Albert Zholi: Qerosi, zgjuarsia që fiton mbi përbuzjen
Qerosi, zgjuarsia që fiton mbi përbuzjen

Përrallat
popullore shqiptare janë të mbushura me figura që, edhe pse duken të dobëta apo
të përçmuara, në fund tregojnë vlerat e tyre të vërteta. Një ndër këto figura
është Qerosi, një djalë që shpesh tallet nga të tjerët për pamjen e tij, por që
në të vërtetë është më i zoti dhe më i guximshmi, më zemërgjeri nga të gjithë.
Historia
vjen së largu! Në fillim të tregimit, flitet për një mbretëri... ku mbreti
kishte tre djem dhe një problem të madh: një kuçedër i merrte gjithmonë të
gjitha frutat nga pemët. Mbreti nuk shijonte dot asnjë frut. Frutat ishin
ushqimi i preferuar i tij por edhe i kuçedrës. Kur nuk hante Mbreti, sigurisht,
askush tjetër nuk mund të hante fruta. Mbreti vuri në prove djemtë. Dy djemtë e
mëdhenj të Mbretit, edhe pse dukeshin të fortë, treguan frikë dhe nuk arritën
ta përballonin kuçedrën. Mbreti u bë pesimist. Edhe ai kishte rezerva ndaj
Qerosit. Por, djali i tretë, Qerosi, që përbuzhej nga vëllezërit, tregoi guxim
dhe vendosmëri. Ai jo vetëm që e plagosi kuçedrën në duelin e parë, por u nis
për ta vrarë përfundimisht. Me zgjuarsinë e tij krijonte rrethana sikur vinte
përballë kuçedrës, kur në të vërtetë e godiste ku nuk e priste. Kuçedra habitej
me zgjuarsinë e Qerosit.
Gjatë
rrugës për duelin vendimtar, Qerosi përballet me shumë sfida dhe prova. Ai
takon vajza të bukura, fiton besimin e tyre dhe merr dhurata të çmuara. Më pas
arrin ta vrasë kuçedrën dhe shpëton një vajzë që kuçedra e kishte futur në
gropë, duke treguar jo vetëm trimëri, por edhe zemër të mirë. Megjithatë,
vëllezërit e tij tregohen ziliqarë dhe e tradhtojnë duke e lënë në fund të
gropës. Edhe në këtë moment të vështirë, Qerosi nuk dorëzohet. Ai shpëton
zogjtë e shqiponjës në fund të gropës së thellë dhe, si shpërblim, ndihmohet
nga shqiponja për t'u kthyer në tokë. Me zgjuarsi dhe durim, ai arrin të
zbulojë të vërtetën dhe të tregojë se është ai Heroi i vërtetë. Në fund, ai
shpërblehet duke u bërë mbret dhe duke jetuar i lumtur, por duke bërë të lumtur
edhe gjithë banorët e mbretërisë së Tij. Ai drejtori me qetësi, zgjuarsi,
drejtësi dhe harmoni. Kjo përrallë na jep një mësim të rëndësishëm: nuk duhet
të gjykojmë njerëzit nga pamja e jashtme. Qerosi, edhe pse i përqeshur, doli më
i zgjuar, më trim dhe më i drejtë se të gjithë. Ai tregon se zgjuarsia, durimi
dhe guximi janë cilësi që të çojnë drejt suksesit. Figura e Qerosit mbetet një
simbol i mençurisë popullore shqiptare, duke na mësuar se e mira dhe e drejta
gjithmonë fitojnë, pavarësisht vështirësive.
Qerosi
dhe tregimet popullore shqiptare
Në
tregimet popullore shqiptare gjenden shpesh figura të thjeshta, por shumë të
zgjuara, që me mençurinë e tyre arrijnë të dalin nga çdo situatë. Një ndër këto
figura është edhe Qerosi, një njeri pa flokë, i cili shpesh bëhej objekt
talljeje, por që në të vërtetë ishte shumë i mençur dhe i kthjellët në mendime.
Qerosi njihej si një njeri i zgjuar, që dinte të gjente zgjidhje edhe në
momentet më të vështira. Edhe pse të tjerët e fyenin për pamjen e tij duke e
quajtur "qeros", ai nuk zemërohej. Përkundrazi, qëndronte i qetë dhe
u përgjigjej me mençuri dhe humor, duke i lënë shpesh të habitur ata që e
nënvlerësonin.
Në
shumë raste, njerëzit i drejtoheshin Qerosit kur kishin halle apo probleme. Ai
i dëgjonte me kujdes dhe jepte këshilla të drejta, duke treguar se zgjuarsia
dhe karakteri janë më të rëndësishme se pamja e jashtme. Përmes fjalëve të
thjeshta, ai arrinte të zgjidhte situata të ndërlikuara dhe të sillte paqe mes
njerëzve. Legjenda e Qerosit na mëson një mësim të rëndësishëm: nuk duhet të
gjykojmë njerëzit nga pamja, por nga vlerat dhe aftësitë e tyre. Ai mbetet një
simbol i mençurisë popullore, i durimit dhe i qetësisë, që edhe përballë fyerjeve
ruan dinjitetin dhe zgjuarsinë. Edhe pse e tallnin vazhdimisht, Qerosi me
sjelljen e tij të mençur, me durimin dhe me veprat e mira, arriti t'i bënte të
gjithë për vete dhe të fitonte respektin e tyre. Qerosi është një figurë që na
kujton se mendja dhe zemra e mirë janë cilësi që e bëjnë njeriun të madh,
pavarësisht nga ajo që duket nga jashtë.


