Lekë Mrijaj: Shqiptarët e Kosovës në qorrsokak drejt një besëlidhjeje kombëtare
SHQIPTARËT E KOSOVËS NË QORRSOKAK DREJT NJË BESËLIDHJEJE KOMBËTARE

Në
historinë politike dhe shpirtërore të shqiptarëve të Kosovës ka momente kur një
popull nuk mund të mbahet vetëm me fuqinë formale të institucioneve, por edhe
me aftësinë për ta rikthyer ndërgjegjen kombëtare në boshtin e saj moral.
Ne,
të gjithë qytetarët e Kosovës, jemi dëshmitarë se sot Kosova jonë heroike
ndodhet para një kolapsi, apo më konkretisht, para një udhëkryqi të tillë. Edhe
pse Republika e Kosovës, e lodhur nga përçarjet politike të pasluftës, nga
tensionet shoqërore dhe nga goditjet e shumta të brendshme e të jashtme, ajo
ende bart në thellësinë e saj fuqinë e ringritjes. Kjo fuqi buron nga kujtesa
historike, nga sakrifica e brezave dhe nga amaneti i lirisë.
Për
ta kuptuar këtë moment, duhet ta kthejmë vështrimin kah vitet e rënda të
robërisë serbe, sidomos kah vitet ’90, kur Kosova u përball me një kataklizëm
të rëndë kombëtar, me diskriminim e aparteid nga aparatura shtetërore
gjenocidiale, e kryesuar nga diktatori Sllobodan Millosheviq. Shqiptarët u
përjashtuan nga institucionet, u mbyllën shkollat shqipe, u ushtrua dhunë
sistematike, pati burgosje, vrasje, dëbime, varfërim të organizuar dhe
përpjekje për ta shkulur shqiptarin nga toka, gjuha dhe dinjiteti i tij.
Megjithatë,
pikërisht në atë terr historik, Kosova, edhe pse e okupuar, e ruajti kandilin e
vet, shkollën shqipe nëpër shtëpi, solidaritetin qytetar, durimin politik dhe
besimin se liria nuk ishte ëndërr, por detyrim moral e njerëzor. Në atë kohë të
rëndë okupimi, një nga aktet më të mëdha morale të kombit shqiptar ishte
Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve, e mishëruar nga prof. Anton Çetta, nga elita
intelektuale dhe studentore. Kjo lëvizje nuk ishte vetëm akt shoqëror, por një
katedrale e ndërgjegjes shqiptare, e ngritur mbi themelet e faljes, besës dhe
përgjegjësisë historike. Ajo vërtetë dëshmoi se kombi, kur e njeh rrezikun e
vet, di ta mposhtë plagën e brendshme për hir të së ardhmes së përbashkët.
Pas
viteve të rezistencës paqësore, lufta e fundit e Kosovës përbën kulmin e këtij
rrugëtimi historik, e cila ishte dhimbje, flijim dhe betejë për ekzistencë.
Dëshmorët çlirimtarë, martirët, të zhdukurit, të dëbuarit dhe familjet që
mbajtën mbi supe dramën e një populli mbeten gurët themeltarë të Republikës.
Kosova nuk është produkt i rastësisë historike, por një lis i rritur në stuhi,
një krijesë e sakrificës së popullit tonë dhe e gjakut të derdhur për liri.
Në
këtë rrugëtim vendimtar, një rol të pazëvendësueshëm luajtën Shtetet e
Bashkuara të Amerikës. Kosova, përveçse krijesë e sakrificës sonë kombëtare,
është edhe një krijesë politike e mbështetjes së madhe amerikane. Ishte
Amerika, e drejtuar në periudha vendimtare nga George H. W. Bush, Bill Clinton
dhe George W. Bush, ajo që luajti një rol emblematik, njerëzor dhe vendimtar
gjatë luftës, pas luftës dhe në procesin e shpalljes së pavarësisë. Amerika, me
tre korifenjtë e saj, Bush I, Clinton dhe Bush II, nuk ishte vetëm aleate
diplomatike, por u bë zëri i drejtësisë në një kohë kur populli i Kosovës
rrezikonte dëbimin, shfarosjen dhe humbjen e së drejtës së tij historike për
liri. Prandaj, ruajtja e miqësisë me Amerikën nuk është vetëm interes politik,
por pjesë e kujtesës sonë kombëtare dhe e arkitekturës së shtetësisë së
Kosovës.
Shpallja
e Pavarësisë më 17 shkurt 2008 ishte kurorëzim i kësaj sakrifice. Ajo ishte akt
juridik dhe politik, por mbi të gjitha ishte akt i një vetëdijeje historike që
kërkonte të jetonte e lirë në shtëpinë e vet. Megjithatë, pavarësia nuk është
vetëm datë kalendarike, por një pemë që duhet ujitur çdo ditë me drejtësi,
dije, përgjegjësi dhe unitet.
Sot,
Republika e Kosovës përballet me fenomene që lirisht mund t’i quajmë mesjetare
dhe që mund ta dobësojnë nga brenda: përçarja politike, polarizimi shoqëror,
humbja e besimit në institucione, korrupsioni moral, largimi i rinisë nga
Kosova, propaganda dhe relativizimi i luftës çlirimtare. Këto janë çarje në
murin e shtetit, të cilat, nëse gjendja aktuale nuk trajtohet me seriozitet,
mund të bëhen porta të rrënimit.
Një
plagë e veçantë e kësaj kohe mbetet edhe Gjykata Speciale në Hagë, ku po
gjykohen figura të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Respektimi i
drejtësisë është parim themelor i çdo shoqërie demokratike, por drejtësia nuk
mund të kuptohet e shkëputur nga e vërteta historike dhe nga kujtesa e
viktimës. Shqetësimi qytetar buron nga ndjenja se lufta çlirimtare rrezikon të
vendoset në bankën e akuzës më shumë sesa krimi i organizuar shtetëror serb, i
cili shkaktoi masakra, dëbime, dhunime, shkatërrime dhe plagë ende të hapura.
Në
këtë kontekst, protestat e përditshme dhe zëri qytetar marrin kuptimin e një
kambane kombëtare, të cilat nuk janë vetëm reagim politik, por thirrje për
drejtësi, për kujtesë dhe për dinjitet. Kur qytetari del në shesh në mënyrë
paqësore, ai nuk kërkon prishjen e rendit demokratik, por rikthimin e
ekuilibrit moral ndërmjet drejtësisë dhe së vërtetës. Protesta e dinjitetshme
është frymëmarrje e Republikës, jo dobësi e saj.
Prandaj,
shqiptarët e Kosovës, në këtë moment delikat, kanë nevojë për një pajtim të
madh kombëtar, të ngjashëm me modelin moral që dikur e mishëroi prof. Anton
Çetta. Ky pajtim nuk kërkon shuarjen e mendimit ndryshe, sepse demokracia
ushqehet nga pluralizmi. Por pajtimi kërkon një marrëveshje të madhe mbi
çështjet që nuk duhet të relativizohen: sovraniteti i Republikës, nderimi i
luftës çlirimtare, mbrojtja e së vërtetës historike, ruajtja e aleancave
strategjike, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, forcimi i arsimit,
ndalja e zbrazjes demografike dhe rikthimi i etikës në jetën publike.
Në
këtë frymë, ideja e një Këshilli Kombëtar, të kryesuar nga Akademia e Shkencave
dhe e Arteve e Kosovës, me pjesëmarrjen e elitës së pavarur intelektuale e
studentore dhe të bashkësive fetare shqiptare të Kosovës, duhet parë si nevojë
e domosdoshme e kohës.
Një
strukturë e tillë në asnjë mënyrë nuk do të synonte zëvendësimin e
institucioneve shtetërore, por fuqizimin e ndërgjegjes publike përballë
rrezikut të rrënimit moral, politik dhe institucional të Republikës. Ajo do të
ishte një tryezë e arsyes kombëtare, ku fjala akademike, energjia intelektuale
e rinore dhe urtësia shpirtërore do të takoheshin në shërbim të shtetit.
Kosova,
në fund të fundit, nuk është vetëm territor politik, por është kujtesë, gjak,
gjuhë, lutje, flamur dhe amanet. Është buka e shkollës shqipe të viteve ’90,
loti i nënave të të zhdukurve, varri i dëshmorit, sheshi i protestës, fjala e
studentit dhe bekimi i atyre që kërkojnë paqe. Për këtë arsye, rrënimi i saj
nuk do të ishte vetëm humbje institucionale, por thyerje e një një Besa Bese
apo e një Besëlidhjeje historike kastriotane.
Nëse
prof. Anton Çetta dikur arriti ta shndërronte plagën e gjakmarrjes në altar
pajtimi, sot Kosova jonë heroike duhet ta shndërrojë plagën e përçarjes në
platformë bashkimi. Kjo është sfida e brezit tonë, në mënyrë që të mos lejojmë
që Republika të mbetet vetëm emër në dokumente, por ta bëjmë shtëpi të
drejtësisë, kujtesës dhe dinjitetit kombëtar. Sepse një popull që e harron
sakrificën e humb busullën, por një popull që kthehet te amaneti i vet mund të
ringrihet edhe pas stuhive më të rënda. Kosova, përmes popullit të saj, e ka
dëshmuar këtë më shumë se një herë. Tani
i duhet ta dëshmojë sërish, jo vetëm duke mbijetuar, por duke u pajtuar, duke u
forcuar dhe duke e mbrojtur Republikën si kurorën më të çmuar të historisë së
saj moderne.
Klinë, më 23 shtator
2026


