Lekë Mrijaj: Si mund ta vajtojë Xhevat Prekazi mungesën e Serbisë në Botëror?!
SI MUND TA VAJTOJË XHEVAT PREKAZI MUNGESËN E SERBISË NË BOTËROR, KUR KOSOVA ENDE I MBAN PLAGËT E KRIMEVE, MASAKRAVE DHE TË PAGJETURVE?

Duke
lexuar në disa portale shqiptare deklaratën e Xhevat Prekazit, se qenka ndier i
mërzitur për moskualifikimin e Serbisë në Kupën e Botës 2026, nuk mund të mos
ndalem te pesha morale dhe historike e një qëndrimi të tillë. Kjo deklaratë nuk
mund të trajtohet thjeshtë si një koment i zakonshëm sportiv. Kur një shqiptar
i lindur në Mitrovicën e Kosovës shpreh kaq shumë keqardhje për mungesën e
Serbisë në një garë ndërkombëtare futbolli, natyrshëm preket një plagë e
ndjeshme e kujtesës sonë kombëtare.
Xhevat
Prekazi është, pa dyshim, një emër i njohur dhe i respektuar në historinë e
futbollit. Askush nuk mund t’ia mohojë talentin, karrierën, suksesin dhe
gjurmën që ka lënë në fushën e lojës. Mirëpo, një figurë publike nuk vlerësohet
vetëm për golat, fanellat apo duartrokitjet. Ajo vlerësohet edhe për
ndjeshmërinë morale, për kujtesën historike dhe për raportin që mban me rrënjët
e veta.
Për
Kosovën, Serbia nuk është vetëm një kundërshtar sportiv. Ajo lidhet me një
histori të rëndë politike, kombëtare dhe njerëzore. Gjatë luftës së fundit në
Kosovë, aparati shtetëror serb i kohës ushtroi dhunë, dëbime, masakra dhe krime
të rënda mbi popullsinë civile shqiptare. Prekazi, Reçaku, Meja, Krusha e Madhe
dhe Krusha e Vogël, Izbica, Suhareka, Qyshku, Pavlani, Zahaqi, Kralani,
Lubeniqi, Pokleku dhe shumë vende të tjera, nuk janë vetëm emra gjeografik në
hartën e Kosovës, por janë një dëshmi të një tragjedie të madhe kombëtare dhe
plagë të hapura në kujtesën historike të shqiptarëve.
Prandaj,
ta quash “tragjedi” mungesën e Serbisë në Botëror është një shprehje e tepruar
dhe e dhimbshme për ndjeshmërinë shqiptare. Tragjedi nuk është mungesa e një
kombëtareje në një garë futbolli. Tragjedi janë fëmijët e pafajshëm, civilët e
vrarë, familjet e dëbuara, gratë e dhunuara, shtëpitë e djegura, të pagjeturit
dhe varret masive. Këto janë plagët reale që Kosova ende i bart në trupin,
kujtesën dhe ndërgjegjen e saj kolektive.
Nostalgjia
për karrierën, për klubet, për bashkëlojtarët apo për vitet e kaluara në fusha
të ndryshme futbolli mund të kuptohet në rrafshin njerëzor. Çdo njeri ka të
drejtë ta kujtojë të kaluarën e vet profesionale. Mirëpo, kur kjo nostalgji e
zbeh kujtesën e Kosovës dhe dhimbjen e viktimave të saj, ajo bëhet e rëndë dhe
e papranueshme.
Një
shqiptar i Mitrovicës, siç është Xhevat Prekazi, nuk duhet ta harrojë prej nga
vjen, sidomos kur vetë Mitrovica mbetet një nga simbolet më të ndjeshme të
plagës, ndarjes dhe qëndresës shqiptare. Ky qëndrim nuk është thirrje kundër
sportit, as nxitje e urrejtjes ndaj askujt. Përkundrazi, është thirrje për
kujtesë, dinjitet dhe përgjegjësi publike. Sporti mund t’i afrojë njerëzit dhe
popujt, por ai nuk duhet të shërbejë si mjet për relativizimin e dhimbjes
historike. Pajtimi i vërtetë nuk ndërtohet mbi harresë, por mbi të vërtetën,
drejtësinë dhe respektin ndaj viktimave.
Pra,
e përsëris se ish-futbollisti Xhevat Prekazi mund të mbetet një emër i madh i
futbollit, por, si çdo figurë publike shqiptare, duhet të jetë i kujdesshëm dhe
i maturuar me fjalën e tij. Fjala e tij publike ka peshë, sidomos kur prek tema
të ndjeshme historike dhe kombëtare. Një gol mund të harrohet me kalimin e
kohës, por një deklaratë që lëndon kujtesën e viktimave dhe ndjenjën e popullit
prej nga ai vjen mund të mbetet gjatë në ndërgjegjen kolektive.
Në
fund, këtë këndvështrim timin e përmbyll me një pyetje: si mund të vajtohet kaq
shumë mungesa e Serbisë në Botëror, kur Kosova ende i mban plagët e krimeve,
masakrave dhe të pagjeturve?
Për
një shqiptar të Kosovës, veçanërisht për një shqiptar të Mitrovicës, kujtesa
nuk është zgjedhje. Ajo është detyrim moral, historik dhe njerëzor.
Klinë, 20 qershor 2026


