Beqir Cikaqi: Gjuha shqipe, një dritë që na bashkon

27.09.2026, 06:55 PM (GMT+1)


GJUHA SHQIPE, NJË DRITË QË NA BASHKON

Nga Beqir Cikaqi

Më 25 shtator, në Degerloch të Shtutgartit, u hap një faqe e re në rrugëtimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe. Shkolla Shqipe “Abetarja” zgjeroi veprimtarinë e saj edhe me degën e re në Degerloch, duke mbledhur rreth vetes fëmijë, prindër, mësues dhe dashamirës të gjuhës e kulturës sonë kombëtare.

Me këtë rast u organizua një ceremoni solemne, e udhëhequr nga drejtuesit e Shkollës Shqipe “Abetarja”, nën drejtimin e koordinatorit, z. Fitim Gashi, si dhe dy mësueseve: Antigona Hoxha Sopa dhe Mirjetë Gashi, të cilët jan duke u angazhuar të punojnë vullnetarisht. Një kontribut të veçantë në këtë nismë dhanë edhe prindërit e fëmijëve, të cilët me përkushtimin dhe mbështetjen e tyre dëshmuan se ruajtja e gjuhës shqipe nis nga familja dhe forcohet në shkollë.

Në këtë ngjarje morën pjesë edhe udhëheqësi i Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës, z. Hamdi Bërbatovci, i shoqëruar nga znj. Shpresa Rama Iseni, përgjegjëse për mësimin plotësues në Konsullatë.


Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Bërbatovci vlerësoi këtë nismë të rëndësishme për fëmijët shqiptarë në mërgatë, duke theksuar se ajo nuk është një përpjekje e vetmuar, por pjesë e një rrjeti më të gjerë të shkollave shqipe. Ai bëri të ditur gjithashtu se Konsullata siguron tekste shkollore falas për secilin nxënës, duke i dhënë kështu mbështetje konkrete procesit të mësimit plotësues në gjuhën shqipe.

Një moment i veçantë i ceremonisë ishte edhe ftesa që m’u bë mua, Beqir Cikaqi, për të përshëndetur këtë ngjarje në cilësinë e një ish-mësimdhënësi me përvojë disa vjeçare. Ishte një çast me domethënie të veçantë, andaj edhe bëra këtë përshëndetje, duke u falemenderuar organizatorët për ftesën veprimtarin e vazhduar nga viti i kaluar.

Nga përshëndetja ime me rastin kësaj ceremonie.

I  nderuar udhëheqës i Konsullatës së Republikës së Kosovës në Stuttgart,z. Hamdi Bërbatovci,

i nderuar koordinator i Shkollës Shqipe “Abetarja” z. Fitim Gashi,

të nderuara mësuese, prindër, nxënës, bashkatdhetarë, e të tjerë:

Është kënaqësi dhe nder të jem sot këtu, në këtë ceremoni të rëndësishme të hapjes së mësimit plotësues në gjuhën shqipe dega në Degerloch, nga Shkolla Shqipe “Abetarja”.Hapja e një shkolle shqipe në mërgim nuk është vetëm një veprimtari arsimore. Është një dëshmi e dashurisë për gjuhën, për kulturën dhe për rrënjët tona kombëtare. Gjuha shqipe është një nga lidhjet më të fuqishme që bashkon brezat. Ajo që mësohet sot nga fëmijët tanë, do të jetojë nesër në familjet e tyre dhe do t’u përcillet brezave që vijnë. Këtë na dëshmojnë edhe vargjet e poetëve tan të mdhejë, si: Naimit, Mjedës, Fishtës, etj.

Prandaj, kjo shkollë është një urë e bukur mes vendit ku jetojmë dhe vendit prej nga vijmë; një hapësirë ku fëmijët tanë jo vetëm mësojnë të shkruajnë e të lexojnë shqip, por edhe njohin historinë, traditat, letërsinë dhe kulturën e popullit të tyre.

Një falënderim i veçantë u takon koordinatorit, mësuesve, prindërve dhe të gjithë atyre që po japin kontributin e tyre që kjo shkollë të jetësohet dhe të ecë përpara.

Fëmijëve vijues të kësaj shkolle, dhe jo vetëm, iu them: ruajeni gjuhën shqipe, duajeni atë dhe fliteni me krenari! Sepse një popull që ruan gjuhën e vet, ruan edhe kujtesën, kulturën dhe identitetin e tij. ( iu lexova poezinë: ”Shqipja hap krahët”, dedikuar Shkollës Shqipe “Abetarja”, me rastin e fillimit të veprimtarisë vitin e kaluar në Leinfelden/Shtutgart ).

Fare në fund të nderuar të pranishëm,

Me urimin që kjo shkollë të ketë jetë të gjatë, shumë nxënës, shumë libra, shumë suksese dhe shumë breza që do të dalin prej saj, ju uroj nga zemra punë të mbarë dhe suksese në këtë rrugëtim të bukur! Urime Shkolla Shqipe “Abetarja” dega në Degerloch!

Ceremoninë e begatuan edhe pikat artistike të nxënësve të Shkollës Shqipe “Abetarja”, dega e Leinfeldenit, të cilat sollën në sallë gjallërinë, emocionin dhe bukurinë e gjuhës shqipe. Përmes monitorit u prezantuan edhe aktivitete nga viti i kaluar shkollor, duke dëshmuar, punën dhe përkushtimin e nxënësve e të mësuesve.

Në fund, siç i ka hije një feste që bashkon njerëzit rreth një qëllimi të përbashkët, nuk munguan fotot e përbashkëta, që do të mbeten kujtim i kësaj dite të veçantë.

Pas ceremonisë, të pranishmit vazhduan bashkëbisedimin në një koktej të përgatitur me specialitete tradicionale kosovare dhe pije freskuese, duke e mbyllur këtë ditë me atmosferë miqësore e festive.

Hapja e degës së Shkollës Shqipe “Abetarja” në Degerloch është më shumë se një ngjarje shkollore. Është një dëshmi se, edhe larg vendlindjes, gjuha shqipe vazhdon të jetojë, të mësohet dhe të përcillet brez pas brezi. Sepse fëmijët që sot mësojnë abetaren, nesër do të jenë ata që do ta shkruajnë, ta flasin dhe ta mbajnë gjallë fjalën shqipe. Një shkollë të re, një derë e re për dijen; një abetare në duart e fëmijëve – një lidhje e fortë drejt rrënjëve tona.

Beqir Cikaqi, 26 shtator 2026