Kujtim Mateli: Pellazgët nuk janë një popull mitologjik, por me territor, histori dhe qytetërim përgjatë gjithë antikitetit
Pellazgët nuk janë një popull mitologjik, por me territor, histori dhe qytetërim përgjatë gjithë antikitetit

Libri më i fundit i studiuesit të përkushtuar
dhe mitologut Kol Marku “Bijtë e Pellazgut” ka disa ditë që ndodhet në
libraritë e qytetit të Tiranës dhe në bibliotekat e atyre që e dinë rëndësinë
që ka mitologjia në njohjen e shoqërisë njerëzore në fillesat e saj.
1-Pellazgët në burimet
mitologjike
Tregimet
mitologjike janë ndër format më të hershme të mendimit njerëzor. Përpara se të
lindte historia si disiplinë shkencore, njeriu përpiqej të kuptonte botën
përmes miteve: duke shpjeguar prejardhjen e natyrës, të njeriut, të rendit
shoqëror dhe të së shenjtës. Në këtë kuptim, mitologjia nuk është thjesht
fantazi, por një pasqyrë e mënyrës se si shoqëritë e para e konceptonin
ekzistencën. Në shoqërinë shqiptare të sotme, njohja e mitologjisë pellazge
mbetet e kufizuar. Ajo nuk është pjesë e një tradite të mirë strukturuar
studimore në shkollë apo në akademi dhe për këtë arsye nuk trajtohet si objekt
kërkimi shkencor.
Miti
për Pellazgun paraqitet në forma të ndryshme në traditat e lashta. Në rrëfimet
e antikitetit, Pellazgu konsiderohet si një nga njerëzit e parë, një figurë
autoktone që lind nga toka (pra, një “i lindur nga dheu”). Pasardhësit e tij,
sipas miteve, përhapen në territore të gjera dhe lidhen me krijimin e rendit të
parë shoqëror, të bujqësisë dhe të organizimit fisnor. Këto tregime kanë një
karakter simbolik: ato përpiqen të shpjegojnë origjinën e njeriut dhe të
bashkësisë në një kohë kur historia e shkruar nuk ekzistonte. Libri më i ri
“Bijtë e Pellazgut” që ka për autor kërkuesin shkencor Kol Marku, për shoqërinë shqiptare, sfida mbetet që këto
tema të trajtohen jo vetëm me ndjenjë
identitare, por edhe me qasje shkencore, në mënyrë që e kaluara të kuptohet më
mirë dhe të mos shndërrohet në mit të ri.
Një
nga pikat ku lidhet shpesh mitologjia pellazge është Dodona, një nga orakujt më
të vjetër të botës së lashtë. Sipas burimeve antike, Dodona i kushtohej hyjnisë
së qiellit dhe lidhej me kultin e lisit të shenjtë. Autorë të ndryshëm e
përmendin atë si një qendër shumë të hershme fetare, e cila lidhet me
popullsitë pellazge. Në mungesë të burimeve të drejtpërdrejta dhe të qarta, ka
studiues që e diskutojnë ende origjinën e saj duke e vënë në dyshim origjinën
pellazge të Dodonës, siç janë disa studiues grekë të ditëve të sotme.
Megjithatë, është e rëndësishme të kuptohet se mitologjia dhe realiteti
historik nuk përputhen gjithmonë në mënyrë të drejtpërdrejtë; shpesh ato ndërthuren
dhe transformohen me kalimin e kohës.
Mirëpo
autorët e antikitetit nuk e kanë anashkaluar mitologjinë. Ata i trajtonin si
tregime të ruajtura nga të parët e tyre dhe të trashëguara brez pas brezi, në
kohën kur mungonte shkrimi. Para përdorimit të gjerë të emrit “Epir”, ku
ndodhet Dodona, autorët antikë e lidhin atë zonë me emrin e Pellazgjisë, me
fiset e quajtura pellazge, kurse më vonë me emrat e fiseve: kaonë, molosë,
thesprotë, që përsëri konsideroheshin fise pellazge. Autorët e antikitetit i
përdorën mitologjitë për të shkuar në origjinë të fiseve të tyre, sepse ata i
konsideronin ato tregime të moçme si të vërteta që ua kishin treguar të parët e
banorëve në atë truall që së pari është njohur me emrin Pellazgji. Studiuesi
dhe mitologu Kol Marku, pasi i ka dhënë territoret mbi të cilin sundonin bijtë
e Pellazgut, jep dhe të ardhurin e parë, në Argos që ishte Danau, i shoqëruar
nga 50 bijat e tij. Këtu shfaqet një nga tiparet më njerëzore të Pellazgut, i
cili e priti të porsaardhurin duke i dhënë bukë, strehë dhe territor për të
jetuar.
2-Pellazgët në
territorin e Helladës përgjatë antikitetit dhe vazhdimësia e tyre historike në
Epir
Figura
e Pellazgut zë një vend të rëndësishëm në traditën e lashtë ballkanike dhe
egjeane. Sipas autorëve antikë, emri i tij lidhej me një territor shumë të
gjerë, që shtrihej nga Kreta deri në kufijtë e Thrakisë dhe Ilirisë. Në
traditën mitologjike ai paraqitet si ati i pellazgëve, popullsisë së hershme të
Ballkanit jugor dhe të botës egjeane. Por rëndësia e pellazgëve nuk mbetet
vetëm në tregimet mitologjike. Autorët e antikitetit dëshmojnë se pellazgët
jetonin edhe në kohët historike dhe se vazhdonin të ruheshin si bashkësi me
identitet të dallueshëm.

Edhe
Straboni jep dëshmi të rëndësishme për shtrirjen e pellazgëve. Ai tregon se
pellazgët jetonin në ishullin e Lesbos, ndërsa Plini Plaku dëshmon se emri më i
hershëm i Lesbosit kishte qenë Issa. Këto dëshmi tregojnë ekzistencën e
pellazgëve në kohën e tyre, por që edhe shumë territore të tjera të Egjeut
ruanin kujtesë të lashtë parahelenike, e lidhur me pellazgët dhe me popullsitë
e hershme të rajonit. Një tjetër qendër me rëndësi të madhe ishte Samothraka.
Straboni shkruan se në këtë ishull ruheshin rite të lashta fetare, ndërsa
Herodoti pohon se samothrakasit i kishin marrë këto rite nga pellazgët. Kjo
dëshmi ka rëndësi të veçantë, sepse tregon vazhdimësinë e traditave fetare
pellazge në botën egjeane dhe ndikimin e tyre mbi kultet e mëvonshme. Kulti dhe
misteret samothrakase konsideroheshin ndër më të vjetrat e botës antike dhe
lidhja e tyre me pellazgët dëshmon lashtësinë e kësaj popullsie.
Edhe
Homeri përmend pellazgët në veprat e tij sidomos në territorin e Thesalisë. Në përshkrimin që i bën Kretës, ai
thotë se në ishull ndodheshin nëntëdhjetë qytete dhe se aty jetonin katër fise,
ndër të cilët edhe “pellazgët hyjnorë”. Ky epitet tregon respektin dhe
lashtësinë që u atribuohej pellazgëve në traditën homerike. Gjurmë të tyre
përmenden gjithashtu në Ikaria dhe Samos, çka dëshmon se prania pellazge
shtrihej në shumë ishuj të Egjeut. Të gjitha këto territore të përmendura nga
Herodoti, Straboni, Homeri dhe Plini Plaku ndodheshin në hapësirën që në kohën
klasike quhej Hellada. Kjo tregon se pellazgët nuk përmendeshin si një popullsi
e zhdukur e së kaluarës së largët, por si bashkësi që jetonin ende në troje
konkrete brenda territorit të Helladës. Në këtë kuptim, autorët antikë japin të
kuptohet se bota helene nuk ishte etnikisht homogjene, por përfshinte edhe
popullsi më të vjetra, ndër të cilat pellazgët zinin një vend të rëndësishëm.
Në
këtë tablo historike një vend të veçantë zë Epiri. Autorët antikë e lidhin
Epirin me pellazgët dhe me Dodonën, faltoren e famshme pellazge të Zeusit.
Dodona konsiderohej nga shumë autorë si një nga qendrat më të lashta fetare të
Ballkanit jugor. Prania e saj në zemër të Epirit dhe lidhja me traditën
pellazge e forcojnë idenë se pellazgët nuk ishin vetëm një kujtim mitologjik,
por një popullsi që kishte vazhdimësi historike dhe territoriale, sidomos në
Epir, ku Dodona pellazge mbijetoi deri në shekullin e katërt pas Krishtit, kur
perandori romak Teodosi I e shkatërroi tempullin e Dodonës duke e kthyer në
kishë, kurse faltoren në qendër peshkopale të Epirit të Vjetër. Dëshmitë e
autorëve antikë tregojnë se pellazgët nuk mund të trajtohen thjesht si një
popull legjendar i zhdukur në mjegullën e miteve. Ata shfaqen në ishuj, qytete
dhe rajone konkrete të botës egjeane dhe epirote, duke ruajtur gjurmë të
identitetit, gjuhës dhe riteve të tyre. Kjo e bën çështjen pellazge një nga
temat më të rëndësishme dhe më të debatueshme të historisë së lashtë të
Ballkanit dhe veçanërisht për historinë e shqiptarëve.
Duke
e lexuar këtë libër të autorit Kol Marku “Bijtë e Pellazgut” do të shohim që
figurat kryesore që kanë hyrë në Histori duke filluar me Akilin dhe Odisean dhe
dhjetëra e qindra të tjera rrjedhin nga fisi më i vjetër i gadishullit tonë,
nga pellazgët që ndriçuan me mendjen e tyre shoqërinë njerëzore dhe krijuan
qytetërimin e parë në këto brigje të Mesdheut që njihet me emrin: qytetërimi
pellazgjik. Sfida e një argumentimi shkencor, i pranimit të etnisë pellazge si
paraardhësit e shqiptarëve, mbetet një nga sfidat më të vështira dhe nga më të
bukurat për studiuesit shqiptarë.









