1996 - 1997,
koha e firmave piramidale, ku maja e piramidës ishte partia - shtet e Sali
Berishës, që gëlltitën si përbindësha gjithçka nga djersa jonë, kujtoni depot e
hapura të armatimit, thirrjet luftënxitëse vëllavrasëse, e gjithçka të keqe që
i pasoi ato. Rezultati? Edhe njëherë nga zero! Me ndihmën e ndërkombëtarëve e
nën thirrjet (asokohe edhe me grykët e pushkëve!) të turmave, komunistët e
reformuar u rikthyen në pushtet, më të përkrahur se kurrë. Por Fatos Nano
harroi shpejt premtimin se shteti kishte ardhë, me kontratën “e nënshkruar”
shesheve, për kthimin e çdo leku të humbur, e premtime te tjera plot, dhe “i
mbyste” dhimbjet popullore në “xhin e zhveps”, ashtu si edhe me gallata e
barcaleta edhe më të rëndomta se ato të pazarit. Rezultati? Berisha rinusëroi
si “i virgjër”, tashmë duke i shtuar komponenteve diktatoriale që i kishte
manifestuar edhe në qeverisjen e parë, edhe komponenten ekonomike e korruptive,
pa kursyer edhe Gërdecin e armët e drejtuara në kokë të protestuesve, më 21
janar.
Rama
erdhi si liberatori i madh e me ngjyra shumë, falë edhe profesionit të tij
artist-piktor, por po rezulton zhgënjim i hidhur. Jo thjesht se hapat e
zhvillimit janë të ngadalshëm, fushë ku duhet të pranojmë se ka bërë më shumë
se të gjitha qeverisjet paraardhëse, por se ai harroi se kush e solli në
pushtet. E solli partia socialiste, dhe asaj ja “futi” së parës, duke krijuar
forcën e tij amalgame, rilindjen. E solli populli me votë, por e harroi këtë e
për votat s’iu desh më populli, erdhi si përfaqësues i turmave të shumicës, dhe
u kthye në përfaqësues të një pakice, sipas parimit stalinist: “S’ka rëndësi
kush voton, rëndësi ka kush numëron!”. Krijoi kështu hapur një familje
pushtetare mafioze, thuajse para - politike, të pashoqe. Vetëm nuk është akoma
vrastare e drejperdrejtë, përndryshe do të ishtë klika më e rrezikshme që ka
qenë ndonjeherë në pushtet. Dhe e gjitha kjo e maskuar me parullën e dashur të
integrimit europian.
Po
tash, kur as parullat s’janë të qarta, as forca të strukturuara politike nuk i
marrin mbi supe ndryshimet, ku entuziazmi i ngjyrosur i turmave të merr në
qafë, çfarë presim? Edhe nëse dorëzohet Edi Rama, nuk është dorëzuar sistemi
politik që ai perfaqëson. Ndonëse dukshëm të frustuar nga bëmat e veta e burgu
që duhet t’u vije nga një sistem gjyqësor i pavarur e jorevolucionar, në vijim
ata mund t’a përdorin edhe forcën, mjetin që deri me sot fatmirësisht nuk e
kanë vënë në funksion. Nga ana tjetër Rilindja mund të ngrejë edhe 100 qeveri,
të gjitha si kjo, dhe t’i fitoje zgjedhjet edhe nëse ato bëhen një herë në 6
muaj.
Po
nëse rrëzohen Edi e Sala, a u rrëzua sistemi i tyre politik?
Jo!
Forcat e reja të derisotme, të lidhura edhe me protestën nën rrogoz, janë ose
neomarksiste, ose neofashiste (stimulohen edhe nga thirrjet e turmave në
protestë!), dhe asgjë të re s’do të kemi. Prandaj duhet artikulimi politik
ardhmërifirmues i kësaj proteste. Vetëm veprimet anti, s’më thonë asgjë! Cili
do të jetë sistemi i ri politik? Cili do të jetë sistemi i ri zgjedhorë? Cila
do të duhet të jetë secila nga tri kolonat e njohura të një pushteti
demokratik? Cili do të jetë qëndrimi ndaj pronës, tregut të punës e iniciativës
së lirë, ndaj turizmit dhe investimeve të huaja, ndaj integrimit, familjes,
aleancave e shumëçkaje tjetër? Këto janë disa nga pyetjet, por jo të vetmet që
duan një përgjigje konkrete, bazuar në një plan masash.
Nëse
Rama e sistemi “vidh e shtyp”, apo “varfëro e sundo”, Rama - Sala reziston,
protesta ose do shuhet, ose do rrëshkas në dhunë. Në të dyja rastet fiton edhe
dreqi, por jo populli dhe e drejta. Prandaj kjo protestë kërkon krye, jo këmbë,
për të cilat ka hyrë tashmë në histori, kërkon artikulim politik, jo çirrje
zëri si në kohët parashtetërore me hunj e cfurçe, kërkon udhëheqje që t’i prije
drejt një ndryshimi real, jo poezi tribunash, kërkon një kontratë të dyanshme,
jo monologje cfilitëse, të tilla që i bën drejtuesit e ardhshëm lehtësisht, si
të gjithë pararendësit e tyre, mendjemëdhenj për çdo hap apo arritje që ia
atribuojnë vetëm vetes e të justifikuar për çdo dështim që gjithnjë e kërkojnë
jashtë vetes.
A
nuk bëri kështu Hoxha, ku rrethimi i egër imperialisto - revizionist ishte
shkaktari i çdo dështimi, e ne revolucionarët shtrënguam rripin, duke i hapur
atij vrima të reja për pesëdhjetë vite? A nuk ishin komunistët që në
bashkëpunim me grekërit e të tjerë, Saliu i bëri shkaktarët e kurthit ku ra me
skemat piramidale e me revolucionin gjysmë të armatosur në vend? A nuk po bënë
të njëjtën gjë Rama, ku herë iranianët, herë tjetër grekërit, herë rrjetet
sociale, herë algoritmet, herë antitrampizmi botëror, herë antismintizmi, bëhen
shkaktarë të revoltës e të pakënaqësisë popullore, por kurrë jo ai vetë e
bashkëpunëtorët e tij qeveritarë! Që të mos na ndodhë e njëjta gjë edhe pas
kësaj, jemi në kohë me ia vu gishtin kokës. Ndryshe: - Ku ishe?, -
hiçgjëkundi!; - Çfarë bëre?, - hiçgjë!


