Ilir Çumani: E bekuar kjo protestë e bukur rinore

E BEKUAR KJO PROTESTË E
BUKUR RINORE…

Ajo
që po ndodh sot në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në sheshet e ndryshme të
Shqipërisë dhe në shumë sheshe të kryeqyteteve të botës, kudo ku janë
emigrantët shqiptarë, që nga dita e parë e protestës e deri më sot, na kujton
se zëri më i rëndësishëm nuk vjen nga institucionet, as nga zyrat e pushtetit,
as nga ekranet që me tam-tamet e tyre prodhojnë opinione të gatshme.
Buçima
e zërit të vërtetë të një shoqërie që shpraps dhe ndal çdo padrejtësi, çdo
arrogancë pushteti, çdo shurdhëri ndaj sovranit vjen nga rrugët, nga sheshet,
nga energjia e atyre që ende nuk janë pajtuar me padrejtësinë dhe që nuk e kanë
humbur aftësinë për t’u indinjuar.
Sot
është dita e 18-të e kësaj beteje të drejtë kundër të keqes dhe, në këto
momente, rinia nuk është thjesht një grupmoshë. Ajo shndërrohet në një pasqyrë
morale, ku e gjithë shoqëria sheh fytyrën e saj të vërtetë.
Një
popull fillon të plaket jo kur i thinjen flokët, por kur të rinjtë e tij humbin
besimin se mund ta ndryshojnë realitetin. Kur brezi i ri zgjedh heshtjen,
atëherë hesht vizioni dhe e ardhmja. Kur ai ngrihet për të folur, pavarësisht
kostove, kjo do të thotë se ende ekziston një rezervuar shprese që nuk është
tharë.
Protesta
rinore është reagimi më natyror ndaj ndjenjës së padrejtësisë. Ajo lind nga përplasja
midis asaj që të rinjtë mësojnë si vlerë dhe asaj që shohin si realitet.
Kur
meritokracia zëvendësohet nga privilegji, kur ëndrra për të ndërtuar jetën në
vendin e vet përplaset me muret e korrupsionit, nepotizmit, trafikun e
influencës përmes lidhjeve të errëta dhe okulte me pushtetin, me korrupsionin
administrativ në të gjitha nivelet e administratës shtetërore, kur talenti
ndihet i papërfaqësuar dhe i shpërfillur, atëherë protesta nuk është problem.
Ajo është simptoma më e qartë e një problemi shumë më të madh që kërkon me
urgjencë zgjidhje përfundimtare.
Shoqëritë
e zhvilluara dhe të emancipuara që i dëgjojnë të rinjtë kanë aftësinë të
korrigjohen dhe të reformohen pa trauma. Ato që i përqeshin, i etiketojnë ose i
demonizojnë këta të rinj, zakonisht e shtyjnë krizën drejt përmasave edhe më të
rënda, me pasoja të paparashikueshme.
Eksperienca
dhe përvoja e historisë botërore të protestave demokratike ka treguar
vazhdimisht se energjia rinore nuk mund të injorohet, nuk mund të anashkalohet,
aq më pak nuk mund të asgjësohet; ajo vetëm mund të dialogojë me sistemin ose
të përplaset pa asnjë kompromis me të.
Mençuria
dhe maturia e një shteti demokratik (jo ai represiv) matet pikërisht nga mënyra
se si sillet me këtë energji.
Protesta
e të rinjve është një mekanizëm vetërregullues i demokracisë. Nuk ka rëndësi se
kush qeveris dhe kush opoziton në politikë. Rëndësi ka fakti se një demokraci e
shëndetshme ka nevojë për qytetarë që nuk frikësohen të kërkojnë llogari.
Kur
një pushtet fillon të shohë si armik çdo zë kritik, ai nuk po lufton
kundërshtarët e vet, por parimin mbi të cilin pretendon se mbështetet.
Por
ekziston edhe një dimension antropologjik, ku çdo brez ka nevojë të lërë
gjurmën e tij në historinë e vendit.
Të
rinjtë nuk protestojnë vetëm për problemet e ditës. Ata protestojnë për të
drejtën për të qenë aktorë dhe faktorë të së ardhmes së tyre. Në thelb, kjo
është një përpjekje për dinjitet, për përkatësi dhe për kuptim. Një shoqëri që
ua mohon këtë të drejtë të rinjve, rrezikon të humbasë lidhjen me vetveten.
Pikërisht
për këtë arsye, debati nuk duhet të përqendrohet te mënyra se si flasin të
rinjtë, por te arsyet pse ata ndihen të detyruar të flasin përmes zërit të tyre
në këto protesta legjitime.
Nuk
duhet të na shqetësojë zhurma e protestës, por nëse heshtja do ta zëvendësonte
atë, sepse gjithmonë heshtja kolektive nuk është kurrë shenjë harmonie, por
shenjë dorëzimi.
Çdo
shoqëri mund të ndryshojë dhe të përparojë kur arrin ta shohë dhe ta
konsiderojë rininë jo si një problem për t’u administruar, por si një potencial
për t’u dëgjuar. Në fund të fundit, çdo epokë gjykohet nga brezat që vijnë pas
saj.
Brezat
e rinj, ata që janë dhe ata që do të vijnë, nuk do të kujtojnë sa të forta
ishin pushtetet e një kohe, por sa e aftë ishte shoqëria për të dëgjuar zërin e
së vërtetës kur ai vinte nga më të rinjtë e saj.
E
ardhmja nuk troket në derën e një vendi me kostumet e pushtetit, por vetëm me
fytyrën e rinisë, me pyetjet e saj, me revoltën e saj dhe me guximin për të mos
pranuar si normale atë që është anormale.
Dhe
sa herë që një shoqëri arrin ta kuptojë këtë, ajo fiton shansin për t’u bërë më
e drejtë, më e lirë dhe më njerëzore….
Ndaj,
me plot të drejtë, sot pas 36 vjetësh tranzicion të gjatë, pritjesh, zhgënjimesh,
shpresash të thyera dhe ëndrrash të shtyra pafundësisht në kohë, i gjithë Kombi
Shqiptar duhet të ndihet krenar për këta të rinj dhe ta përshëndesë me respekt
e mirënjohje këtë protestë të bukur qytetare.
Jo
thjesht si një reagim të një brezi ndaj problemeve të kohës së vet, por si një
dëshmi se ndërgjegjja e shoqërisë shqiptare ende jeton, ende frymon dhe ende
refuzon të pajtohet me padrejtësinë.
Kjo
protestë nuk është vetëm zëri i rinisë, por edhe jehona e aspiratave të një
kombi që kërkon dinjitet, drejtësi dhe shpresë. Ajo është kujtesa se liria nuk
është një dhuratë që fitohet një herë e përgjithmonë, por një vlerë që duhet
mbrojtur dhe ripërtërirë nga çdo brez.
Prandaj,
këta të rinj në protestë meritojnë jo vetëm duartrokitjet e ditës, por edhe
mbështetjen morale të gjithë shoqërisë, sepse në guximin e tyre për të ngritur
zërin pasqyrohet besimi se Shqipëria mund të bëhet më e drejtë, më e dhembshur,
më demokratike dhe më e denjë për të gjithë bijtë e saj, pa dallim feje, bindje
politike dhe përkatësie.
Dhe
nëse një ditë historia do të kërkojë të gjejë shenjat e shpresës në këtë kohë
të trazuar, me siguri do t’i gjejë edhe te këta të rinj, të cilët zgjodhën të
mos heshtin, por të flasin në emër të së ardhmes.
E
bekuar qoftë kjo protestë e bukur rinore….!
Tiranë, e mërkurë - 17
qershor, 2026


