Kalosh Çeliku: Hajdutët na i mori partia në qeveri

PARTIA NË QEVERI
NGA
KALOSH ÇELIKU
Ditë
vere me vapë. Gjinkallat politike, kur t’i shkërdhejnë trutë, e ti nuk ke vend
ku ta fusësh as kokën për strehim nën çati. Kohë, kur edhe asfalti është
shkrirë në rrugë dhe të rrëshqet si akull nën këmbë. Bërlloku pas porte të ka
vënë pusi, të turret pas shpine. Toka digjet flakë, qielli mbi kokë vjellë
zjarr. Populli thotë: “hyp se të vrava, zdryp se të vrava!” Vend i nemur, kur
ndërtesat gjatë ditës lindin si këpurdhat dhe i gëlltisin rrezet e diellit, e
gjatë natës i vjellin zjarr e flakë si kuçedra. E ti, i larë në djersë gjithë
natën e gjatë rrotullohesh lëmsh nëpër shtrat. Ëndrra të tmerrshme: Bolla me
flokë, Lugati, Tollosuni, Hojdodolja, Dexhalli me trumbeta… Djersë. Flet, jerm.
Xhindet, pasmesnate të hudhin dorë më dorë gjithë natën majë lisave. Shelgjeve
dhe çative të shtëpive. Nën “Rrap e mbi Rrap”, siç thoshte njëherë moti nëpër
Orët tona poetike deri në agim Xhaxhi Kuqezi. E pak para agimit të kthejnë në
shtrat.
Ditës
i ke hipur në shpinë. Matanë, “Urës Gurit” ia ke lidhur me një shami sytë. E ke
shaluar me të katra Gjokun e Gjergj Elez Alisë rrugëve të “Bit Pazarit”.
Pavetëdije, se: rrugës me gurë mund t’i bien patkojtë si Kalit të Skënderbeut
te Sheshi “Skënderbeu”, në Shkup. E, ti më kot e kërkon nëpër sokaqe Lirinë, në
Qytetin e qyqeve nuk ke nallban t’ia mbathësh këmbët kalit. Rrugën ta vazhdosh
me shokë. Tanushën e Krajlit mes maleve ta sjellësh Nuse me koçi në Katund.
Dhe,
një ditë Gjokut tim i ranë patkojtë. Nallban nuk gjeta në Katund. Mezi e gjeta
një ëmbëltore të marrë pak frymë. E pyeta bozaxhiun: ç’po ndodh me këtë
Katund?! Nuk kemi nallbanë, nuk kemi bozaxhinjë, nuk kemi çobanë?! Nuk kemi
bujqër. Buzëqeshi, dhe m’u përgjigjë:
-
Banorët e këtij Katundi të gjithë janë në Universitet. I përgatisin provimet e
studimeve. I madh e i vogël duan të bëhen profesorë universiteti. Doktorë
shkence. Politikanë, me poste partiake: Ministra, shkrimtarë, Këngëtarë,
Analistë politik…
-
E çuditshme, i them pronarit. Por, ne nuk kemi nallbanë. Nuk ka kush të ma
mbathë kalin me shalë. Nuk kemi bozaxhi. Çobanë të na i ruajnë dhentë. Baresha
që t’i mjelin delet me kusia nën hijen e dardhave gorrice. Bujk, të na i
lëvrojë arat me pllug.
-
E di, më përgjigjet me ironi. Fajin e ka Partia. Çobanët i ke në universitet.
Bozaxhinjtë në Ministrinë e Kulturës. Kamarierët në Minstrinë e Arsimit.
Rrugaçët kuqezi, këmbëkryq në prehërin e Nënës Parti me poste partiake.
-
E hajdutët, e pyes unë?! Hajdutët?!
-
Nuk kemi, as hajdutë?!
-
Ehu, e pamundur?!
-
Hajdutët, nuk rrinë më në Katund. Ikën. Rehat jemi gjatë këtyre viteve të
“demokracisë”, kanë zbritur në Qytet. Na i mori Partia në Qeveri. I dalin zot
Atdheut në fushatat parazgjedhore. E ruajnë nga intelektualët... Shkrimtarët…
Gazetarët...
-
Mos, o Zot më keq, i them. Dhe, m’u kujtua Bozaxhiu i Minsistrisë së Kulturës.
E kishte dërguar Partia të vendosë “kritere, rend dhe rregull” për librin shqip
dhe kulturën shqiptare. E ky burri i botës, kurrë në jetën e vet nuk kishte
shkruar së paku një varg. E për sa u përket librave, nuk e di a ka ndonjë libër
në shtëpi. Bibliotekë, jo se jo nuk e ka lexuar, këtë e them me plot gojën.
Edhe më keq, ky Bozaxhi shkoi haxhi edhe në Mekë. I nxjerrë në dritë edhe dy
revista letrare për fëmijë. Shokëve të Katundit të tij, “Kryeqendrës kulturore
të shqiptarëve” me dy universitete do t’ua kalojë në botimin e revistave për
fëmijë. Shkaku, se: në Katundin e tij, merreni me mend, dalin dhjetë revista
për fëmijë?!... Nuk flasim këtu për vlera artistike, këtë më së miri e dinë
mësuesit e atyre shkollave, ku shpërndahen revistat dhe vetë nxënësit e
pafajshëm, që janë mbi nivelin e këtyre trusakatëve. Inspektorët e arsimit. Unë
sa për vete e di, nuk ka nevojë të më bindni se, çka mund të pjellë ky tru
bozaxhiu. Por, përsëri si duket kot: “i bie samarit, që t’i teket gomarit”.
Partia i do trusakatët. Shkaku meritave “patritotike” partiake, që ishte
fotografuar para kamerave televizive krah për krahu me Vetaranin e luftës në
mesin e varrezave të dëshmorëve, e kishin emëruar inspektor të arsimit
Tollumbaxhiun. Trusakatin, që mezi e kishte kryer fakultetin te një profesor,
mik i imi me dy najlona speca. E shi, tashti Tollumbaxhiu përgatiste tezën e
doktoraturës te një profesor i dëgjuar edhe matanë Atdheut, që në kohën e
komunizmit, gjatë kohë kishte qenë edhe ambasador i “vëllazërim - bashkimit”.
E
kanë pyetur deven: kur e ka pasur më së vështiri në jetë? Është përgjigjur: kur
më ka pri gomari. E po të më pyetni mua, do t’u përgjigjem: kur më pri
Trusakati…


