Asllan Dibrani – Luani: Vota e 7 Qershorit për Kosovën shtet, jo provincë
Vota e 7 Qershorit për Kosovën shtet, jo provincë
Sot për Republikën – nesër për Bashkimin
Kombëtar

Voto 1 – për sovranitetin, dinjitetin dhe të ardhmen
shqiptare të Kosovës
Më 7 qershor, qytetari i Kosovës nuk del vetëm për të
zgjedhur një parti. Ai del për të dëshmuar se a do Kosovë shtet apo Kosovë të
dobët; a do Republikë sovrane apo provincë të Serbisë; a do dinjitet kombëtar
apo kthim prapa në kohën e pazareve, nënshtrimit dhe kompromisit të dëmshëm.
Këto zgjedhje nuk janë vetëm garë elektorale. Janë
matje e ndërgjegjes politike të një populli. Janë provë historike për Kosovën.
Janë thirrje për ta mbrojtur shtetin, për ta forcuar Republikën dhe për ta
hapur rrugën drejt një horizonti më të madh kombëtar.
Prandaj vota për numrin 1, vota për Albin Kurtin dhe
Lëvizjen Vetëvendosje, nuk është vetëm votë partiake. Është votë për
sovranitet. Është votë për dinjitet. Është votë për shtetin që nuk përkulet.
Është votë kundër Serbisë politike në Kosovë, kundër strukturave paralele,
kundër bandave kriminale, kundër korrupsionit, kundër oligarkisë dhe kundër
atyre që e duan Kosovën të dobët, të varur dhe të kontrollueshme.
Albin Kurti nuk është i pagabueshëm. Askush nuk është.
Por në politikën e Kosovës ai mbetet figura që më qartë se të gjithë të tjerët
e ktheu fjalën “sovranitet” nga parullë në veprim konkret.
Albin Kurti e ktheu shtetin në veri
Arritja më e madhe e qeverisjes Kurti është vendosja e
autoritetit të Republikës së Kosovës në pjesë të territorit ku për vite me
radhë shteti ishte i pranishëm vetëm në letër.
U hoqën targat ilegale serbe. U goditën strukturat
paralele. U mbyllën institucione të Serbisë që vepronin brenda Kosovës sikur
Kosova të mos ishte shtet. U ndaluan zgjedhjet e Serbisë në territorin e
Republikës së Kosovës. U ndalua përdorimi i dinarit serb si mjet pagese në
Kosovë. U mbyllën banka, posta, zyra dhe mekanizma financiarë që e mbanin
gjallë ndikimin e Beogradit në veri, sidomos në Mitrovicë.
Kjo nuk ishte punë e lehtë. Për këtë duhej guxim
politik, duhej polici e fortë, duhej qeveri e vendosur dhe duhej kryeministër
që nuk dridhej para kërcënimeve të Serbisë, Rusisë dhe aleatëve të tyre
propagandistikë.
Për herë të parë pas shumë vitesh, Beogradi e kuptoi
se Kosova nuk është më tokë ku mund të hyjë e të dalë si të dojë. Kosova ka
qeveri, ka polici, ka kufi, ka ligj dhe ka Republikë.
Banjska – dita kur u pa kush e mbron shtetin
Sulmi terrorist në Banjskë ishte një pikë kthese. Aty
u pa qartë se çfarë rreziku i kanosej Kosovës nga bandat kriminale, nga
strukturat e armatosura dhe nga politika e Beogradit që nuk është pajtuar kurrë
me pavarësinë e Kosovës.
Në atë moment, Albin Kurti dhe shteti i Kosovës nuk u
tërhoqën. Policia e Kosovës qëndroi. Institucionet qëndruan. Republika qëndroi.
Vrasja e rreshterit hero Afrim Bunjaku nuk ishte vetëm
humbje e një polici. Ishte dëshmi se liria dhe shteti nuk mbrohen me fjalë, por
me sakrificë. Pas Banjskës, më askush nuk mund të thotë se strukturat serbe në
veri ishin vetëm “çështje administrative”. Ato ishin rrezik real për sigurinë
kombëtare të Kosovës.
Prandaj vota e 7 qershorit është edhe votë për
sigurinë e vendit. Është votë për policinë që qëndroi. Është votë për shtetin
që nuk u dorëzua.
Policia e Kosovës – mburoja e Republikës
Policia e Kosovës u bë mburoja më e dukshme e shtetit.
Ajo u ballafaqua me barrikada, banda, provokime, sulme, presione politike dhe
propagandë të egër.
Por ajo nuk u thye.
Në veri të Kosovës, policia nuk veproi si forcë
pushtuese, por si forcë kushtetuese e Republikës së Kosovës. Aty ku deri dje
sundonte frika, sot ekziston prania e shtetit. Aty ku dikur komandën e jepnin
strukturat e Beogradit, sot duhet të vlejë ligji i Republikës së Kosovës.
Kjo është meritë e një politike që nuk e sheh policinë
si dekor protokollar, por si shtyllë të rendit, sigurisë dhe sovranitetit.
Ushtria e Kosovës – nga simbol drejt force reale
Një tjetër arritje madhore është ngritja e
kapaciteteve të mbrojtjes. Kosova nuk mund të mbetet përgjithmonë shtet që pret
vetëm nga të tjerët ta mbrojnë. Aleancat janë të domosdoshme, NATO është
jetike, SHBA është mike historike, por një shtet serioz duhet të ndërtojë edhe
forcën e vet.
Nën qeverisjen Kurti u rrit vëmendja ndaj mbrojtjes. U
shtuan kapacitetet ushtarake. U hap rruga për zhvillimin e industrisë ushtarake
vendore, për prodhim të mjeteve të nevojshme të mbrojtjes, për fabrikë
municioni dhe laborator dronësh.
Kjo është kthesë strategjike. Kosova nuk mendon më
vetëm si vend i mbrojtur, por si shtet që përgatitet të mbrojë veten.
Kjo i jep dinjitet ushtrisë, siguri qytetarit dhe
mesazh të qartë Serbisë: Kosova nuk është më e pambrojtur.
Dogana shtetërore – goditje ndaj oligarkisë
Një nga arritjet që duhet përmendur fuqishëm është
kthimi i terminaleve doganore nga duart private në menaxhim shtetëror.
Doganat janë porta ekonomike e shtetit. Kush
kontrollon doganat, kontrollon një pjesë të rëndësishme të sovranitetit
ekonomik. Për vite me radhë, terminalet private ishin simbol i një shteti të
kapur nga interesa të ngushta, nga lidhje politike dhe nga grupe që përfitonin
nga pasuria publike.
Qeveria Kurti e ktheu këtë proces në duart e shtetit.
Kjo nuk është vetëm reformë administrative. Është goditje ndaj modelit të
vjetër oligarkik.
Kur dogana kthehet në shërbim publik, fiton shteti.
Kur fiton shteti, fiton qytetari.
Lufta kundër korrupsionit dhe krimit
Albin Kurti erdhi në pushtet me premtimin për ta
luftuar korrupsionin. Kjo mbetet një nga arsyet kryesore pse qytetarët e mbështetën
dhe pse ende e shohin si alternativën më të besueshme ndaj politikës së vjetër.
Kosova ka pasur për vite të tëra një sistem të kapur
nga klientelizmi, tenderomania, lidhjet familjare, ndikimet partiake dhe
oligarkët që pasuroheshin në kurriz të shtetit. Kurti nuk e ka zhdukur
tërësisht këtë plagë, por e ka goditur modelin politik që e ushqente atë.
Ai e ndali privatizimin e dyshimtë të pasurisë
publike. E forcoi kontrollin shtetëror në fusha të ndjeshme. E shtyu përpara
agjendën kundër korrupsionit, kundër drogës, kundër krimit të organizuar dhe
kundër abuzimit me institucionet publike.
Por beteja më e vështirë mbetet drejtësia.
Drejtësia dhe prokuroria – kalaja e fundit e sistemit
të vjetër
Një nga pikat më të dobëta të shtetit të Kosovës është
gjyqësia dhe prokuroria. Aty ende ndihet hija e sistemit të vjetër. Aty ende ka
njerëz të formuar në mentalitetin e ish-komunizmit, të lidhjeve të vjetra
politike, të oligarkëve, të grupeve të interesit dhe të rrjeteve që e kanë
përdorur ligjin jo për drejtësi, por për mbrojtje të të fuqishmëve.
Nuk mund të akuzohet çdo gjykatës dhe çdo prokuror. Ka
profesionistë të ndershëm, të guximshëm dhe të përkushtuar. Por sistemi në
tërësi ende nuk është pastruar. Ende ka vonesa, selektivitet, ndikime dhe
mungesë të besimit qytetar.
Kjo është beteja që Kurti ende nuk e ka fituar
plotësisht. Dhe kjo duhet thënë hapur.
Nëse mandati i ardhshëm do të jetë historik, reforma
në drejtësi duhet të jetë prioritet absolut. Pa drejtësi të pastruar, nuk ka
shtet të plotë. Pa prokurori të guximshme, nuk ka luftë të vërtetë kundër
korrupsionit. Pa gjykata të pavarura, qytetari mbetet viktimë e të fortit.
Prandaj mandati i ardhshëm duhet të jetë mandati i
çlirimit të drejtësisë nga hijet e së kaluarës.
Liberalizimi i vizave – dalje nga izolimi
Një tjetër arritje që nuk duhet harruar është
liberalizimi i vizave. Qytetarët e Kosovës, pas shumë vite padrejtësie, më në
fund fituan të drejtën të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen për qëndrime
afatshkurtra.
Kjo nuk është vetëm lehtësi udhëtimi. Është dinjitet.
Është ndjenjë barazie. Është dalje nga izolimi psikologjik dhe politik.
Për vite me radhë, kosovari ishte qytetari më i
izoluar në Evropë. Sot ai lëviz më lirshëm, më me dinjitet dhe më me besim.
Kosova drejt Këshillit të Evropës dhe arenës
ndërkombëtare
Procesi për anëtarësim në Këshillin e Evropës është
një tjetër fitore diplomatike e Kosovës. Edhe pse rruga nuk është përfunduar
ende, fakti se Kosova arriti të shtyjë përpara këtë proces dëshmon se shteti i
Kosovës nuk është i vdekur diplomatikisht, siç dëshironin ta paraqisnin
kundërshtarët.
Kosova pati përplasje, pati presione, pati masa dhe
kritika. Por Kosova nuk u zhduk nga harta diplomatike. Përkundrazi, ajo po
kërkon vendin që i takon si shtet i pavarur, demokratik dhe sovran.
Shumë faktorë ndërkombëtarë që në fillim e panë Kurtin
me dyshim, sot detyrohen ta pranojnë se Kosova nuk mund të trajtohet më si
territor i përkohshëm diplomatik. Kosova është Republikë.
Fitorja kundër propagandës
Kundër Albin Kurtit është bërë një propagandë e egër.
E quajtën bashkëpunëtor të Serbisë. Pastaj e quajtën armik të ndërkombëtarëve.
Herë e shpallën njeri të Rusisë, herë e akuzuan se po e izolon Kosovën. Një
pjesë e analistëve dhe mediave anti-Kurti nuk lanë fjalë pa përdorur kundër
tij.
Por faktet i rrëzuan këto akuza.
A është bashkëpunëtor i Serbisë ai që hoqi targat
ilegale serbe?
A është bashkëpunëtor i Serbisë ai që ndaloi dinarin
serb si mjet pagese në Kosovë?
A është bashkëpunëtor i Serbisë ai që mbylli
strukturat paralele?
A është bashkëpunëtor i Serbisë ai që qëndroi pas
Banjskës dhe nuk u përkul para bandave kriminale?
A është bashkëpunëtor i Serbisë ai që forcoi policinë,
ushtrinë dhe kontrollin shtetëror në veri?
Jo. Këto akuza ranë përtokë. Ato mbetën në gojën e
analistëve të lodhur, të cilët sot nuk kanë tjetër armë përveç mllefit.
Opozita pa vizion dhe politika e vjetër
Opozita e Kosovës ka pasur kohë të mjaftueshme të
dëshmojë veten. Por në vend të programit ofroi ankesa. Në vend të vizionit
ofroi nostalgji për pushtetin. Në vend të projektit shtetëror ofroi sulme
personale.
Kjo opozitë nuk e bind qytetarin sepse nuk ka treguar
se çfarë do të bëjë më mirë. Ajo më shumë dëshiron ta largojë Kurtin sesa ta
ndërtojë Kosovën.
Kosova nuk ka nevojë për rikthim të politikës së
vjetër. Nuk ka nevojë për ata që e lanë veriun peng, drejtësinë të kapur,
doganat të privatizuara dhe shtetin të dobët.
Kosova ka nevojë për vazhdimësi, por edhe për
korrigjim të gabimeve.
Raporti me Vjosa Osmanin – betejë që duhet fituar me
fakte
Një çështje që duhet trajtuar me kujdes është raporti
politik me Vjosa Osmanin. Ky raport është kthyer në një pikë të nxehtë të
skenës politike.
Nëse ka dallime politike, ato duhet të zgjidhen me
argumente, me maturi dhe me interes shtetëror. Nuk i bën mirë Kosovës që dy
figura që dikur përfaqësuan shpresën për ndryshim të përfundojnë në përplasje
që e dobëson shtetin.
Kurti duhet ta fitojë edhe këtë betejë me fakte, jo me
nervozizëm. Me qartësi, jo me hakmarrje. Me program shtetëror, jo me përçarje
personale.
Sepse armiku i Kosovës nuk është rivaliteti personal.
Armiku i Kosovës është Serbia, krimi, korrupsioni, oligarkia dhe çdo strukturë
që punon kundër sovranitetit të Republikës.
Qarqet fetare-politike – kujdes nga ndikimet
antikombëtare
Një pikë tjetër e dobët, që duhet thënë hapur, është
afrimi i disa qarqeve islamike politike me Lëvizjen Vetëvendosje.
Këtu duhet të jemi shumë të qartë: besimtari shqiptar
nuk është problem. Feja personale nuk është problem. Besimi individual është e
drejtë e secilit qytetar.
Problem janë qarqet politike-fetare që punojnë kundër
identitetit kombëtar shqiptar, kundër karakterit laik të shtetit, kundër frymës
evropiane dhe kundër trashëgimisë sonë historike. Këto qarqe nuk i sjellin vota
Albin Kurtit. Përkundrazi, ia largojnë votuesit kombëtarë, laikë, europianë dhe
patriotë.
Kosova duhet të jetë shtet demokratik, laik, shqiptar
dhe evropian. Jo shtet i ndikimeve të huaja fetare, ideologjike apo politike.
Nëse Kurti dëshiron ta ruajë besimin e madh kombëtar,
duhet ta mbajë Vetëvendosjen larg çdo qendre antikombëtare, nga cilado anë që
vjen.
Pse vota duhet të shkojë përsëri për Albin Kurtin
Sepse ai është politikani që e bëri Serbinë të kuptojë
se Kosova nuk nënshtrohet më.
Sepse ai e ktheu sovranitetin në veprim.
Sepse ai forcoi policinë.
Sepse ai ngriti ushtrinë.
Sepse ai goditi strukturat paralele.
Sepse ai ndaloi dinarin serb si mjet pagese në Kosovë.
Sepse ai mbylli mekanizmat e Beogradit në veri.
Sepse ai e mbrojti Kosovën pas Banjskës.
Sepse ai ktheu terminalet doganore në menaxhim publik.
Sepse ai e mbajti flamurin e luftës kundër
korrupsionit.
Sepse ai nuk u dorëzua para presionit të Serbisë,
Rusisë dhe qarqeve ndërkombëtare që shpesh kërkuan nga Kosova më shumë sesa
ishte e drejtë.
Sepse ai e mundi propagandën.
Sepse ai e mundi një opozitë të lodhur, pa vizion dhe
pa program.
Dhe mbi të gjitha: sepse Kosova ende nuk e ka
përfunduar betejën e saj për shtet të plotë.
Vota e 7 qershorit si referendum politik
Më 7 qershor, vota për Albin Kurtin duhet të jetë votë
masive. Jo vetëm për një mandat. Por për një drejtim historik.
Kjo votë duhet të jetë votë për Kosovën shtet. Për
Kosovën e sigurt. Për Kosovën pa struktura paralele serbe. Për Kosovën me
polici të fortë. Për Kosovën me ushtri të zhvilluar. Për Kosovën me drejtësi të
reformuar. Për Kosovën pa oligarki. Për Kosovën me dogana shtetërore. Për
Kosovën që nuk frikësohet.
Kësaj here votohet për Republikën.
Herën tjetër historia mund ta kërkojë edhe më shumë:
një referendum kombëtar për bashkimin shqiptar.
Sepse çështja shqiptare nuk mbaron në Prishtinë. Ajo
lidhet me Tiranën, me Preshevën, me Tetovën, me Ulqinin, me Çamërinë dhe me çdo
trevë ku shqiptari jeton si pjesë e trupit të vet kombëtar.
Kosova duhet të jetë zemra e një projekti më të madh
shqiptar: bashkim shpirtëror, kulturor, ekonomik dhe politik i kombit shqiptar.
Koha do të dëshmojë. Por më 7 qershor populli i
Kosovës ka një mundësi të madhe: të mos kthehet prapa, të mos mashtrohet nga
propaganda, të mos i dorëzohet politikës së vjetër.
Vota për numrin 1 është votë për shtetin.
Vota për Albin Kurtin është votë për sovranitetin.
Vota për këtë drejtim është votë për Kosovën që nuk
përkulet.



