Llesh Ndoj: Ka ardhur koha me e prishë rehatinë
KA ARDHUR KOHA ME E PRISHË REHATINË
-
Fjalim imagjinar në kuvendin, ku s’kuvendohet, 2026 -

Të
them se nuk e kisha dashur një ditë, kur mund t’i drejtohesha zgjedhësve nga
podiumi i kuvendit, nuk do t’ma besonte as vetja ime, por gjithsesi kjo i
përket së shkuarës. Figurat që kam ndjekur nga ajo foltore në legjislaturat e
20 - 25 viteve të fundit, gjithnjë e më shumë m’a kanë neverit veten e
imagjinuar në këmbët e mbi 80% të atyre që janë aty, e që ngjajnë si figura
fallco në një teatër kukullash, të cilëve s’dihet se kush ua tërheq fijet në
prapaskenë, e që kanë pajtuar sekretarë për t’u përgatitur ndonjë fjalë për në
foltore e cila i shëmton edhe më keq në sytë e atyre që i njohin, ose përdorin
“Diellën”, apo AI, që ngjet si ndonjë “e përdalë”, e cila ia bën qejfin çdo
klienti. Shkurt, sot nuk do të doja të isha në atë sallë, ku vetëm pak
“kostume” më rrinë përshtat, por kjo nuk më ndalon të fantazoj me sikur…! E
pra, sikur dallga e duartrokitësve pa shtyllë kurrizore, e të llakosurve që
ndoshta poshtë llakut asfiksojnë morra, e kollaregjinjëve pa kanatjere dhe e
mbajtësve të kostumeve të markës, pa brekë, të më kishte çuar atje, ç’fjalim do
të mbaja sot nga foltorja e kuvendit, nëse situata do të ishte pikërisht kjo që
paraqitet?
***
-
Deputetë të (ç)nderuar, të të gjitha krahëve politikë! (Falje për ndonjë që si
unë ndjehet i huaj në këtë s(t)allë!)
Është
koha që Ju dhe unë, të zgjohemi nga gjumi ku kemi rënë, e t’i thërrasim mendjes
(nëse ka mbetur ndonjë qelizë e saj e pa mpirë nga droga), dhe t’u dalim zot
mandateve tona. Nuk mundet që ato të jenë licensë për çdo lloj budallëku e çdo
lloj eksperimenti ligjorë e qeverisës në kurriz të votuesve. Nëse nuk i
dëgjojmë ata sot, nesër (në mos ka nisur qysh sot!) as ata s’kanë për të na
dëgjuar ne, e kanë për të na përzënë prej këtyre karrigeve që qelbin
servilizëm, krim e korrupsion, pa ditur kush është i njomi, e kush është i
thati. Zemërimi po shndërrohet në ortek, e urrejtja në flakë zjarri. E këto,
siç dihet nga historia, nuk pyesin çfarë, por përlajnë e djegin, ç’u del
përpara.
-
Zoti Rama, kryerilindas e kryeqeveritar pa sy e veshë!
Erdhe
në krye të Partisë Socialiste me shpresën e një liberatori demokrat, që do t’a
reformoje më tej si një forcë socialdemokrate evropianiste të vërtetë këtë
forcë edhe ashtu shumë demokratike, plot vizion dhe energji për të ardhmen, por
pushteti s’qënka kostum i përshtatshëm për Ty! Më mirë se gjithçka tjetër ju
shkoka opozita. Ndoshta ajo s’ka rehatinë e pushtetit, por Ju si orator që
jeni, duartrokitjet i fitoni edhe në opozitë. E ka kohë që ato ju mjaftojnë! Ndërkohë
që duartrokitjet e të qeverisurve prej teje “të shurdhuan” shumë shpejt, e të
penguan zërin e masës që rënkon nga pashpirtësia qeverisëse, t’a hoqën shpirtin
e piktorit, e në vend të tij të mbiu një gur që s’bëzanë, t’a mpinë trurin e
pedagogut dialogues e u shndërrove në “one - man show”, që flet e s’dëgjon as
veten, jo më të tjerët. Jo për ndonjë gjë, por kur flet populli, për ju është
koha e vizatimit, kur flet populli për ju është koha e dëgjimit të bëmave të
krimit e korrupsionit në pushtet përmes kufjeve, kur flet populli për Ju është
koha e menaxhimit të milionave që vijnë pa i kërkuar, si dikur tek “Sudja”,
“Populli”, apo “Xhaferri”. Natyrisht që falë vizionit tuaj, shumë punë në këtë
vend edhe u bënë mirë, por… Tani, Ju dhe familja juaj krejt e ngushtë e lidhur
me pushtetin, Rilindja, jeni pengesë serioze për zhvillimet demokratike në
vend, korrupsioni juaj është pengesë e zhvillimit ekonomik e kulturorë të
vendit, arroganca juaj është paradhoma e një neodiktature, veçse me ngjyra
piktori, jo thjesht bardh e zi. Nëse ka mbetur sadopak gjë nga shpirti i
artistit tek Ju, nëse ke sadopak në qënien tënde ndjesitë e së majtës moderne,
nëse ndjehesh akoma i lirë (dyshoj për këtë!), hapu rrugë zhvillimeve
demokratizuese në vend. Sot është vonë, nesër më mirë kurrë!
-
Zoti Berisha, krye rithemelues e bartësi më i madh i turpit të këtij vendi, që
duhej të ishte tempull demokracie, por që është shndërruar në arenë përleshjesh
si ato të zagarëve dikur (sot tregu është shumë më i disiplinuar!) në tregun e
gjasë së gjallë në Milot! Vetëm njëherë të vetme bëhu njeri, gjë që e ke
harruar të paktën tash 35 vite, vetëm njëherë gjyko me zemër, zanat që s’di a e
ke ndjerë ndonjëherë ndonëse e ke ushtruar si profesionist, vetëm njëherë mendo
si prind jo i babëzitur e si gjysh zemërbutë dhe liroje krahun. Protestuesit po
kërkojnë burgimin tuaj e Ju eksitoheni se po ju afrohet pushteti… Si s’u
ngope…, mos u ngopsh kurrë!
-
Protestues të nderuar, që na e nxorët gjumin letargjik ku kishim rënë nën
efektin drogues të duartrokitjeve servile të pjesëtarëve të përulur të familjes
mafioze – pushtetare, që bën sikur punon për ne, e majmet për vete!
Mos
u lodhni kurrë në udhëtimin tuaj të bukur. Lufta është e gjatë, por kauzat e
drejta e meritojnë sakrificën tuaj. Ju jeni ngjyrat e së nesërmes mbi telajon
që paradhësit tuaj në pushtet dhe opozitë e nxinë me ngjyrat e humbjes së
shpresës. Dhe kurrë mos harroni: Me urtësi e me artikulim gjithnjë e më të
qartë, ju do të jeni çdo ditë e më shumë, çdo ditë e më të dashur për shqiptarët,
çdo ditë e më dritdhënës e shpresëdhënës, që ky vend do të ketë të ardhme.
Lodhja juaj, njëjtë si tundimi i nxituar për veprime dhune dhe ekstremizma,
njëjtë si thirrjet me ngjyra fashistoide, janë festa e demokraturës në pushtet
dhe në opozitë. Mos ua jepni këtë shans! Flamingot e kryen misionin e tyre.
Lërini ato të qeta në habitatet e veta. Njerëzit që zgjedhin të mos jenë aktivë
në protestë, por ju ndjekin nga kafetë apo ekranet e TV - ve, lërini në punën e
tyre. Imponimi dhe njëmendësia e dhunshme s’mund të jenë demokraci dhe
mospjesmarrja nuk është doemos kundërshti! Orteku i revoltës sa vjen e rritet e
ai do t’i ftojë ata tek Ju, por ndaleni gjuhën e urrejtjes, vdekjeve e
burgimeve, se ato s’i përkasin as flamingove, as rinisë që e do atdheun e vet.
Dhe një gjë: “Me të thënë, e me të bërë, shtrihet në mes një mal i tërë!”,
thotë një fjalë e mençur popullore. Përgatituni pra, t’a lini rehatinë tuaj e
të merrni përsipër, jo vetëm slogane nga bulevardi, pasi ato janë poezi e bukur
ndërsa jeta është prozë, shpesh dramë e komedi, por mendoni për qeverisjen e
vërtetë që i kthen fjalët, dëshirat e aspiratat tuaja në vepra. Larg
karieristët e sëmurë që fshihen pas pamjes rozë të flamingove të pikturuara
edhe më bukur se i ka pikturuar ato vetë Zoti.Larg dështakët rishtarë politik,
që janë po aq të vjetër sa Berisha e Rama! Larg veset tipike shqiptare që e
vërteta është vetëm ajo që them unë, pro dialogut e mendjeve të hapura.
Artikulojeni qartë se e doni Shqipërinë si e gjithë Evropa dhe se miqësinë me amerikën
e keni të shenjtë! Tramp – i, Kushner -i e të tjerë janë veçse emra të
përveçshëm, shumë të suksesshëm si biznesmenë, por amerika është ylli jonë
drejt Lirisë, përparimit e zhvillimit. Kështu ka qenë edhe përtej shekullit të
AI që e ka bërë botën një grusht! Po u mungoi ky artikulim, ose po të mos jetë
ai i qartë si rrezja e diellit pas një kohe me shi, kauza juaj (dhe e shumicës
së shqiptarëve) destinohet rreth honeve të errëta. Mos e lejoni këtë shkarje!
-
Votues të majtë që më besuat!
Sot,
duke e kuptuar se nuk kam më asnjë mundësi t’u sherbej ashtu siç di unë e siç e
doni ju, më lejoni t’u them se jam i gatshëm t’ua kthej “mandatin tim” Ju, me
synimin që vendi të mbërrijë në një zgjidhje të re politike. Ua kthej Ju dhe
vetëm Ju, pasi nuk njoh pronarë tjetër të mandatit tim. Pronarët e shfaqur si
të tillë i kanë harruar interesat tuaja prej kohësh. Ata as dëgjojnë, as ua
ndjenë më për Ju. Për mua jo e jo! E ç’mund të bëj tjetër në rrethanat e
krijuara, kur para merr përgjigje nga muri se nga qeveritarët e çdo rangu, ku
fjala e drejtë përbuzet e neveritet, ku drejtësia është slogan, e ku fjala
demokraci e ka humbur kuptimin real të saj. Nëse e lë fare mandatin tuaj, një
copë mu… më shumë do t’i shtohet së keqes, prandaj zgjedh që prej sot të kemë dy
foltore: njërën paradite në kuvend, ku t’u jap zë kërkesave tuaja, e tjetrën
darkave në protestë (nëse më pranoni!), ku bashkë me Ju t’u japim formulim më
të qartë arësyeve pse protestohet, e sheshi gumëzhinë prej afro tri javësh pa u
ndalur! Kësaj thirrje shpresoj t’i bashkohen edhe deputetët që krejt padashje i
kam votuar të jenë në ato karrige. Dhe krejt në fund: Që nga ky çast paga ime
(si deputet - po të isha i tillë!) shkon në favor të organizatorëve të
protestës, për shpenzimet e domosdoshme që kërkohen në organizimin e saj! Mos u
ndalni, mos u dorëzoni e mos u përçani! Veshët që s’dëgjojnë heshtjen, zor se e
dëgjojnë zhurmën, prandaj artikulojeni mendimin tuaj gjithnjë e më qartë, uluni
në shesh, këndoni e kërceni, se kënga e vallja juaj e fitores ia prishin gjumin
arrogancës dhe heshtjes opozitare e qeveritare në parlament e jashtë tij.
-Është
koha me e prish qetësinë.
Koha
që po jetojmë na fton të gjithëve t’a prishim qetësinë. Populli ka kohë që vetë
nuk është i qetë, e tash ka dalë shesheve t’na zgjojë edhe ne. Është radha jonë
t’a prishim qetësinë, secili në pozicionin ku gjendet, deputet në Kuvend,
ministër a Kryeministër, zyrtar i lartë, i zgjedhur lokal, prokuror e gjyqtar,
polic e zyrtar që vegjetojnë për një rrogë që s’ua zgjidh dot hallet e jetesës.
Zgjohuni të gjithë për një të nesërme më të mirë. Populli thotë: “Kur fle
lepuri i zgjaten veshët, kur flejnë popujt u zgjatet sundimi nën diktatura!”.
Edhe ata që rrinë në kafe, që pushojnë hijeve, që presin paratë e fëmijëve
emigrantë, është koha t’u dalë gjumi. Jo domosdoshmërisht protestohet vetëm në
bulevard. Protestë është edhe të shkruash e të shfaqesh mendime ndryshe në
shtyp, edhe t’ua thuash të vërtetën në sy pushtetarëve të çdo rangu, edhe të
ikësh nga puna e shtetit - pa punë e të merresh me një punë më të dobishme për
veten e shoqërinë. Protestë është të refuzosh status - quonë për një të ardhme
më të mirë për të gjithë.
Nga socialisti, jo rilindas
Llesh Ndoj
Lezhë, më 18 qershor 2026


