Baki Ymeri: Shqipëria dhe Kosova përfaqësohen në Festivalin Ballkanik të Poezisë në Braila të Rumanisë
Korrespondencë nga Bukureshti
Shqipëria dhe Kosova përfaqësohen në Festivalin Ballkanik të Poezisë në Braila të Rumanisë
Nga Baki Ymeri
Edicionet e mëparshme të këtij tubimi ndërkombëtar iu kushtuan poezisë bullgare, serbe dhe asaj maqedonase, ndërsa sivjet, sipas shtypit dhe kritikës rumune, u theksua fakti se vlerat e poezisë shqipe janë të jashtëzakonshme, rast me të cilit u identifikuan edhe një serë pikash të përbashkëta që i lidhin rumunët me shqiptarët gjatë shekujve. U promovua Antologjia e festivalit Balcanica, me autorët: Sali Bashota, Rodian Dragoi, Basri Çapriqi, Adrian Alui Gheorghe, Bardhyl Londo, Victoria Milescu, Ermir Nika, Horia Zileru, Skënder Rusi, Visar Zhiti. U përurua vëllimi Gëzimet e trishtme të Victoria Milescut në dy gjuhët shqip-rumunisht, morri pjesë edhe filoshqiptarja Ekaterina Aleku dhe u fol me përzemërsi për letërsinë shqipe dhe vlerat e saj.
Tryeza e miqësisë së Kosovës me Bukureshtin
Në ndërkohë, Drejtori i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, Dr. Sali Bashota, u takua me drejtoreshën e Bibliotekës Nacionale të Rumanisë, Dr. Elena Târzman. Me këtë rast u këmbyen libra dhe u bisedua për vazhdimin e bashkëpunimit midis dy insitucioneve, duke u nisur nga fakti se këto dy qendra të larta të bibliotekarisë së dy shteteve, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi që nga viti 2005. Ngjarje e veçantë kulturore në Bukuresht ishte edhe organizimi i tradicional i tryezës së miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Bukureshtit. Inisiator: Redaksia e revistës Shqiptari dhe autor i këtij shkrimi.
Me këtë rast morën pjesë personalitete të njohura kulturore dhe diplomatike, ndër të cilët Dr. Xhelku Maksuti (kryetar nderi i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë), Dr. Luan Topçiu, përfaqësuesi i parë i ambasadës shqiptare në Bukuresht, Gheorghe Micu, ish/ambasador i Rumanisë në Shqipëri, Gheorghe Bucura, ish/përfaqësues i Rumanisë në Kosovë, poeteshat Monica Monika Mureshan, Florika Bud, shkrimtarë, miq dhe dashamirë të shumtë të kulturës shqiptare. Me këtë rast u shpërndanë disa mirënjohje dhe u lansuan një serë mesazhesh admirimi ndaj miqve nga Kosova në Bukuresht, ndaj lidhjeve të lashta rumuno/shqiptare, ndaj poetëve shqiptarë të rikënduar në gjuhën rumune, si dhe ndaj poetëve rumunë të përkthyer në gjuhën shqipe.
PAMJE NGA TRYEZA E MIQËSISË SË KOSOVËS ME BUKURESHTIN























