Albert Habazaj: Ne nuk kishim shumë, por kishim njëri-tjetrin…

Paneli i përurimit të librit Kur bota u lodh nga vetja. Anila Toto, autorja Nina Vruzhaj, Albert Habazaj, Laureta Petoshati, QKA, Vlorë
NE NUK KISHIM SHUMË, POR KISHIM NJËRI-TJETRIN…
Dy
fjalë për librin me ese: “Kur bota u lodh nga vetja: reflektim mbi jetën dhe
shoqërinë” të shkrimtares Nertila VRUZHAJ
Nga
MSc. Albert HABAZAJ, poet, studiues
Shkrimtaren Nertila Vruzhaj, lindur në
Vlorë, nuk e kam njohur më parë. Ishin dy telefonata të autoreve në zë të
qytetit, mikeshave të mia Laureta Petoshati dhe Anila Toto, të cilat më mundësuan
fatin, që unë të kem në bibliotekën time një libër të ri me vlera qytetare, të
njoh një shkrimtare serioze të letërsisë bashkëkohore, zonjën dinjitoze Nertila
Vruzhaj, që na dhuron këtë prozë të bukur me një temë të ndjeshme, të
dhembshme, të prekshme, të vërtetë, me mesazhe për nesër mbi universin e
DASHURISË SË HUMBUR TË NJERIUT.
Para se të shpreh dy fjalë për librin e
Nertilës, vlerësoj vëmendjen e Qendrës Kulturore, Bashkia Vlorë në realizimin e
kësaj veprimtarie cilësore, jo vetëm letraro - kulturore, por veçmas për
ndihmesën që jep libri që përurojmë sot në edukimin moral e qytetar, nëpërmjet
fjalës së çmuar si filigran shpirti në mbi 170 faqe libër që na dhuron autorja.
Seç ka një trini mistike kjo botë e lodhur që na sjell Nertila: 3
breza, 3 këndvështrime, 3 etapa, 3 psikologji e shumësi mikrobotësh, raporte
kontrastesh, dashuri - dhembje, plotmëri - boshësi, ideal - para, vlerësim -
shpërfillje, nderim - poshtërim, respekt - fyerje, dëlirësi si dëbora,
hipokrizi si varaka, besimi - dyshimi, shëndeti - lëndimi, mirësia - ligësia,
optimizmi - pesimizmi, bota e shëndetshme
- bota e dobët, bota e gjallë - bota e tharë.
Nertila nuk na vjen thjesht si një
shkrimtare e mirë, por patjetër si misionare e vërtetë e Mirësisë Njerëzore,
ardhur në këtë libër me një gjuhë të pastër, të pasur, të thjeshtë, të
kulturuar dhe të bukur.
Ky libër është një vlerë e shtuar në
letërsinë socio - psikologjike të kohës që jetojmë, i domosdoshëm edhe si
manual edukimi nëpërmjet reflektimit mbi jetën dhe shoqërinë e kohës.

Nuk është aspak moralizues ky libër,
por kam të drejtën ta quaj një manifest të filozofisë së moralit, aq të
domosdoshëm, sidomos sot, kur busullës magnetike të shoqërisë sonë
demokratikisht ende të brishtë, i është çorientuar gjilpëra e drejtimit. Sot,
kur virtytin e rreh heq era; sot, kur dashurinë e qëllon egër furtuna; sot, kur
bota e lodhur nga veset e saj; sot, kur ndihet kompleksi i inferioritetit të
paqes ndaj luftës, i dashurisë ndaj urrejtjes, i nderit ndaj turpit, i të së vërtetës
ndaj gënjeshtrës, i idealit ndaj interest - shkrimtarja jonë, e brumosur shëndetshëm
me filozofinë e jetës, e matur dhe e pjekur në komunikimin e shkruar me njerëzit,
e saktë në fjalë, sepse është armatosur me normat, ligjet, të drejtën zakonore
prurë natyrshëm në kohë, që mban ekuilibrat, më saktë që duhet të mbajë
barazpeshat e shoqërisë njerëzore dhe natyrës, e pajisur, e plotësuar me
peshoren e drejtësisë, falë jo vetëm arsimit universitar për Jurisprudencë,
shprehet qartë, shkurt dhe saktë në optikën e saj: “Ne nuk kishim shumë, por
kishim njëri-tjetrin”… Kjo shprehje e thjeshtë është e vërteta e këtij libri, që
nuk bërtet, por dhemb. Kjo fjali e pabujshme është filozofia e këtij libri
interesant me 6 kre, që vijnë si ese argumentuese (bindëse), duke tejkaluar,
falë përvojës jetësore, diturisë akademike dhe talentit letrar, esetë
shpjeguese (informative), ato përshkruese, si dhe ato treguese (narrative), ndërsa
jo pak herë vërejmë kërleshje të esesë argumentuese me atë krahasuese, ç’ka na
bën me dije, se autorja ka vizion, synime dhe njohuri të thella. Parë sipas
stilit, shpesh herë ngjizet në një trup shkrimor eseja letrare me atë
filozofike, kritike jo thjesht për të vëzhguar jetën e përditshme apo për të bërë
krahasimet midis mënyrës së jetesës deri në imtësi në të tre kohët e udhëtimit
jetësor të autores Vruzhaj, e cila shkruan: “Kishim një botë që ecte me ritmin
e njerëzve, jo të internetit, me botën e ëndrrave, jo të interesit”. Kjo është koha e parë. Ne e njohëm. Me të mirat
dhe të ligat e saj. Nuk duam që të kthehet, assesi. Përvoja e gabuar duhet të
ishte kthyer në mësim të vyer për udhëtimin e jetës. Nuk ndodhi kështu. Një egërsi
e shfrenuar u shfaq mbi dhè, si mushkonjat e mizat në thatësirë. Autorja e vogël
ka qenë, 6 vjeçe, por kujtesën e ka të freskët. Dhe reflektimin të duhur. Iku
koha e parë. Pastaj erdhi koha e ikjes së madhe. Kjo është koha e dytë. Tani ndodhemi në kohën
e tretë - paraqet tablonë autorja - koha e zbrazjes, e boshatisjes së
vendit, të shtëpive, të shpirtit, zemrës e mendjes. Lagje të heshtura. Nëna e
baballarë me sytë nga porta presin në heshtje bijtë e bijat. Bijat dhe bijtë
kanë ikur. Ikin. Do të ikin… Mërgojnë lulet. Nuk pritet dot mërgata e luleve.
Po thahen burimet, krojet, gurrat… Vetëm, vetëm, vetëm - ooo, oh!... Edhe unë vetëm
me gruan. E sa e sa si unë a më të mëdhenj se unë, presin, presin, presin… Po
kush s’duket kund.
Ka shkuar asfalti përkundrejt me malin
e Çikës, në Tërbaç, por fshati është bosh. Vetmia është bërë bashkudhëtare e
pak plakave dhe pleqve të pamundur fizikisht, që shpirti i tyre e di ç’ heq e
ç’ vuan në këtë realitet verbues, por tej fasadës “nuk është vetëm mungesa e
njerëzve ajo që dhemb. Është mungesa e shpirtit” - operon bisturia shkrimore e
autores sonë. Mërgata e luleve e ka tharë kopshtin aq të lulëzuar shqiptar.
Dikur pesha e fjalës ishte kushtetutë, sot kotësia ëshë bërë superfuqi e zhurmës
frymëfikur.
Ka shumë pak banorë fshati. Dhe qyteti
po rrallohet, po thinjet, po kërruset, po tkurret. Hemorragjia e ikjes s’paska
të ndalur. Kaq keq po mendojnë, punojnë dhe veprojnë djajtë me brirë…Po
shthuret familja, djepi ku përkundet jeta që mban shoqërinë, shtetet, kombet,
qytetërimin, njerëzimin. Edhe kafshët, gjallesat e tjera, falë instikteve të
jetës së tyre, bëjnë ritet dhe ritualet, duke vepruar, ndërvepruar a duke u
sjellur në mënyrë të pavetëdijshme për t’ju përshtatur mjedisit ku jetojnë
etj., saqë shpesh herë ngelen shembull për t’u marrë edhe nga ne, njerëzit. Ka
një shprehje Artur Shopenhauer: “Ngjajmë, por jemi ndryshe”. Përse e përdora këtë
thënie pikërisht tani, që e kam përfunduar së lexuari “Botën e lodhur nga vetja” të shkrimtares Nertila Vrazhaj. Kujtoj që
kur isha refugjat, pastaj emigrant në Itali, në vitet 1998-2001, bërë edhe këtë
vjershëz të hidhur:
Për veset e rracës njerëzore
Kokën poshtë duhet ta ul,
Shyqyr që kafshët s’janë si ne, mizore
Se natyrës katastrofa iu vërsul…
San Lorenzo, Itali, 01.07.1999
Dhembshurisht vërtet, por ndihem mirë që
ndjenjat dhe mendimet e mia dhe të Nertilës, pa u njohur kurrë më parë, pa u
parë asnjëherë, rezonojnë, se, si duket kanë një burim energjie: Dritën e Mirësisë.
Kuptojmë që shkrimtarja Vruzhaj, si të
ishte një frymë drite e Diogjenit në sotmëri, kërkon njeriun jo vetëm në mesditë,
por në të 24 orët e ditënatës, me një qiri në dorë. Druaj, se jo vetëm njeriun
nuk do ta gjejë, por, po vijuan kështu turbullirat, tramaundant e rrebeshet
morale, me gjasë, edhe drita mund të fiket, ngadalë... Autorja përdor edhe
mjete stilistike, metafora, kontraste, antiteza dhe një gjuhë alegorike,
kuptohet me pikatore dhe kur nevojitet në tekst. Zakonisht botën e mërzisin të
tjerët, të tjerën e lodhin botën, ndërsa Nertila, lëshon kushtrimin shkrimor të
shpirtit njerëzor “Kur bota u lodh nga
vetja”.
Dritëroi i madh lëshoi klithmën epike
me vargjet:
“Ku të futem, s’gjej vend tjetër
Ku të qesh e ku të qaj,
Majtas vrap më dalin dreqër
Djathtas vijnë e presin djaj”.
Atë që as Zoti s’e bën, e bëka njeriu.
Zoti fal. Njeriu shkatërron. Njeriu i vetmuar, shpirtlodhur, botëboshatisur
është i shkatërruar në qenie, në shpirt e shpesh zgjedh të shkatërrojë.
Shkatërrimi apo vetëshkatërrimi nuk janë më raste spontane, mjerisht për fatin
e keq të shoqërisë në kohën që po jetojmë janë bërë fenomene negative tepër
shqetësuese.
Një temë e veçantë që trajton autorja është
dashuria. Nuk mund ta duash tjetrin, po s’deshe veten. Vërtet që nuk ka receta
për të mësuar universin e dashurisë, se nuk mund të jepen a shpërndahen receta
dashurie, pasi këndvështrimet mbi këtë ndjenjë kaq të madhe, kaq të bukur, të mirë
e të dobishme për njerëzimin dhe natyrën janë aq sa banorë ka bota. Nuk mund të
jesh atdhetar i devotshëm, nëse nuk je familjar i përsosur, nëse nuk vlerëson e
nuk do veten. Unë jam atdhetar, jo me deklarata, por me të vërtetë, me shpirt e
tërë qenien time, sepse dua veten, dua familjen, dua vendin ku linda, vendin ku
u rrita, ku mësova, ku u edukova, ku jetoj, ku qesh shpesh herë me lot dielli,
ku qaj po aq a më shumë me ujëvara furtune. Po nuk desha veten… kot, nuk mund t’i
dua të tjerët. Është hipokrizi çdo shprehje tej kësaj të vërtete njerëzore,
ardhur tejtëhu, jo vetëm këtyre hënave ku e kam dëgjuar dhe vërejtur unë, por
në çdo shtet e kontinent të botës.
Pasiguria, depresioni, vetmia, mungesa
e kuptimit të jetës, humbja e identitetit vetiak e kolektiv, fatkeqësisht po
ngjiten në statujat e rreme, iluzive të vetëshkatërrimit të Njeriut dhe të Tokës.
Por “shpresa ende frymon” - na ndez dritën jeshile të besimit shkrimtarja intelektuale
dhe qytetare e angazhuar.
Në libër trajtohen me qartësi, kthjelltësi
e vëmendje problemet e brendshme të njeriut, që mbush botën, ndërkohë që bota u
lodh nga vetja. Vetëlodhjen e botës, autorja e trajton në 4 rrafshe:
I. Në planin shoqëror: kemi një botë të
mbingarkuar nga ritmi i shpejtë, gati i pakontrollueshëm dot, konflikte,
egoizmin dhe marrëdhëniet e dobëta e të ftohta apo fare të ngrira njerëzore,
deri në armiqësore.
II. Në planin psikologjik: kemi lodhjen
e individit nga vetvetja, nga përditshmëria e trazuar dhe nga pamundësia për të
gjetur qetësi, si pasojë e streseve të pafundme, të papritura.
III. Në planin ekzistencial e shikojmë
veprën nëpërmjet pyetjes se çfarë kuptimi ka ekzistenca kur njeriu humbet
lidhjen me veten dhe me të tjerët.
Me kohë ka dalur shprehja: “Interneti,
celulari na largon të afërmit, na afron të largëtit”. Jo vetëm si mungesë
shpirtërore ndihet kjo e vërtetë e hidhur, por edhe si mungesë fizike. Shqetësimi
më i madh është se si po rritet dhe po edukohet brezi i ri, ai që do të marrë
stafetën nesër. Përveç të mirave që mund e duhet të marrim nga familja
tradicionale përshtatur në kohën e vrullshme e të zhurmshme që po jetojmë,
patjetër me shembullin qytetar të familjes së re, psikiatri, shkrimtari dhe
psikanalisti grek Nikos Sideris na kujton me thënien e qartë: “Fëmijët nuk duan
psikolog, duan prindër”.
IV. Në rrafshin moral kemi një
reflektim mbi atë se çfarë thagmash tragjike i ka bërë njeriu vetes dhe botës
që ka ndërtuar.
Parë në këto katër plane, autorja jo
vetëm shtron pyetjen themelore: A është bota e lodhur nga rrethanat që ka
krijuar, apo nga vetë mënyra si si njerëzit po jetojnë? Nuk e ka fajin koha,
jo. Ajo kalon pa ndërprerje. Njeriu. Ne jemi fajtorë. Ne, jo kafshët…
Vërejmë në libër një veçori
interesante, të cilën e ceka shkurt, se vetë titulli ka edhe një paradoks
poetik: zakonisht themi se njeriu lodhet nga bota, këtu ndodh e kundërta, bota
lodhet nga vetja. Kjo, pra, e zhvendos vështrimin nga individi te një botë e
personifikuar, e lustruar me varakë që të ngjajë si e artë. Bota sillet sikur të
ishte një qenie njerëzore që ka ardhur në një pikë ngopjeje, zhgënjimi ose
reflektimi.
Falë zhvillimit koherent të lëndës dhe
plotësimit kulturor të autores, të gjashtë kapitujt e këtij libri, pa harruar
hyrjen e domosdoshme, forca e kohezionit moral e qytetar i bën të shqueshëm e të
dashur për lexuesin, sidomos për nxënësit dhe studentët tanë, sepse “bota nuk
ndryshon vetiu” - ka thënë historiani britanik Eric Hobsbawm
(1917-2012).
E, së fundmi, themi se ndoshta do të ishte mirë që ky libër të këshillohej si literaturë plotësuese në shkollat e mesme dhe të larta në lëndët përkatëse të edukimit qytetar, të psikologjisë sociale dhe si reflekse etnopedagogjike.



