Llesh Ndoj: Kur flet profesionisti!

KUR FLET PROFESIONISTI!
-
Mbresa leximi nga libri i studjuesit Ndue Kaza, “Historia e Mirditës”, botimet
“Emal”, maj 2026-

Në
rrugë informale, kryesisht nën zë, por disa herë edhe publikisht, ata që do të
duhej të ishin profesionistë të fushës, ankohen se “ka marr penën kushdo e
shkruan” e se ata kanë mbetur nën hije…
Liria
është hapësirë për të gjithë! Dikush vrapon fizikisht, dikush vrapon me
heshtjen e tij, dikush flet në media e dikush tjetër shprehet me të shkruar.
Secili në formën që e gjykon më të mundshme, por të gjithë lëvizin për ta kapur
kohën e shfrytëzuar mundësitë që liria t’i krijon. Mirëpo, ka edhe një kategori
njerëzish, kryesisht të shkolluar, që presin kohën “t’u ulet në prehër”, pa
bërë asgjë! Zakonisht kjo kategori dinë vetëm të kritikojnë të tjerët, ndërkohë
që rrinë në vend e “presin” kohën e tyre.
Ndue
Kaza nuk është njëri prej tyre. Nuk ka qenë kurrë i tillë, as në komunizëm as
në pluralizëm. Ai i ka prirë kohës e koha ia ka vlerësuar atij kontributet që,
në mënyrë të padiskutueshme, i ka dhënë për shoqërinë. Koha e kërkoi drejtor
shkolle, drejtor arsimi në rreth e në qark, mësues e pedagog, deputet në
Kuvendin e Shqipërisë, drejtues projekti me bashkëpunim ndërkombetarë, e ai
ishte aty jo vetëm për të përfituar prej saj, por bëri përpjekje e la gjurmë në
trupin e kohës kur punoi e ku kontribuon ende. E kur flet Ndoj, zor se ka
hapësirë për të folur shumë, sidomos joprofesionistët.
Në
librin e tij më të ri, “Historia e Mirditës”, një botim shumë cilësorë, nga
botimet “Emal” Tiranë, me një prurje e informacion voluminoz shtrirë në më
shumë se 600 faqe libri, autori Ndue Kaza ka sjellë historinë e njërës nga
krahinat më të lavdishme të shqiptarisë, të cilën na e bën të ditur bujarisht
që nga “gjeneza” e jetës në ato troje të bekuara e deri në vitin 1921. Viti
1921 si kufi i zgjedhur prej tij për këtë botim më len të mendoj se puna e tij
vazhdon e ndonjë vëllim tjetër do të kemi nga ky autor në vijim.
E
prita me shumë kënaqësi këtë libër për të mësuar prej tij, por vetë libri më
ngacmoi edhe të shkruaj. Duke mos qenë profesionist i fushës, por thjesht
dashamirës i saj, natyrisht që do t’i shmangem vlerësimeve të holla të fakteve
e të interpretimit të tyre nga autori, duke qëndruar në pozitat e lexuesit dhe
të njohësit modest të historisë. Në vijim janë disa nga mbresat, mendimet e
përshtypjet që i krijova vetiu nga leximi i këtij libri, pa patur ndonjë qëllim
paraprak që ato t’i sjell për publikun, përmes ndonjë recense.
-
Sa e njoh unë çështjen, është i pari botim historik që në mënyrë të plotë e
paraqet historinë e Mirditës, pa anashkaluar asnjë periudhë, qyshkurë ka prova
se është shfaqur jeta në ato male e deri në vitin 1921. Autori nuk ka lënë
asnjë periudhë historike pa e paraqitur, duke i dhënë lexuesit material të
plotë njohës, mësuesve të historisë literaturë të bollshme, shkencëtarëve e
studjuesve të fushës teza e fakte me rëndësi, mirditorëve e dashamirësve të saj
edhe më shumë arësye për t’u ndjerë krenarë me origjinën e tyre;
-
Librat historikë përgjithësisht lexohen “me zor” e në faqet e tyre të kot gjumi
shpesh, sidomos kur bëhet fjalë për historinë e vjetër, mesjetën e hershme e
atë të vonë, pasi prej saj njeh pak, por mendon se i di të gjitha. Mirëpo nuk
ngjet kështu me librin “Historia e Mirditës” e autorit Ndue Kaza. Ky libër
rrjedh nëpër duar me lirshmërinë e një romani a të një vepre të dashur
mirëfilli letrare, por edhe të mbet në kujtesë për mjaft nga temat e shumta që
trajton, e kjo për faktin se materiali është paraqitur didaktikisht bukur e se
autori, duke qenë mësues e pedagog, ka shfrytëzuar më së miri aftësitë e tij
pedagogjike mbi mënyrën e trajtimit të lëndës, copëzimin e saj në nëndarje
përgjithësisht të shkurtëra pa e humbur boshtin e së tërës, me ndërtimin e
fjalive e shprehjeve në atë mënyrë që të mund të kuptohen e lëjnë gjurmë tek
lexuesi dhe me konkluzione që vijnë natyrshëm nga trajtimi i lëndës prej tij.
Kushdo, pavarësisht nivelit akademik apo shkallës së njohjes së historisë që
ka, gjenë në këtë libër atë që i duhet. Ndihmon në këtë drejtim edhe aftësia e
autorit që historinë e Mirditës ta vendos bukur në kontestin e ngjarjeve
historike kombëtare e ndërkombëtare, botërisht të njohura, duke na bërë me dije
kështu se Mirdita nuk është një botë tërësisht e izoluar, por një krahinë që në
zhvillimet e vrullshme që e kanë shoqëruar historisë e shoqërisë në tërësi e të
asaj shqiptare në veçanti, ajo paraqet një areal interesant, krejt specifik, që
meriton të studjohet, por edhe të nderohet për rrezatimin gjithëshqiptar që ka
historia e saj. Mund ta quaja këtë libër lehtësisht edhe “Mirdita e vendi i saj
në historinë shqiptare”, pasi asnjë ngjarje e trajtuar nuk del nga kontesti, as
nuk trajtohet si e vetmuar, por në kuadrin e përgjithshëm të historisë
shqiptare, ashtu siç realisht është Mirdita: një copë e artë e Shqipërisë!
-
Libri nuk është një produkt i gatshëm thjesht për t’u “gëlltitur”, aq më tepër
“për ata që s’kanë as dhëmbë”, pasi ai, duke paraqitur fakte e argumente, e len
lexuesin të mendojë e të konkludojë vetë për mjaft çështje, në përputhje me
shkallën e njohurive që ka. Thënë më hapur, të lejon të thellohesh nëpër detin
e madh të ngjarjeve, fakteve e artefakteve që trajton, aq sa ti “e din notin”,
por kur të dalësh në breg, sidoqoftë të mos mbetesh pa gjë!
-
Autori ka shfrytëzuar një literaturë të bollshme, të shumëanëshme, ka përdorur
zbulimet arkeologjike e bërë krahasime, i ka vendosur ngjarjet në kontestin e
tyre, por i ka ikur mençurisht të mbeturit thjesht përshkrues. Për shumicën e
ngjarjeve, fakteve e çështjeve që ka vënë në fokus, autori ka ballafaquar
literaturën e njohur, faktet e artefaktet, mitet e gojëdhënat, por ka mbajtur
edhe qëndrimin e tij, jo pak herë të ndryshme nga sa njihej ose paraqitej nga
autorë pararendës, kryesisht ata të huaj, kontributet e të cilëve e vëmendja që
i kanë kushtuar ndaj kësaj krahine, janë tepër të çmuara.
Autori
Ndue Kaza e nis udhëtimin e tij në historinë e Mirditës me konstatimin e saktë
se “…nuk janë bërë kërkime serioze arkeologjike në Mirditë, as për pirustët, që
ishin paraardhësit tanë.”(faqe 25) duke e shpallur që në fillim se mirditorët
janë ilirë dhe i përkasin fisit të pirustëve, sidoqoftë një shuplakë kjo ndaj
teoricienëve që pa asnjë minimum njohje, i shpallin mirditorët ardhacakë e deri
aziatikë. Ai konkludon se “…Mirdita etnike banohej që në kohë të
neolitit.”(faqe28) dhe përmend vendbanimet e zbuluara të kësaj periudhe si “…
në Perlat, Selitë, luginën e Fanit, Kaçinarit, Ungrej etj.” (faqe 29). Autori
mbron tezën se shqiptarët i përkasin racës pellazgjike, se pellazgët ishin
njerëzit e parë të gjallë mbi tokë dhe shtron edhe pyetjen logjike se pse ne
shqiptarët (studjuesit shqiptarë) e braktisëm tezën pellazgjike të prejardhjes,
“… kur gjurmët historike i kemi kudo në Shqipëri?”(Faqe 37), duke hedhur edhe
mendimin se historianët tanë mund të jenë edhe më të guximshëm e s’ka pse të
kushtëzohen për gjithçka nga studimet ndërkombëtare. Autori e mbron tezën se
etruskët, epiriotët, ilirët e shqiptarët e sotëm, janë dega kryesore dhe e
drejtpërdrejtë e pellazgëve, duke e mbështetur këtë edhe tek konstatimi se
gjuha gege, apo dialekti gegë i shqipes, ruan edhe sot elemente të
pellazgjishtes. Ai mbështet, po ashtu, tezën e Ami Bue se dialekti mirditorë
ruan rrënjët më të lashta e lidhjet më të drejtpërdrejta me pellazgjishten.
Vijimësia
e banimit në trojet që njihen si troje etnike mirditore, është tema që
zhvillohet gjërë e gjatë nga autori, dhe ku ai me fakte e vërteton prejardhjen
tonë pellazgjiko – etruske – ilire - shqiptare. Duke i paraqitur pirustët si
banorët autoktonë të territorit të Mirditës autori, mbështetur edhe nga
konkluzione të studjuesve të tjerë, ku veçohet Moikom Zeqo, paraqet lidhjen e
ngushtë të tyre me dardanët. Konkluzioni se pirustët dhe dardanët janë një, jo
thjesht nga shqipërimi i njëjtë i fjalës, por edhe nga argumente të tjera
logjike e shkencore, e lehtëson edhe të kuptuarit e lëvizjeve të shumta e në
kohë të ndryshme të popullsisë nga Mirdita në Kosovë dhe anasjelltas, pa
luftëra, pushtime e konflikte, dhe e shpjegon faktin se shumë nga popullsia
aktuale e Mirditës mbahet mend si e ardhur nga Pashtriku. Mirëpo ata nuk u
vendosën këtu në tokë “të shkretë”, se trojet e këtij vendi s’mbetën kurrë
bosh, as nuk patën kurrë luftë mes tyre e vendasve, sepse ishin të njëjtit.
Në
të njëjtin funksion, atë të vijimësisë së banimit e atoktonësisë së banorëve
vendas, autori analizon me kompetencë shkencore edhe emrin e Mirditës. Ai hedh
poshtë tezat se ky emër është i vonë dhe barazohet me kohën kur shfaqet si
mbiemër i njerëzve të veçantë, si Gjon e Ndre Mirdita etj., duke mbrojtur tezën
se Mirdita është shumë më e hershme se kaq, se ai mbiemër i njerëzve të caktuar
është patronim i vendbanimit që ata banorë e kishin marrë me vete, duke
mbërritur tek teza se emri Mirditë fillimisht i përkiste një fshati, me gjasë
Grykës së Oroshit, e pastaj krejt krahinës, krahas konsolidimit të lidhjeve e
besëlidhjeve mes tyre. Autori analizon edhe tezat e hedhura mbi prejardhjen nga
Murr Diti, nuk len pasdore as gojëdhënën e vllaznisë me Shalë e Shosh, ku tre
vllazën u ndanë e njëri mori shalën, tjetri shoshën e i fundit “…e bafsh të
mirë ditën”, apo gojëdhënën tjetër që luftëtarë mirditorë thanë “sot është e
mirë dita” dhe korrën fitore në një betejë, në kundërshtim me autoritet e larta
perandorake që e përcaktonin atë si ditë të papërshtatshme, por ndalon tek
argumenti historik e shkencorë.
Ndoi,
si shumë të tjerë, e paraqet Mirditën jo si një bashkësi me lidhje fisnore, por
si një bashkësi luftarake e cila erdhi duke u zgjeruar deri në teritoret e
njohura si teritore etnike mirditore, si një bashkim për të mbrojtur territorin
dhe parimet e veta, me bazën tek familja e me një vetëqeverisje që u ngrit
shkallë - shkallë deri në nivelin e një principate me territorin, kushtetuten
(kanunin) e prijësin (princin) e saj. Autori thotë se territori i Mirditës më
përpara mund të quhej Kastër, Ndërfandinë, apo Dukagjin dhe se lashtësia e tij
nuk ka të bëj me kohën e shfaqjes së emrit Mirditë. Këtu ai ndalet gjatë në
shpjegimet e keqkuptimet që e ngatërrojnë territorin e historinë e saj me emrin
Emathia apo Mati, marrëdhëniet me Kastriotët, që sundonin një pjesë të saj, dhe
me dukagjinët, që zotëronin pjesën tjetër, debaton mbi origjinën e Gjergj
Kastriotit - Skënderbeut e këtu përafrohet me tezën e Preng Cub Lleshit mbi të
dhëna që flasin për origjinën e tij mirditore. Kalaja Kastrit në Vig të
Mirditës, kisha ku vuri kurorë në Laç të Vaut të Dejës, teritor po i Mirditës,
e kisha e Shënkollit ku u varros në Lezhë, thotë autori Ndue Kaza, flasin shumë
në favor të kësaj teze.
Luftërat
për liri të mirditorëve janë bashkëudhatare të jetës së tyre. Autori, për çdo
periudhë historike paraqet luftën e betejat e tyre, gjithnjë në trojet e veta e
për të mbetur vetvetja. Analizon bukur luftën e pandërprerë me Perandorinë
Romake e ndalon tek pozita “mes lindjes e perëndimit” të Mirditës, pas skizmës
së madhe. Katolicizmi romak e lufta për mbrojtjen e tij si identitet,
gjithashtu trajtohet bukur në këtë libër. Pasi analizon jetën në luftë të
mirditorëve, autori thekson se përgjithësisht ata jetuan të lirë, por konkludon
me fakte e bën edhe një përcaktim interesant, ndoshta themeli i asaj çfarë i
tipizon mirditorët deri në ditët e sotme, se kjo liri ishte “Liri në rrethim”,
gjë që i la ata të varfër, por edhe i konsolidoi si shoqëri, përcaktoi e forcoi
karakterin e tyre luftarak dhe rregullat e vetqeverisjes. Autori thekson me të
drejtë se “Liria në male i ka bërë të lirë deri në anarki, që kanë dhënë
ndikime në psikologjinë e mirditorëve si dhe në përceptimim e rolit të
shtetit.” Sipas autorit, mënyra e jetesës në liri, por edhe në rrethim, rriti
gadishmërinë dhe qëndresën popullore (210), ata karakterin dhe aftësitë e tyre
të jashtëzakonshme i shndërruan në traditë, duke u udhëhequr nga arësyeja dhe
mendimi racional (211), kuvendet popullore u kthyen në normë, pasojë e të
cilave “Mirdita u kthye në kështjellë natyrore” (po aty) që ndikoi po ashtu
edhe në lidhjet ndërfisnore, kryesisht për qëllime ushtarake (212).
Po
të ndjekësh me kujdes rrjedhën luftë - marrëveshje me Turqinë, paraqitur
gjerësisht nga autori në librin e tij, në sy të bie fakti se turqit sa herë
inatoseshin me mirditorët u ndalonin atyre të dilnin jashtë territorit, të
zhvillonin tregti me zonat e tjera e të shkaktonin trazira tek ata (nënkupto:
revoltë antiosmane!), gjë që përforcon funksionimin e tyre si “shtet brenda
shtetit”, e njohur kjo edhe nga fuqitë e mëdha të kohës si Franca, Austria,
deri diku edhe vetë Perandoria Turke, e vonë edhe Roma etj., por edhe
autoritetin e namin që krahina kishte marrë ndër fqinj, të cilët ishin të
gatshëm t’i bashkëlidheshin asaj në luftë. Një Mirditë relativisht e vogël
s’mund t’ia dilte pa diplomaci, e këtu autori sjell bukur paktet e marrëveshjet
ndërkombëtare të mirditorëve, e sidomos faktin se ata kurrë nuk e braktisën
vendin e tyre, kurrë s’pranuan qeverisje tjetër veç vetqeverisjes kanunore,
kurrë s’paguan taksa, as nuk lejuan t’u cenohej feja dhe besimi. Jetën e tyre
në male e vetërregulluan si qytetarë të emancipuar, gjë që e dëshmojnë normat
kanunore, vendimmarrjet demokratike, bindja ndaj rregullit e mosbindja e
përhershme ndaj imponimit. Tipare të tilla ndër mirditorë janë trashëguar deri
në ditët e sotme. Ata nuk të besojnë lehtë, por po të besuan e dhanë fjalën, të
falin edhe jetën e nuk të tradhëtojnë. Besa e Fjala e dhënë janë normat e
pashkruara, por të pandara të karakterit të tyre njerëzor. Këtë e konstaton dhe
e thekson edhe Ndue Kaza në librin e tij. Kanuni i Lek Dukagjinit, sipas
autorit, në të shumtën e vet u mblodh në Mirditë dhe ai “…është unik, me
specifika të qarta shqiptare.”(218) dhe ku “…fjala e dhënë dhe besa si
koncepte, janë unikale shqiptare.”(219). Ai ndalet gjatë në strukturën e
natyrën e Kanunit, duke përfunduar se “Të gjitha mendimet, veprimet dhe
drejtimet e jetës në Mirditë lëviznin rreth trinomit: Besë – Fe - Atdhe.”(223)
dhe ku organizimi shoqëror ngjante me “… një orë vetërregulluese,…” me
udhërrëfyes Kanunin.
Asnjë
periudhë historike e asnjë ngjarje e shënuar në jetën e veprimtarinë e
mirditasve nuk mbetet jashtë vëmendjes së autorit Ndue Kaza, e asnjë nga
trajtesat e tij në këtë libër nuk mund të anashkalohet, nëse do vërtetë të
njohësh historinë e kësaj krahine, për më tepër të marrësh një qëndrim të
drejtë ndaj saj, pa gabuar “me dëshirë”.
Për
këtë libër rreth gjashtëqind faqesh, mund të shkruash edhe 600 apo 1200 faqe,
se trajtesa është e bukur, faktet janë interesante e qëndrimet e autorit çelin
orekse që vijnë nga krenaria e të qënit mirditor, por nga ana tjetër thellësia
e studimit, gjerësia e temës, deri në shterrueshmërinë e fakteve, argumentimi
shkencor i tyre e ballafaqimi i gjerë me literaturën në mënyrë shkencore, të
bëjnë të heshtësh! Dhe unë pasi fola sa munda, si mirditor krenar, edhe për
autorin edhe për librin e tij, tash po hesht si nxënës jo i shkëlqyer në
histori.
Urime
autorit Ndue Kaza e udhëtim të gjatë e të suksesshëm librit “Historia e
Mirditës”, botimet “Emal”, Tiranë maj 2026
Lezhë, më 20 shtator
2026



