Albert Vataj: Një përballje e bukurisë në dy pasqyrime të të njëjtave tipare
“Motra Tone” e Kolë Idromenos dhe “Shqiptarja” e Jean-Baptiste Camille Corot, një përballje e bukurisë në dy pasqyrime të të njëjtave tipare

Në
muzeumin e kujtesës së artit shqiptar dhe atij europian, rrijnë ballë për ballë
dy portrete, të heshtura, por rrëfimtarë të fuqishëm, “Motra Tone” e Kolë
Idromenos dhe “Shqiptarja” e Jean-Baptiste Camille Corot. Të ndara nga kufij
kohësh dhe përfytytimesh, këto dy figura femërore, të skalitura me penelë të ndryshëm,
ndajnë një rrënjë të përbashkët, gruan shqiptare, të përjetësuar në një çast
meditimi dhe qëndrese, meditimi dhe shprehie të botës së brendshme, që guxojnë
të shfaqen lexueshëm në nevojën për të dëshmuar dhe komunikuar. Njëra e lindur
prej dheut që e mban mbi supe, tjetra e zbuluar përmes syve të një udhëtari të
mahnitur nga e panjohura. Të dy qajes krijuese rreken të shohin thellë, për të
rrëmuar aty zgjimin, që vjen në çdokohje për ëndje dhe hir.
Kolë
Idromeno, në këtë vepër antologjike të artit shqiptar, nuk pikturon thjesht një
vajzë; ai vendos mbi telajo vetë Shqipërinë, të trupëzuar në një femër të
heshtur e të hijshme, me vështrim që të ngul si gozhdë. Ajo është më shumë se
një portret; është një shpirt që qëndron përballë historisë, me hijeshi të
heshtur dhe dritë që buron nga brenda. Çehreja e saj nuk është veç pamje, por
është gjuhë; një gjuhë e ndjenjës, e mendimit, e përmbajtjes që flet pa fjalë
për ndjenjën e përkatësisë, për madhështinë e thjeshtësisë dhe për sublimen që
ndriçon përmes përmbajtjes.
Në
anën tjetër, “Shqiptarja” e Corot është një krijesë e përfytyrimit, një ndjesi
e zbutur në telajo. Ajo i përket më shumë një peizazhi shpirtëror sesa një
realiteti etnografik. Në sytë e saj nuk ka sfidë, por melankoli; nuk ka
përballje, por përhumbje. E veshur me motive shqiptare, por e përshkuar nga
drita e mjegullt e romantizmit, kjo grua është më shumë simbol i ekzotikës,
sesa mbartëse e një peshe historike. Corot, mjeshtër i dritës dhe heshtjes, e
sheh shqiptaren si një reflektim të bukurisë së një bote të largët dhe të
pakapshme, një botë që ai e sodit, por nuk mund ta prekë.
Ajo
që i ndan këto dy portrete nuk është vetëm teknika apo stili, është qëllimi.
Idromeno krijon një monument kombëtar në formën e një portreti intim, Corot
ndërton një poemë të butë përmes një imazhi që përfton më shumë ëndërrim sesa
identitet. Njëra është kryelartë në përfaqësim, tjetra e përhumbur në
simbolikë. Por që të dyja, me të njëjtin nderim, i bëjnë homazh asaj që mbetet
themel i çdo kombi dhe frymë e çdo shoqërie, gruas.
Në
“Motrën Tone”, drita vjen nga brenda, nga forca e qetë e një personaliteti që
di kush është dhe ku qëndron. Ajo është një ndriçim që të detyron të ndalesh,
të respektosh, të reflektosh. Në “Shqiptaren” e Corot, drita vjen nga
jashtë,nga dëshira për ta kapur një bukuri që i shpëton arsyes dhe përqafohet
me ndjenjën. E para është kujtesë, e dyta është imagjinatë. E para është
shpallje, e dyta është ndjesë. E para është identitet, e dyta është mit.
Dy
piktura, dy botë, dy mënyra për ta parë të njëjtën fytyrë.
Ajo
që njëri e pikturoi si pasuri të shpirtit kombëtar, tjetri e përjetësoi si
mister të dashurisë për të panjohurën. Por bashkë, ato rrëfejnë një të vërtetë
të thellë dhe universale, atë bukurinë e gruas shqiptare, që nuk është thjeshtë një çështje estetikë, është një
formë e thellë e qëndresës, e përkatësisë dhe e poetikës së jetës, që vjen nga
brenda, për t’u kthyer në dritë, një vezullim i shpërthimtë që mban të ndezur
në ne diellin e adhurimit.










