Dorian Koçi: Asgjë nuk mund ta zhbëjë filozofinë e lirisë dhe shtetin e Kosovës

Hashim
Thaçi ka dëshmuar gjatë gjithë formimit të tij politik se, që në vitet e
rinisë, e ka parë arsimin, kulturën dhe identitetin kombëtar si pjesë të
pandashme të aspiratës për liri. Në këtë rrugëtim, ai gjeti te historia e
Drenicës, por edhe te kujtesa e pothuajse çdo familjeje shqiptare në Kosovë,
metaforën e një lirie të kërkuar dhe të paguar me sakrifica të mëdha.
Historia
europiane na dëshmon se liria nuk është vetëm një aspiratë politike. Që nga
Iluminizmi, ajo është shndërruar në një prej parimeve themelore të mendimit
politik modern, e lidhur ngushtë me dinjitetin njerëzor, të drejtat, humanizmin
dhe idenë e shtetit si shprehje e vullnetit dhe sigurisë së qytetarëve.
Në
këtë kuptim, historia e Kosovës nuk mund të shkëputet nga historia më e gjerë
europiane e përpjekjeve për liri, dinjitet dhe vetëvendosje. Në fundin e
shekullit XX, në një hapësirë të traumatizuar nga lufta dhe represioni, UÇK-ja
dhe udhëheqësit e saj u shfaqën si një prej faktorëve qendrorë të kësaj
përpjekjeje. Për shumë shqiptarë të Kosovës, lufta u shndërrua në një moment
vendimtar të një procesi historik që do të çonte më pas drejt krijimit dhe
konsolidimit të shtetit të Kosovës.
Shtetet
mund të përballen me kriza, kufijtë mund të kontestohen dhe aktorët politikë
mund të gjykohen nga historia në mënyra të ndryshme. Por ideja e lirisë, kur
është rrënjosur në kujtesën kolektive dhe në përvojën historike të një
shoqërie, nuk zhbëhet lehtë.
Kosova
është sot një realitet shtetëror i krijuar përmes një procesi të gjatë
historik, politik dhe ndërkombëtar. Filozofia e lirisë që e ushqeu këtë proces
mbetet pjesë e kujtesës së saj.
Prandaj,
historia nuk është vetëm kujtesë e së kaluarës. Ajo është edhe një dëshmi se
aspiratat për liri, dinjitet dhe drejtësi mund të kalojnë përtej brezave.
Asgjë nuk mund ta zhbëjë filozofinë e lirisë!


