Anton Marku: Libri ''Kosova: Lufta e heshtur'' promovohet edhe në Vjenë
Libri ''Kosova: Lufta e heshtur'' promovohet edhe në Vjenë
Para
bashkatdhetarëve tanë ish-Ambasadori i Shqipërisë në Austri Zef Mazi prezantoi
librin e tij ‘‘Kosova: Lufta e heshtur. Diplomacia e padukshme që ndryshoi
lojën (1991-1999)’’. Në të përfshihet një ndër periudhat më të rëndësishme të
procesit i cili i parapriu bërjes së shtetit të Kosovës. Në këtë manifestim
morën pjesë edhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme, intelektualë dhe
aktivistë të komunitetit tonë.
Vjenë,
29 maj 2026: Pas Tiranës dhe Prishtinës edhe në kryeqytetin e Austrisë u
promovua libri që dëshmon përkushtimin e një grupi diplomatësh të shtetit
shqiptar që mbi supet e tyre vunë një barrë të rëndë duke u bërë një zë i
fuqishëm i Kosovës në kohën kur ajo nuk kishte mundësi që të ulej e barabartë
në tavolinën e bashkësisë ndërkombëtare.
Të
pranishmit fillimisht i përshëndeti Ambasadori në Detyrë i Kosovës Albinot
Bimbashi, i cili në emër të shtetit të Kosovës shprehu mirënjohje për këtë
botim të Ambasador Mazit i cili ishte jo vetëm dëshmitar por edhe iniciues dhe
protagonist i ngjarjeve që shënuan një epokë dhe të cilat do të mbesin në
kujtesën e popullit të saj si falënderim për tërë atë angazhim që rezultoi me
mbështetje të fuqishme nga bota demokratike për kauzën e saj.
Me
pas në një fjalë rasti Anton Marku, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe
Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’, ndër të tjera tha se është
gjithmonë kënaqësi që libri na bashkon e për më tepër kur aty është edhe autori
i cili nga dora e parë mund të flasë për të, sidomos për qëllimin dhe sfidat me
të cilat mund të jetë ballafaquar gjatë shkrimit të tij. Ai po ashtu udhëhoqi
edhe bashkëbisedimin e Ambasadorin Mazi duke vazhduar me një prezantim të
shkurtër të tij. Zef Mazi ka qenë Ambasador në Britaninë e Madhe, në Irlandën e
Veriut si dhe në Republikën e Irlandës (2007-2011). Para kësaj ai ka qenë
Ambasador dhe Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë në Zyrën e Kombeve te
Bashkuara në Vjene, në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore në
Organizatën për Bashkëpunim dhe Siguri në Evrope. Për dy vite me radhe ka qenë,
në rang ministri, Kryenegociator i Shqipërisë për negociatat me BE. Filolog,
historian dhe jurist Mazi i ka kushtuar një pjesë të konsiderueshme të punës së
tij profesionale Kosovës duke qenë një përkrahës i sinqertë i lëvizjes për
pavarësi dhe bashkëpunëtor i ngushtë i qeverisë së saj në ekzil, sidomos i
Kryeministrit Bujar Bukoshi dhe Presidentit Ibrahim Rugova
Ambasadori
Mazi theksoi se shkrimi i librit i ka marrë rreth dy vite kohë dhe në të ai ka
trajtuar më shumë se gjashtë mijë faqe materiale të ndryshme, përfshirë edhe
protokolle dhe fotografi, duke dokumentuar kështu me fakte rrethanat dhe
protagonistët kryesorë që u bënë pjesë e historisë së shtetit më të ri në
Evropë. Sipas tij ‘‘Ky është libër historik, jo artistik, i cili flet për një
kapitull të komplikuar dhe kompleks, me shumë boshllëqe. Në të pasqyrohet në
mënyrë të saktë edhe koordinimi dhe harmonizimi i qëndrimeve me përfaqësuesit legjitim
të Kosovës përderisa në instancat më të larta botërore Shqipëria foli për
Kosovën por, për shkak të specifikave, jo dhe në emër te saj’’.
Në
pjesën e dytë të Ambasador Mazi iu përgjigj pyetjeve të pranishmëve, të cilat
kishin të bënin kryesisht me Konferencën e Rambujesë, Rezolutën 1224 të
Këshillit të Sigurimit të OKB-së, perspektivën për anëtarësim në NATO, sfidat
aktuale nëpër të cilat po kalojnë Shqipëria dhe Kosova, kontributin e lëvizjeve
dhe partive politike të Kosovës në marrëdhëniet me institucionet austriake,
profilin e diplomatit bashkëkohor, etj.
Kësaj
mbrëmje kulturore i dhanë intonacion të veçantë edhe pjesët muzikore në piano
të interpretuara nga Erseka Nitaj.
Lidhja
e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ është
themeluar në vitin 2011. Ajo sivjet feston 15-të vjetorin e krijimit dhe është
adresë e parë e krijuesve shqiptarë në Austri dhe pikë referimi për sa i përket
letërsisë shqipe në këtë shtet. Me një qasje serioze dhe cilësi në organizimin
e më shumë se 80 orëve letrare dhe promovimeve të librave, ajo ka komunikuar në
mënyrë shumë të frytshme me institucionet në nivel kombëtar, si Ministritë e
Kulturës, të Arsimit dhe Diasporës, me Ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës në
Vjenë, me shoqatat dhe individët e ndryshëm, etj. Ajo po ashtu ka bashkëpunim
shumë domethënës edhe me organizatat austriake, sidomos me PEN Klubin e
Austrisë dhe Lidhjen e Shkrimtarëve të Austrisë.

















