Albert Zholi: Intervistë me poetin dhe kritikun letrar Çelik Petriti

1h më parë

Intervistë me poetin dhe kritikun letrar Çelik Petriti:

- Një komb nuk mbahet vetëm me asfalt dhe ndërtesa të larta, por me kulturë, arsim, shëndetësi, rini të punësuar, kujtesë dhe dinjitet njerëzor

Sistemin monist nuk e kam pëlqyer por, arsimi, letërsia dhe sidomos Kongresi i Drejtshkrimit mbeten përmendore të dijes kombëtare.

- Një poet apo shkrimtar në Shqipëri lufton për të botuar një libër, ndërsa një politikan harxhon miliona për luks, propagandë dhe spektakël.

- Poeti nuk mund të bëhet servil i politikës, sepse në momentin që i shërben pushtetit, ai humbet misionin e tij.

- Letërsia duhet të jetë zë kritik, jo dekor festivash apo duartrokitje boshe për qeveritë e dështuara.

- Kadareja mbetet shkrimtari shqiptar me përmasë ndërkombëtare pasi futi letërsinë shqiptare në hartën botërore dhe kjo është meritë historike.

- Rexhep Qosja është ndër mendjet më të rëndësishme të mendimit kritik shqiptar pasi pati guxim intelektual dhe ka mbrojtur shpesh ide që kërkonin kurajë në kohë të vështira.

- Dritëro Agolli kishte një talent të rrallë komunikimi me njeriun e zakonshëm ku poezia dhe proza e tij kishin humor, ironi dhe ngrohtësi njerëzore.

- Në vendet e qytetëruara, intelektuali respektohet si ndërgjegjja e shoqërisë, ndërsa tek ne shpesh trajtohet si figurë e panevojshme, sidomos kur nuk i shërben pushtetit.

-Sot jetojmë në një realitet paradoksal flitet shumë për demokraci dhe liri, por kurrë nuk është ndjerë kaq shumë shpërfillja ndaj kulturës dhe mendimit të lirë.

Nga Albert Z. ZHOLI

Çelik Petriti është një poet dhe kritik letrar ekstravagant, i cili nuk bën kompromis në krijimtari. Librat dhe kritikat e tij letrare vlerësohen për guximin, sinqeritetin dhe qëndrimin larg konformizmit. Si mësues letërsie dhe krijues, ai ka ndërtuar një model ndryshe në mendimin letrar shqiptar. Në monizëm ka qenë konsekuent në mbrojtjen e vlerave të letërsisë, duke qenë kritik i hapur ndaj krijimeve standarde e klishe që i shërbenin sistemit. Edhe sot ai vazhdon të mbetet po ai zë i lirë dhe kritik ndaj realitetit shqiptar.

Ju shohim shpesh në shtypin shqiptar jo vetëm si krijues, por edhe si një intelektual që nuk bën kompromise me politikën. Si do ta cilësonit situatën e sotme, kur poetët dhe shkrimtarët mezi botojnë një libër që t'i shërbejë shoqërisë, ndërsa politikanët jetojnë në luks?

Sot jetojmë në një realitet paradoksal. Kurrë nuk është folur kaq shumë për demokraci dhe liri, por kurrë nuk është ndjerë kaq shumë shpërfillja ndaj kulturës dhe mendimit të lirë. Një poet apo shkrimtar në Shqipëri lufton për të botuar një libër, ndërsa politika harxhon miliona për luks, propagandë dhe spektakël. Kjo tregon se sistemi ynë nuk e konsideron kulturën prioritet kombëtar. Në vendet e qytetëruara, intelektuali respektohet si ndërgjegjja e shoqërisë, ndërsa tek ne shpesh trajtohet si figurë e panevojshme, sidomos kur nuk i shërben pushtetit. Poeti nuk mund të bëhet servil i politikës, sepse në momentin që i shërben pushtetit, ai humbet misionin e tij. Letërsia duhet të jetë zë kritik, jo dekor festivash apo duartrokitje për qeveritë. Kjo është arsyeja pse sot kemi shumë zhurmë mediatike dhe pak vepra që mbeten në kohë.

Ju jeni pensionist. Me pensionin që merrni sot, çfarë mund të siguroni realisht për jetën tuaj? A mund të përballojë një pensionist shqiptar edhe 10 ditë pushime në plazh?

Pensionisti shqiptar sot jeton mes dinjitetit dhe mbijetesës. Me pensionin aktual mezi paguhen ilaçet, energjia elektrike, uji dhe ushqimet bazë. Pushimet për shumicën janë luks i paarritshëm. Është e dhimbshme që njerëz që kanë punuar 35 apo 40 vite të jetojnë me ankthin e faturave. Një shtet matet nga mënyra si trajton pensionistët, mësuesit, artistët dhe njerëzit e dijes. Kur sheh që politikanët jetojnë në komoditet të tepruar, ndërsa pensionistët numërojnë lekët për bukën e gojës, kupton se kemi humbur sensin e drejtësisë sociale. Në Shqipëri flitet shumë për zhvillim, por zhvillim nuk ka kur qytetari i zakonshëm jeton me frikën e së nesërmes.

Edi Rama dhe Sali Berisha kanë afro 30 vjet që dominojnë politikën shqiptare. A është normale kjo për një vend demokratik?

Demokracia nuk është vetëm votë, por edhe qarkullim elitash dhe mendimi. Kur për tri dekada politika dominohet nga të njëjtët njerëz, krijohet lodhje kombëtare dhe krizë besimi. Shqipëria ka mbetur peng i konfliktit të përhershëm politik. Një brez i tërë është rritur duke dëgjuar të njëjtat debate, të njëjtat akuza dhe të njëjtët protagonistë. Problemi nuk janë vetëm individët, por mentaliteti politik që kanë ndërtuar. Tek ne partitë funksionojnë më shumë si prona personale sesa si institucione demokratike. Nuk krijohen elita të reja, nuk promovohen mendje të pavarura. Kjo sjell varfërim të jetës publike dhe largon të rinjtë nga besimi tek politika.

Cili është mendimi juaj për Ismail Kadare, Rexhep Qosja dhe Dritëro Agolli?

Janë tre figura të rëndësishme të kulturës shqiptare, secili me individualitetin dhe ndikimin e vet. Kadareja mbetet shkrimtari shqiptar me përmasë ndërkombëtare. Ai arriti ta fusë letërsinë shqiptare në hartën botërore dhe kjo është meritë historike. Natyrisht, për një figurë të tillë debatet janë të pashmangshme, por askush nuk mund ta mohojë forcën artistike të veprës së tij. Rexhep Qosja është ndër mendjet më të rëndësishme të mendimit kritik shqiptar. Ai ka pasur guxim intelektual dhe ka mbrojtur shpesh ide që kërkonin kurajë në kohë të vështira. Ndërsa Dritëro Agolli kishte një talent të rrallë komunikimi me njeriun e zakonshëm. Poezia dhe proza e tij kishin humor, ironi dhe ngrohtësi njerëzore. Ai mbeti poet i tokës dhe i shpirtit shqiptar.

Cilat janë problemet më të mëdha të letërsisë shqiptare sot? Dhe si e shihni debatin e Rita Petro për Kadarenë?

Problemi më i madh sot është mungesa e kritikës serioze letrare. Ka shumë botime, por pak filtrim cilësor. Shpesh promovohen emra për interesa klanesh, miqësish apo marketingu mediatik. Letërsia po vuan nga mediokriteti dhe nga mungesa e lexuesit kritik. Debati për Kadarenë është normal. Letërsia jeton edhe nga polemika. Por kritika duhet të bëhet me argument estetik dhe kulturor, jo me mllef personal apo për sensacion. Askush nuk është mbi kritikën, por as kritika nuk duhet të kthehet në spektakël banal. Sot kemi nevojë për debat të vërtetë kulturor, jo për grindje televizive që harrohen pas një jave.

Shqipëria sot nuk ka një organizim të fortë të shkrimtarëve dhe artistëve. A është i nevojshëm rikrijimi i një organizate të tillë?

Është mëse i nevojshëm. Një komb pa organizim kulturor mbetet pa zë intelektual. Artistët dhe shkrimtarët duhet të kenë një institucion që mbron interesat e tyre, promovon vlerat dhe reagon ndaj problemeve të kulturës kombëtare. Sot artisti shqiptar është i vetmuar. Nuk ka mbështetje reale, nuk ka politikë kulturore afatgjatë. Politika e do intelektualin vetëm kur ai duartroket. Por intelektuali i vërtetë nuk është dekor pushteti; ai është ndërgjegjja kritike e shoqërisë.

Si do ta komentonit sot Kongresi i Drejtshkrimit?

Kongresi i Drejtshkrimit ishte një ngjarje historike me rëndësi kombëtare. Për herë të parë shqiptarët patën një standard të përbashkët gjuhësor. Mund të ketë pasur mangësi apo debate, por rëndësia e tij mbetet e madhe. Sot disa përpiqen ta politizojnë atë kongres, por gjuha standarde është shtyllë e identitetit kombëtar. Shqipja nuk duhet copëzuar për interesa krahinore apo politike. Ajo duhet pasuruar, mbrojtur dhe kultivuar.

Shqipja e folur dhe ajo e shkruar po deformohen gjithnjë e më shumë. A janë politikanët ndër fajtorët kryesorë?

Politikanët kanë ndikim të madh, sepse flasin çdo ditë në publik dhe në media. Fatkeqësisht, shpesh përdorin një gjuhë të varfër, slogane boshe dhe huazime të panevojshme. Duket sikur disa kanë turp të flasin shqip pastër. Por problemi nuk është vetëm tek politika. Edhe televizionet, rrjetet sociale dhe niveli i dobët i leximit po ndikojnë negativisht. Një komb që humbet respektin për gjuhën, humbet identitetin e vet kulturor.

Në kohën e rrjeteve sociale, a ka ende vend për poezinë dhe librin serioz?

Poezia nuk vdes. Mund të ndryshojnë kohët dhe teknologjia, por njeriu gjithmonë do të ketë nevojë për ndjeshmëri, reflektim dhe shpirt. Problemi është se sot gjithçka kërkohet e shpejtë dhe sipërfaqësore. Rrjetet sociale kanë krijuar iluzionin se çdo njeri që shkruan dy fjali është poet. Por letërsia kërkon kulturë, përvojë dhe punë të gjatë me gjuhën. Një poezi e mirë nuk lind nga moda, por nga dhimbja, mendimi dhe talenti.

Çfarë ju shqetëson më shumë sot si poet dhe si qytetar shqiptar?

Më shqetëson largimi i rinisë dhe humbja e shpresës. Shqipëria po boshatiset jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht. Kur të rinjtë nuk besojnë më tek e ardhmja në vendin e tyre, kjo është kambanë alarmi për kombin. Më dhemb gjithashtu varfërimi kulturor. Shoqëria po bëhet gjithnjë e më agresive, më sipërfaqësore dhe më indiferente ndaj dijes. Një komb nuk mbahet vetëm me asfalt dhe ndërtesa të larta. Ai mbahet me kulturë, arsim, kujtesë dhe dinjitet njerëzor.

Arsimi dje dhe sot, ndryshimet

Dallimi mes arsimit në periudhën e monizmit dhe atij të sotëm është shumëplanësh dhe nuk lidhet vetëm me mënyrën e mësimdhënies, por edhe me raportin që shoqëria kishte me dijen, me shkollën dhe me figurën e mësuesit. Në kohën e monizmit, pavarësisht kufizimeve ideologjike që kishte sistemi, shkolla kishte një autoritet të padiskutueshëm. Mësuesi respektohej jashtëzakonisht shumë dhe shihej si një figurë e shenjtë e dijes. Në shumë zona të vendit, sidomos në fshatra, mësuesi konsiderohej si njeriu më i ditur i komunitetit, një lloj prijësi moral dhe kulturor. Nxënësit e shikonin me admirim, me drojë dhe me respekt. Edhe prindërit kishin besim të madh tek fjala e mësuesit dhe bashkëpunonin me shkollën. Në atë kohë, mësuesi nuk e mbyllte detyrën me rënien e ziles. Ai merrej me nxënësit edhe pas orarit, u shpjegonte mësimet, interesohej për familjen e tyre, për ecurinë, për sjelljen dhe karakterin. Kishte një lidhje më njerëzore dhe më edukative mes mësuesit dhe nxënësit. Shkolla synonte jo vetëm të jepte dije, por edhe të formonte karakterin, disiplinën dhe përgjegjësinë qytetare. Nxënësit mbanin uniformë dhe kjo krijonte një ndjenjë barazie sociale, disipline dhe identiteti kolektiv. Nuk kishte dallime të dukshme mes të pasurit dhe të varfrit në ambientet shkollore. Sot koha ka ndryshuar dhe bashkë me të ka ndryshuar edhe arsimi. Jemi në një sistem më të hapur, me më shumë informacion, me teknologji dhe me mundësi më të mëdha komunikimi, por njëkohësisht duket se është zbehur autoriteti i shkollës dhe i mësuesit. Tekstet dhe abetaret ndryshojnë shpesh, duke krijuar paqartësi dhe mungesë stabiliteti në procesin mësimor. Shpesh reformat bëhen pa u konsoliduar ende ato të mëparshmet. Kjo e lodh sistemin dhe krijon pasiguri tek mësuesit, nxënësit dhe prindërit. Një tjetër problem është se sot i kushtohet më shumë rëndësi anës së jashtme sesa përgatitjes së brendshme profesionale. Jo rrallë, në vend që të konkurrohet me dije, kulturë dhe metodikë, vihet re një prirje drejt fasadës dhe formalitetit. Natyrisht kjo nuk vlen për të gjithë mësuesit, sepse ka shumë arsimtarë të përkushtuar edhe sot, por fenomeni ekziston dhe ndihet. Edhe vetë nxënësi ka ndryshuar. Dikur fëmijët shkruanin shumë me dorë, lexonin më tepër libra dhe ushtronin kujtesën. Sot teknologjia ua ka lehtësuar punën, por njëkohësisht ua ka dobësuar lidhjen me librin dhe shkrimin tradicional. Detyrat shpesh bëhen në kompjuter, kopjohen nga interneti dhe mungon puna krijuese individuale. Shkrimi me dorë, që ndikon edhe në zhvillimin e mendimit dhe kujtesës, po humbet gradualisht. Megjithatë, nuk duhet parë çdo gjë bardh e zi. Arsimi i sotëm ka avantazhet e veta të mëdha: informacioni është i pakufizuar, nxënësit kanë akses në gjuhë të huaja, në literaturë botërore dhe në teknologji moderne. Problemi nuk është teknologjia, por mënyra se si përdoret ajo. Nëse dikur kishim disiplinë pa liri të plotë, sot kemi liri më të madhe, por shpesh mungon disiplina dhe orientimi. Sfida e arsimit shqiptar mbetet gjetja e ekuilibrit mes dijes moderne dhe vlerave tradicionale të edukimit.