Fejzulla Berisha: Dy flamuj shtetërorë, një komb dhe një identitet i përjetshëm shqiptar

3h më parë

Dy flamuj shtetërorë, një komb dhe një identitet i përjetshëm shqiptar

Nga Prof. Dr. Fejzulla BERISHA - New York, SHBA

Ky punim trajton raportin ndërmjet simboleve shtetërore dhe atyre kombëtare në hapësirën shqiptare, në dritën e së drejtës ndërkombëtare publike, të së drejtës kushtetuese krahasuese dhe të teorisë së identitetit politik. Në fokus vendoset triada simbolike: flamuri shtetëror i Republikës së Shqipërisë, flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës dhe flamuri kombëtar shqiptar kuqezi si shprehje e vazhdimësisë historike dhe unitetit etnik të shqiptarëve.

Simbolet shtetërore në të drejtën ndërkombëtare: funksioni i tyre normativ dhe identitar

Në të drejtën ndërkombëtare publike, simbolet shtetërore përbëjnë atribut të drejtpërdrejtë të personalitetit juridik të shtetit. Ato nuk janë dekorative, por shprehje të sovranitetit, të njohjes ndërkombëtare dhe të identitetit kushtetues.

Flamuri, si simbol kryesor, përfaqëson:unitetin e pushtetit shtetëror,identitetin juridik të shtetit,dhe prezencën e tij në rendin ndërkombëtar.

Në këtë kuptim, rasti shqiptar paraqet një strukturë të dyfishtë shtetërore me një bazë të vetme etnokulturore.

Flamuri i Republikës së Shqipërisë: uniteti i simbolit shtetëror dhe kombëtar

Flamuri kuqezi i Shqipërisë ka një status të veçantë në teorinë e simbolikës kushtetuese, pasi ai bashkon në një figurë të vetme dy dimensione:dimensionin shtetëror, si emblemë e sovranitetit të Republikës së Shqipërisë;dimensionin kombëtar, si shenjë e identitetit historik të të gjithë shqiptarëve.

Nga perspektiva historiko-juridike, ky dualitet buron nga fakti se Shqipëria është shteti i parë modern shqiptar (1912), i cili ka marrë përsipër përfaqësimin e identitetit kombëtar në mungesë të strukturave të tjera shtetërore shqiptare në kohën e formimit të tij.

Prandaj, flamuri kuqezi nuk është vetëm shenjë e një entiteti shtetëror, por kodifikim simbolik i një kombi në kuptimin e së drejtës së vetëvendosjes historike.

Flamuri i Republikës së Kosovës: simbol i sovranitetit të shtetit të ri në të drejtën ndërkombëtare bashkëkohore

Flamuri i Kosovës përfaqëson një rast tipik të simbolikës shtetformuese post-konfliktuale, e cila është e njohur në praktikën ndërkombëtare pas vitit 1990.

Ai mishëron:parimin e sovranitetit shtetëror të fituar përmes procesit të vetëvendosjes së brendshme dhe ndërkombëtarisht të mbështetur;strukturën kushtetuese të një shteti multietnik;dhe orientimin strategjik euroatlantik.

Në këtë kuptim, flamuri i Kosovës nuk konkurron me flamurin kombëtar shqiptar, por shpreh dimensionin e veçantë shtetëror të subjektivitetit juridik ndërkombëtar të Kosovës.

Flamuri kombëtar shqiptar: simbol trans-shtetëror i identitetit etnik dhe kulturor

Flamuri kuqezi, në dimensionin e tij kombëtar, tejkalon kufijtë e shteteve ekzistuese dhe funksionon si simbol trans-shtetëror i një komuniteti historik etnik.

Ai përfaqëson:unitetin e shqiptarëve si komb historik;vazhdimësinë kulturore dhe gjuhësore;dhe identitetin kolektiv përtej strukturave shtetërore ekzistuese.

Në terminologjinë e së drejtës ndërkombëtare dhe studimeve të nacionalizmit, ky është një rast tipik i kombit të shpërndarë në më shumë se një entitet shtetëror, por me një simbol të përbashkët identitar.

Triada simbolike shqiptare: koherencë e diferencuar, jo konflikt normativ

Në hapësirën shqiptare funksionon një sistem i trefishtë simbolik:Flamuri i Shqipërisë – shtet historik dhe bartës i simbolikës kombëtare;Flamuri i Kosovës– shtet i ri dhe subjekt i së drejtës ndërkombëtare;Flamuri kuqezi – simbol i unitetit etnik dhe historik shqiptar.

Ky sistem përbën unitet kombëtar apo identitar, me  koekzistencë të niveleve të ndryshme të sovranitetit dhe identitetit.

Në të drejtën ndërkombëtare krahasuese, raste të ngjashme ekzistojnë në:kombe të ndara në më shumë shtete (p.sh. model gjerman historik, korean),apo në struktura federale me identitete të shumëfishta simbolike.

Shqipëria dhe Kosova: dy subjektivitete shtetërore në një hapësirë funksionale shqiptare

Nga këndvështrimi i së drejtës ndërkombëtare bashkëkohore, Shqipëria dhe Kosova janë dy subjekte të veçanta juridike, por me:lidhje të thella historike dhe etnike,bashkëpunim të institucionalizuar,dhe orientim të përbashkët strategjik.

Ky raport mund të kuptohet si model i bashkëpunimit ndër-shtetëror me bazë të fortë identitare, ku sovraniteti nuk shkatërron, por riformulon lidhjen kombëtare.

Diaspora shqiptare si hapësirë e unifikimit simbolik

Diaspora shqiptare përbën një dimension të veçantë të këtij sistemi simbolik, ku kufijtë shtetërorë zbehen dhe identiteti kombëtar forcohet.

Në këtë hapësirë:flamuri kuqezi dominon si simbol i përbashkët,flamujt shtetërorë përdoren në funksion përfaqësues,dhe krijohet një unitet emocional dhe kulturor i kombit përtej territorit shtetëror.

Triada simbolike shqiptare përfaqëson një model të veçantë në të drejtën ndërkombëtare dhe në teorinë e shtetit modern:Shqipëria – shtet me simbol kombëtar të integruar;Kosova – shtet i ri me simbol të sovranitetit të veçantë;Flamuri kuqezi – simbol i përhershëm i identitetit të përbashkët shqiptar.

Ky është dualizëm bashkimi, por edhe arkitekturë e re e identitetit politik shqiptar në shekullin XXI, ku shteti dhe kombi bashkëjetojnë në nivele të ndryshme juridike dhe simbolike, por brenda një vazhdimësie të pandërprerë historike.