Albert Vataj: Konteksti historik dhe letrar i ditëve të fundit të Virginia Woolf
Konteksti historik dhe letrar i ditëve të fundit të Virginia Woolf, shkrimtares revolucionarizoi letërsinë modern

Viti
1941 ishte një periudhë tejet e errët për Britaninë e Madhe. Lufta e Dytë
Botërore kishte përfshirë vendin dhe "The Blitz" (bombardimet
gjermane) kishte shkatërruar dy shtëpitë e Virginia-s dhe bashkëshortit të saj,
Leonard Woolf, në Londër. Ata ishin zhvendosur me kohë të plotë në Monk's
House, shtëpinë e tyre fshatare në Rodmell, pranë lumit Ouse. Sulmet e
vazhdueshme ajrore, frika nga një pushtim i mundshëm nazist (pasi Leonardi
ishte me prejardhje çifute dhe çifti kishte planifikuar vetëvrasje të
përbashkët me gaz nëse nazistët pushtonin Anglinë) dhe izolimi provincial e
rënduan jashtë mase gjendjen e saj mendore.
Në
këtë klimë ankthi, procesi i shkrimit dhe korrigjimit të romanit të saj të
fundit, "Between the Acts" (Midis akteve), e kishte rraskapitur
mendërisht. Virginia nisi të dyshonte te talenti i saj dhe ra në një melankoli
të thellë, duke u ndier e zbrazur nga energjia krijuese që e kishte mbajtur
gjallë gjithë jetën.
Më
28 mars 1941, Virginia Woolf mori vendimin fatal. Në moshën 59-vjeçare,
shkrimtarja që kishte revolucionarizuar letërsinë moderne mbushi xhepat e
palltos me gurë dhe hyri në ujërat e ftohta të lumit Ouse, pas shtëpisë së saj
në Rodmell, për të mos u kthyer kurrë më. Një rikthim i dhimbshëm i depresionit
të rëndë që e kishte munduar që në rini, i nxitur edhe nga rraskapitja
krijuese, mposhti përfundimisht vullnetin e saj për të jetuar.
Ajo
la pas një trashëgimi të pashlyeshme, ditarët intimë mjaft prekës, esetë
brilante mbi feminizmin dhe kulturën, librat pak të njohur për fëmijë dhe
kryeveprën "Orlando" (1928), të cilën Virginia e shkroi si homazh dhe
letër dashurie për miken, muzën dhe të dashurën e saj, shkrimtaren Vita
Sackville-West. Djali i Vitës, Nigel Nicolson, do ta quante më vonë këtë libër
si "letrën më të gjatë dhe më magjepsëse të dashurisë në historinë e
letërsisë".
Atë
mëngjes të zymtë, Virginia nuk la vetëm një letër. Ajo shkroi dy letra
lamtumire: një për bashkëshortin e saj, Leonardin, dhe një për motrën e saj të
shtrenjtë, pikëtoren Vanessa Bell. Në letrën drejtuar motrës, ajo shprehte
pothuajse të njëjtën mirënjohje, duke treguar se ndjenja e pafuqisë për të
luftuar me sëmundjen ishte bërë e papërbashkueshme.
Por
dëshmia më tronditëse e gjenisë dhe vuajtjes së saj mbetet letra e lamtumirës
drejtuar Leonardit; një dokument që përzien dëshpërimin e pastër me një dashuri
dhe mirënjohje sublime absolute:
"Më
i shtrenjti im,
Ndiej
me siguri se po çmendem përsëri. Ndiej se nuk mund të kalojmë një tjetër nga
ato periudha të tmerrshme. Dhe këtë herë nuk do të shërohem. Kam filluar të
dëgjoj zëra dhe nuk mund të përqendrohem. Ndaj po bëj atë që më duket gjëja më
e mirë për t'u bërë. Ti më ke dhënë lumturinë më të madhe të mundshme. Ke qenë
në çdo mënyrë gjithçka që dikush mund të ishte. Nuk mendoj se dy njerëz mund të
kishin qenë më të lumtur, derisa erdhi kjo sëmundje e tmerrshme. Nuk mund të
luftoj më gjatë. E di që po ta shkatërroj jetën, që pa mua ti do të mund të
punoje. Dhe ti do ta dish këtë. E sheh, as këtë nuk po mund ta shkruaj siç
duhet. Nuk mund të lexoj. Ajo që dua të them është se gjithë lumturinë e jetës
sime ta detyroj ty. Ke qenë plotësisht i durueshëm medje me mua dhe i mirë
jashtëzakonisht. Dua të them se këtë e dinë të gjithë. Nëse dikush do të mund
të më kishte shpëtuar, ai do të ishe ti. Gjithçka është larguar prej meje,
përveç sigurisë së mirësisë sate. Nuk mund të vazhdoj të ta shkatërroj jetën më
gjatë.
Nuk
mendoj se dy njerëz mund të kishin qenë më të lumtur nga ç'kemi qenë ne."
Një
lamtumirë zemërthyese nga një prej mendjeve më të ndritura të letërsisë
botërore.
Trupi
i Virginia Woolf nuk u gjet menjëherë. Rrymat e ftohta të lumit Ouse e morën me
vete dhe ai u zbulua nga disa fëmijë të zonës vetëm tri javë më vonë, më 18
prill 1941. Leonardi e kremoi trupin e saj dhe e varrosi hirin nën një pemë
verri në kopshtin e shtëpisë së tyre në Rodmell, në atë vend që ajo e kishte
dashur aq shumë sa qëndroi aty deri në frymën e fundit.













