Blerim Rrecaj: Jakup Tërnava - 'A je i sigurt se je në...udhe'

3h më parë

Libri "A je i sigurt se je në...udhe" një manual mendim-veprimi

Nga Blerim Rrecaj

Libri "A je i sigurt se je në...udhe" i autorit Jakup Tërnava është një libër që fton për ngritje të vetëdijes individuale e shoqërore.

Dhe pastaj kjo vetëdije të na çojë te rezultatet praktike, te ndryshimi e përmirësimi që synojmë.

E ne, duke qenë dëshmitarë se shumë gjëra që na rrethojnë e janë pjesë përbërëse e përditshmërisë sonë, seç na ngarkojnë me pakënaqësi, pasiguri, ankesa, tensione, strese, ankthe, makthe, e shqetësime nga më të ndryshmet. Të cilat na rëndojnë si barra të rënda mbi supe sikurse çantat e tejngarkuara që bartin nxënësit,  nga të cilat, kemi nevojë e duhet të shkarkohemi për të ecur më lehtë, për të mos ndjerë pasojat afatgjata.

Përderisa jeta duhet të jetë me sa më pak barra të panevojshme, e më më pak kompleksitete, e absurditete, autori na dërgon deri te shkaqet që lënë pasoja. Na bë me dije se ku është burimi nga i cili rrjedhin gjithë këto derivate që përshfaqin gjithë këto defornime që i hasim kudo si në shtëpi, në shkollë, zyrë, në kafene, në rrugë, e në ambiente të ndryshme.

I gjithë libri i ndërtuar me dy personazheve (bashkëbisedimi mes autorit e Arbërit, ku nuk dallohet qartë kufiri mes realitetit e imagjinatës), paraqet përsiatjet e përvojën jetësore të rrëfimtarit duke paraqitur shtigje për të dalur në rrugën e duhur.

Libri nis me mëdyshjen e autorit për të filluar me shkrimin e një libri,  pas shumë bisedave që bën me Arbërin, për të gjetur përgjigje si për vete e si për të, për një varg bisedash që bëjnë, e çështjesh që diskutojnë,  e rrinë disi pezull.

Autori më pas tregon një ngjarje që ndonëse ndokujt mund t'i duket e thjeshtë dhe parëndësishme, ajo mbart në vete një histori që sjell tension dramatik e psikologjik mes fëmijës e prindit të tij. Derisa fëmiju tre vjeçar dhe nëna e tij, janë duke ecur rrugës, fëmiju rrëzohet, nëna e qorton dhe e godet duke lënë traumë mbi qenien e tij të brishtë. (Me këtë dëshmon për veprimet që mund të lënë pasoja, e pengesa të mëdha në jetë, si frikë nga rrëzimi, frikë nga qortimet etj...) Kur ky fëmijë rritet dhe pas 17 vitesh një ditë shpëton një vogëlush që kishte rënë  në një gropë, dhe të gjithë e mirëpresin heroizmin e tij. Të gjithë ndihen krenarë për guximin e tij, e veprën njerëzore. Edhe nëna e tij. Djaloshi ia përmend nënës së tij veprën e saj të pamatur, atëherë kur u pat rrëzuar, u pat goditur, e u pat quajtur edhe budalla, dhe tashmë lotët e nënës dhe lotët e tij, e përqafimi i tyre janë ai çlirim e shërim nga pasojat e kësaj traume të kahmotshme.

Me këtë rast të treguar autori na flet për përgjegjësinë e madhe që kanë në jetë fjalët e veprat tona. Gjatë bashkëbisedimit të autorit me mikun e tij, ne mësojmë se për gjërat e rëndësishme siç janë: Zoti, jeta, familja, kombi, shteti, shëndeti, lumturia, pasuria, dashuria, fama, dituria, puna, suksesi, nuk duhet të merren me mendjelehtësi, sepse pasojat do të jenë të rënda.

Për të dalë te kuptimi e shpjegimi i ca "fjalëve-çelës", që siç thotë autori duhet të jemi të përgjegjshëm sepse derisa kjo fjalë përbëhet  ose ka në brendësi të saj fjalën "përgjigjje", mësuesi duhet të ketë përgjigje për nxënësin, mjeku për pacientin, gazetari për artikullin, gjykatësi për drejtësinë, automekaniku për veturën, e kështu me radhë...

Derisa fjala arritje ka brenda fjalën "rritje", duhet të përputhen arritjet me rritjen tonë njerëzore e profesionale, e jo arritjet e rritja jonë të na bëjë të çoroditur.

Pastaj libri vazhdon me zbërthimin edhe të disa fjalëve e pyetjeve: "Pse s'kuptohemi, pse s'mësojmë, pse s'punojmë, pse s'mundemi, pse s'fillojmë, pse s'bëjmë asgjë si duhet etj.

Me ca fjalë, libri "A je i sigurtë se je në...udhe", është një libër që kërkon lexim të vëmendshëm dhe që synon t'i mbajë të pandara fjalët, mendimet e veprimet që shpiejnë kah harmonia e admirueshme...