Ndue Dedaj: Kohë moderne

29.09.2026, 06:06 PM (GMT+1)

Ndue Dedaj

KOHË MODERNE

Në fëmijëri i thirrja n’emër gjithë njerëzit e katundit,

me vargun e gjatë të brezave deri te Lek Dukagjini,

emrin ma shkruan në trungun e lisit e rrasat e gurit

para se në kishën e Jezusit e në gjendjen civile,

sipas alfabetit të lashtë pagan të hënës e diellit...

Dëgjoja cicërimat e gurit, pasthirrmat e ujkut,

rroja mes njerëzve më të virtytshëm të rruzullit

ku askush nuk ishte i pari, askush nuk ishte i fundit.

Odave thuheshin historitë e pashkruara të fisit,

urdhnimet e moralit para formulave të fizikës

se miku asht zot në shtëpinë tënde... e zoti armik!

Në qytetin me sy lumi njihja të madh e të vogël

vizatoheshim përditë në buzqëqeshjet e njëri-tjetrit

s’kalonim pa i thënë të njohurit e të panjohurit tungjatjeta.

Në metropol ka do kohë që bujt e nuk ia di emrin askujt,

as komshisë dera-derës, as kryeplakut të lagjes,

sepse në kryeqytet nuk ka emra, ka vetëm numra

emrat janë në tabelat e rrugëve...

shtator 2026