Llesh Ndoj: Baca Pjetër – në shtjellën e fatit të një jetimi
Në kujtim të parardhësve tanë
BACA PJETËR
- Në shtjellën e fatit
të një jetimi -

Nëse
para 40 vitesh në fshatin Domgjon të Mirditës do t’i drejtoheshe ndonjë të
rrituri me pyetjen: - A ke pa njeri, si janë ata të Pjetër Gjonit?, para se të
merrje një përgjigje prej tij, shumicën e rasteve ai do të kthehej me një
pyetje tjetër sqaruese: - Këta të Gjonojt
apo të Gjonit Plakut?
Gjon
quheshin parardhësit e dy familjeve të nderuara domgjonase, e të dy kishin të
paktën nga një pasardhës djalë me emrin Pjetër, por ato nuk kishin, as nuk kanë
asnjë lidhje gjaku mes tyre, përveçse janë pjesë e vllaznisë së përjetshme
domgjonase, që mendohet se rrjedh nga pesë vllezër të ndarë në pesë fise, sot
të shpërndara nga Domgjoni, kudo në Shqipëri, në Kosovë, Europë e deri në
Amerikën e largët. Njëra prej këtyre familjeve jetonte në Pla, ajo e Gjon
Ndojt, fisi Gjokazaj, pikërisht në rrafshin e një sipërfaqeje toke të punueshme
ndër më pjelloret në Domgjon, ndërsa tjetra, ajo e Gjonit të Plakut, jeton në
Gjagëz, edhe ajo në rrafshin e epërm, njëra nga tri rrafshinat e tokës së
punueshme të kësaj lagjeje, rrafshit të poshtëm, atij të epërm e Fushës së Gjatë.
Gjoni i Plakut, kishte mbërritur aty nga një tjetër fushë e përmendur, edhe ajo
hambar i kohës për familjet që e zotëronin, Rrugja e Domgjonit dhe i përket
fisit Kolpepaj. Të trija këto fusha pjellore, janë të vendosura si në një
trekëndësh imagjinar mbi trupin e Domgjonit, e dikur mbanin me bukë shumë
familje, por sot dy prej tyre pak ose aspak gjelbërojnë, ndërsa ajo e Gjakzës
po, edhe në saje të pasardhësve të Gjonit të Plakut. Ndoshta pakkush e dinte,
atëhere edhe sot, pse - në e këtij mbiemri jozyrtar që mbante kjo familje, pa
asnjë shoqe tjetër në Domgjon. Historia e saj është histori jetimësh, jo e
vetmja në trungun e saj, as në Domgjon, por është njëra nga më tipiket.
Frrok
Ndoci, i ati i Gjonit, kishte mbetur i ve herët, duke patur me bashkëshorten e
ndarë nga jeta, tri vajza e një djalë, me emrin Zef, edhe ky me një histori
jetimësh që sot duken si trill i mendjes njerëzore kur i dëgjon, e thuajse për
brezin e ri janë të pabesueshme. Por nejse… Fokusi im në këtë shkrim është
Gjoni, jo Zefi. I ati i tij, Frroku, ende i ri në moshë e me fëmijët jetima, u
detyrua të rimartohej. Kur bashkëshortja e tij e dytë ishte shtatzënë, ai u
sëmurë rëndë dhe e pa të afërt fundin. Meqë e shoqja ishte edhe fizikisht me
kufizime, ai i porositi të tijët që t’i dilnin zot asaj e t’i rrinin gati se
ishte shtatzënë dhe priste një djalë. Ishte ky përcaktim parandjenjë, dëshirë
apo parashikim fati, veç ai e dinte, se atëherë askush nuk kishte mjete të
përcaktonte gjininë e fëmijës përpara se ai të lindte.
Djali
lindi dhe e pagëzuan me emrin Gjon. Ishte djali i plakut, e kështu ai nuk u
quajt asnjëherë Gjon Frroku, por Gjoni i Plakut. Vitlindja e tij i bie aty nga
viti 1895 - 1896. Gjoni martohet në vitin 1916, kur ishte rreth 20 vjeç, e pas
dy vitesh martesë, në vitin 1918 ndahet nga Zef Frroku, vllau i vetëm për babë.
Pjesa e tokës iu caktua në Gjagëz, por aty nuk kishte as shtëpi e asgjë për
jetesë. Në këto rrethana të vështira, Gjoni strehohet tek kushërinjtë e largët,
në familjen e nderuar të Gjon Nikoll Bibës, ku nis një jetë të re, në kushte e
rrethana më të vështira se koha kur po flasim. Dhe të mos harrojmë, ishte koha
e Nemces, njëra nga kohërat më të vështira sa i takon zisë së bukës ndër
mirditorë. Aty, në vitin 1919 lindi Pjetri, personazhi i këtij shkrimi modest,
i cili do të bëhej me vitet e jetës së tij, jo një personazh dosido domgjonas,
por njëri nga burrat më në zë të tij, njeri i respektuar e i nderuar gjithë
jetën e vet relativisht të gjatë, derisa u nda nga jeta në vitin 2010.


Baca
Pjetër me Petron e Gjonit, trashegimtarin e emrit
Ishte
koha me u nda e me dalë në vete, ndonëse në familjen ku kishte jetuar gjithë
ato vite, ishte trajtuar si në shtëpinë e vet. Në vitin 1951 hedh shtat kulla e
tij në rrafshin e epërm të Gjakzës, një shtëpi që banohet edhe sot nga
pasardhësit. E kishte vendosur të dilte në punën e vet i pavarur, edhe pse
hallet nuk iu ndanë. Ishte martuar në vitin 1938, por dy fëmijët e parë, të dy
djem, i ishin ndarë nga jeta. Fati i trokiti në truallin e ri, ku lindi e rriti
3 djem dhe një vajzë Nduen, Nikollin e Gjonin dhe Marien. Familja përparoi e u
bë një nga më të respektuarat familje domgjonase. Vetë Pjetri, pas një përvoje
të shkurtër në sharrat e Shënmërisë së Kukësit, në vitet 1953 – 1967, punoi për
shumë vite, si mirëmbajtës i linjës telefonike Fanë - Kukës, bashkë me Pjetër
Llesh Dodën (kujtoni filmim “Rrugë të Bardha” e personazhin e luajtur
mjeshtërisht nga Rikard Larja – Dedën), dhe prej asaj kohe gjithë jetën punoi
si bari delesh, zanat që e kishte ushtruar në shtëpinë e madhe ku jetonte qysh
në moshën 9 - vjeçare. Si bari, Pjetri ishte njëri nga më të përmendurit e
këtij zanati, krahas Ndre Markut, Marka Prengës e ndonjë tjetri, duke qenë edhe
njëri nga më të respektuarit burra në Domgjon. Të gjithë ndjeheshin të nderuar
t’a kishin shoq, shok, koleg pune, këshillues e ndihmues, apo krushk të parë në
dasmat e fëmijëve të tyre. Numërohen rreth 70 raste kur ai u ka pri krushqve.
Një rast unik mund të kujtohet, sepse nga viti 1944 deri në vitin 1991, ka qenë
anëtar i zgjedhur i këshillave vendore. I binte fyellit, zumares e çiftelisë
dhe ishte kampion absolut në lojën popullore të njohur si “cic - mic”,
varjantin më të ndërlikuar të saj, atë me 9 gurë. Pjetër Gjoni ishte mjeshtër i
punimit të enëve prej druri, si buliera, voza, mtana etj. Ishte kampion në
qethjen e deleve, kostar i klasit e muhabetçarë i veçantë. I pashëm, fjalë
rrallë e i vendosur, si rrallëkush në kohën e tij.
***
Koha
është e çuditshme. Ajo ka aftësinë e jashtëzakonshme t’i hapë e t’i shërojë
plagët e jetës. Pas dy breznive jetimë, pa shtëpi e katandi, rritur tek të
afërm, me të cilët i kalonte 4 - 5 brezni, me halle shumë e perspektivë të
zymtë, familja e Gjonit të Plakut dhe Pjetër Gjonit, pinjollit të vetëm
pasardhës mashkull, ngrihet e shumohet për t’a patur zili. E tash, kur Domgjonit
ia kemi kthyer shpinën shumë nga ne domgjonasit, duke e lënë jetim, pasardhësit
e bacë Pjetrit, (kështu e kanë thirrur shumica e më të rinjëve Pjetër Gjon
Frrok Ndocin ose Pjetër Gjon Plakun), sot jo vetëm s’i ka lëshue trojet e të
parëve, por i mban ato si ndër më të mirët domgjonas.
Ndoj,
tashmë në moshë, të pret sapo kalon lumin e Fanit e nis udhën drejt Domgjonit.
Burrë i urtë si i ati, bujar e mikpritës si ai, ndonëse me fëmijët larg, jeton
e punon në shtëpinë e re në rrafshin e poshtëm. Nikolli, po ashtu, ka ngritur
shtëpinë e tij dhe jeton në Gjagëz. Gjoni, më i vogli i tyre, ai që vetë ka
marr emrin e gjyshit, jeton në kullën e lashtë të të atit. Tashmë pensionist,
pasi kontribuoi një jetë si ekonomist e mësues, ka radhën t’ua përcjellë trojet
e trashëguara të bijëve. Emrin e babës, me një ngjyrim të lehtë të kohës, ia ka
trashëguar të birit. Traditën e babës e kanë pjesë të genit që nuk ua shpëlanë
koha, vitet as pasuria.
Respekt
për këtë familje të nderuar, e i paharruar kujtimi i këtij njeriu të urtë
Pjetër Gjon Plakut, bacë Pjetrit tone të paharruar!
Lezhë, 25 shtator 2025


