Gjon Keka: Mikpritja dhe Besa ishin zbukurimet e kombit tonë
Mikpritja dhe Besa ishin zbukurimet e kombit tonë

Një
popull apo komb fisnik dhe i lashtë, i cili nuk ka pasur synime për të pushtuar
të tjerët, por ka qenë gjithmonë mbrojtës i vetes nga armiqtë e jashtëm dhe të
brendshëm, natyrshëm ka të rrënjosura në natyrën dhe gjakun e tij vlera,
tradita e zakone të dobishme që shërbejnë si bekim për veten, popujt e tjerë
dhe njerëzimin në përgjithësi. Kështu ishte që herët edhe te kombi ynë
iliro-arbëror, i cili në qenien e tij kishte Besën dhe Mikpritjen. Shumë
udhëpërshkrues e studiues europianë nga e gjithë bota, përmes punës së tyre,
kanë spikatur te populli ynë këto dy vlera kanunike, morale dhe rrënjësore, të
cilat gjenden thellë në trupin dhe shpirtin e iliro-arbërorëve. Këto vlera të
panegociueshme brenda natyrës dhe gjakut fisnik arbëror e kanë zbukuruar kombin
tonë duke i dhënë një imazh pozitiv në botën e qytetëruar, pasi virtyte si Besa
dhe Mikpritja janë të rralla në historinë e popujve dhe kombeve të botës.Në
traditën tonë kanunike, Besa dhe Mikpritja ishin të lidhura ngushtë si mishi me
thoin në vetë natyrën e shpirtit të kombit tonë dardano-arbëror. Mikpritja nuk
ishte thjesht një lloj mirësjelljeje apo një gjest sipërfaqësor sa për sy e
faqe (pro forma), por përbënte një ligj kanonik të panegociueshëm të karakterit
dhe shpirtit të popullit tonë. Vetë shprehja kanunike, „Shtëpia e shqiptarit
është e Zotit dhe e mikut", tregon se sa e mishëruar ishte kjo vlerë në
traditën tonë. Ky ligj pozitiv zakonor i dha popullit tonë epitetin e një kombi
mikpritës, duke lindur edhe shprehjen identifikuese: „Bukë e kripë e zemër të
bardhë."Sipas traditës kanunike, miku gëzonte një status të shenjtë dhe
konsideratë të lartë. Posa shkelte pragun e shtëpisë, atij i ofrohej
automatikisht vendi kryesor i nderit në dhomën e pritjes (odë) dhe gjendej nën
mbrojtjen e plotë e të sigurt të të zotit të shtëpisë.Përveç vendit të nderit,
mikut i shtrohej sofra me të gjitha të mirat, si dëshmi e bujarisë shpirtërore.
Shpeshherë, ato ushqime që familja nuk ia lejonte vetes, i ruante dhe i
vendoste me respekt para miqve. Gjithashtu, vlen të nëntokohet se nuk kishte
asnjë rëndësi nëse personi që trokiste në derë ishte i njohur apo i panjohur, i
pasur apo i varfër, me pozitë të lartë shoqërore apo një njeri i thjeshtë. Nëse
jeta e mikut rrezikohej ose në raste ekstreme ai vritej, familja që e kishte
pritur dhe i kishte dhënë besën hynte në gjakmarrje me autorët, duke marrë
kështu hakun për mikun e saj.
Në
studimin e tij:„Albanien und die Albanesen, Landschafts- und Charakterbilder,
botim i vitit 1910", autori gjerman Paul Siebertz ofron një analizë të
thellë të strukturave sociale në Shqipëri, duke vërtetuar empirikisht gjetjet e
mëparshme të albanologut Johann Georg von Hahn (Siebertz, 1910). Përmes
vëzhgimeve të tij, Siebertz argumenton se kleri vendas—si ai laik, ashtu edhe
ai rregulltar—përbënte një faktor infrastrukturor dhe social absolutisht të
domosdoshëm për udhërrëfimin dhe eksplorimin e këtyre zonave me gjeografi tejet
të thyer e të izoluara. Ai vë në dukje mirëkuptimin institucional, kujdesin
ndaj nevojave të vizitorëve të huaj dhe mikpritja rigoroze që këto zona malore
arbërore u ofronin studiuesve që eksploronin fshatrat e thella të Shqipërisë
(Siebertz, 1910).Këtë dinamikë Siebertz e përforcon duke cituar dhe analizuar
gjetjet e autorit austriak Karl Steinmetz në veprën e tij mbi rajonet malore të
Shqipërisë së Veriut (Siebertz, 1910). Autori nënvizon se misionet fetare
gëzonin një vlerë të jashtëzakonshme utilitare për udhëtarët europian apo
perëndimorë. Përveç sigurimit të një infrastrukture më të përshtatshme
akomoduese në krahasim me shtëpitë private, autoriteti dhe prestigji simbolik i
misionarëve rritnin në mënyrë eksponenciale sigurinë fizike të të huajve; kjo
ndodhte sepse popullsia lokale ishte e vetëdijshme që subjekti i huaj ndodhej
nën patronazhin ose destinacionin e një misionari katolik arbëror (Siebertz,
1910).Nga pikëpamja e dokeve juridike dhe antropologjike, analiza e Siebertz-it
veçon një praktikë specifike të kohës: në mungesë të misionarit, shoqëruesi
(udhërrëfyesi) vendas merrte me vete „çadrën e priftit" si një shenjë
semiotike. Ky artefakt funksiononte si një sinjalizues vizual që nga distanca,
duke u bërë me dije fshatrave përreth se personat në fjalë ishin mysafirë të
klerikut, i cili shpesh ishte i vetmi individ që posedonte një mjet të tillë në
mbarë rajonin. Sipas normave të së drejtës zakonore shqiptare, çdo individ që
lëvizte nën shoqërimin apo emrin e misionarit mbulohej automatikisht nga
institucioni juridik i „Besës", duke gëzuar statusin e të paprekshmit
(Siebertz, 1910).Kjo strukturë mbrojtëse, sipas autorit, fuqizohej edhe më tej
përmes mekanizmit të "garantëve të priftit" (Siebertz, 1910). Duke
qenë se kleriku, për shkak të dogmës fetare, e kishte të ndaluar të përfshihej
në kanunin e gjakmarrjes apo të ekzekutonte hakmarrjen vetjake, siguria e tij
garantohej nga një grup jorregulltarësh (laikë) të përzgjedhur nga familjet
fisnike, më me influencë dhe më të respektuara të zonës. Këta garantë merrnin
përsipër mbrojtjen fizike të misionarit me të njëjtin rigorozitet sikur ai të
ishte anëtar i bërthamës së tyre familjare, duke i krijuar klerit mundësinë për
të ushtruar aktivitetin dhe për të lëvizur lirshëm e me siguri relative brenda
juridiksionit të tij kishtar (Siebertz, 1910).
Në
dekadat e fundit, transformimi i dy shtyllave kryesore të kodit kanunor dhe vlerave
dardano-arbërore – Besës dhe Mikpritjes – përbën një realitet të prekshëm
shoqëror. Ky proces perceptohet si një lloj venitjeje përballë ndikimeve
ideologjike, politike dhe fetare të jashtme. Lëkundja e themeleve të këtyre
vlerave tradicionale të kombit tonë vjen si rrjedhojë e dy faktorëve kryesorë:
globalizmit apo modernizmit, dhe depërtimit të ideologjive fetare të huaja, me
theks të veçantë rrymat radikale islamike. Pas rënies së regjimit komunist në
Shqipëri në vitet '90 dhe përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999 – e
cila u fitua me ndihmën jetike të aleatëve perëndimorë si SHBA-ja, vendet
europiane dhe NATO/KFOR – në hapësirën mbarëshqiptare u krijua një vakum
shpirtëror dhe ideologjik. Këtë zbrazëti e shfrytëzuan agjendat e huaja, duke importuar
rryma fetare radikale islamike që i shkaktuan dëme të mëdha vendit. Organizata
të ndryshme me fonde të dyshimta, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Turqia, hynë
në Kosovën e pasluftës me qëllimin e qartë për të shkatërruar imazhin europian
të shtetit të ri të Kosovës dhe për të zbehur marrëdhëniet me aleatët
perëndimorë.
Ky
helm ideologjik ka prodhuar një dëm kolateral: sot, këta propagandues
ekstremistë i etiketojnë kryeheroin iliro-arbëror dhe figurat e tjera të
ndritura të historisë sonë si të huaja ose armiqësore. Përmes një fjalori
përdhosës, ata i cilësojnë këta korifej si "kryqtarë", thjesht sepse
nuk përkojnë me agjendën e tyre të ideologjisë fetare. Figura e kryeheroit
Gjergj Kastrioti(Skënderbeut), si mbrojtës i civilizimit të përbashkët europian,
mbetet më e atakuara, duke u pasuar nga sulmet ndaj Pjetër Bogdanit, Idriz
Seferit dhe humanistes me famë botërore, Nënë Terezës. Ndërtimi i xhamive të
shumta në mënyrë të çregullt ka pasur synim pikërisht tjetërsimin kulturor të
rajoneve të ndryshme dhe dëmtimin e lidhjes së fortë me botën e qytetëruar
perëndimore.
Kjo
lidhje pro-perëndimore u konsolidua në epokën moderne nga Presidenti vizionar
dhe i urtë, Ibrahim Rugova. Ashtu si Gjergj Kastrioti që e kishte në gjenin e
tij traditën e Besës (siç dëshmohet në Besëlidhjen e Lezhës), dhe ashtu si Lekë
Dukagjini që e kodifikoi atë në Kanun, edhe Presidenti Rugova e mishëroi
mikpritjen dhe besnikërinë ndaj miqve në projektin e tij për Dardaninë
europiane. Ibrahim Rugova e vlerësonte kultin e mikut si një trashëgimi të
pastër të gjakut dardan-arbëror. Megjithatë, prej vitesh, grupe dhe individë të
caktuar tentojnë t'i zhvlerësojnë këto zakone autoktone, duke u përpjekur t'i
zëvendësojnë ato me rregulla morale dhe sjellje të huaja të kulturës aziatike turko-arabe.
Historikisht,
Besa dhe Mikpritja kanë qenë vlera mbi-fetare; ato përbënin parime kombëtare që
zbatoheshin njësoj si nga shqiptarët e krishterë, ashtu edhe nga ata myslimanë,
pa asnjë dallim dogmatik. Sot, tendenca për të vendosur fenë mbi kombin synon
pikërisht zbehjen e këtyre karakteristikave unike identitare dardano-arbërore.
Përkundër këtyre sfidave akute, kombi ynë në Dardani (Kosovë) dhe trojet e
tjera e ka ruajtur ende në gjenin dhe traditën e tij këtë trashëgimi të rrallë.
Sidoqoftë, për të parandaluar humbjen definitive të këtyre vlerave autentike,
mbetet urgjente që shoqëria të fokusohet në ruajtjen e tyre përmes një edukimi
të shëndoshë institucional dhe një ndërgjegjësimi të lartë kombëtar.


