Albert Habazaj: Bujar Skëndo sjell në Vlorë trilogjinë e letërsisë psikologjike dhe ekzistenciale

BUJAR SKËNDO VJEN NË VLORË ME TRILOGJINË ROMANORE TË LETËRSISË PSIKOLOGJIKE DHE EKZISTENCIALE
Rikthimi
në gjimnazin Halim Xhelo, ku shkëlqeu si nxënës

Nga
Albert HABAZAJ
Tufëz me lule shkrimore
Rikthim në gjimnazin “Halim Xhelo” me emocionet e krijimit letrar
dhe emocionin poetik
Në mesditën e mërkurë të datës 23
shtator 2026, në mjediset e gjimnazit “Halim Xhelo” u zhvillua veprimtaria
letrare kushtuar krijimtarisë së autorit Bujar Skëndo.
Për të nderuar krijimtarinë e autorit
dhe, njëkohësisht, për të bërë vlerësimin e saj, ishin të pranishëm me
diskutimet e tyre: prof.dr. Bardhosh Gaçe, pedagog i Universitetit “Ismail
Qemali”, Vlorë; dr. Sadik Bejko, poet i njohur, pedagog, estet dhe studiues; z.
Çerçiz Loloçi, gazetar dhe studiues; z. Eqerem Canaj, poet dhe shkrimtar
vlonjat; z. Ahmet Demaj, mësues në pension, publicist, kryetar i Shoqatës
Kulturore-Atdhetare “Labëria”, dega Vlorë; z. Albert Habazaj, kryetar i Shoqatës
së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” Vlorë, poet, mik i gjimnazit “Halim Xhelo”; z. Delo
Isufi, poet, përkthyes; z. Luto Memokondi, fabulist dhe studiues; znj.
Shqiponja Pazaj, poete; z. Çlirim Hoxha, shkrimtar; z. Nuredin Veshaj, poet,
etj.
Veprimtaria u zhvillua në mjediset e
bibliotekës së shkollës, me pjesëmarrjen dhe diskutimet e maturantëve të kësaj
shkolle.
Përshëndetjen e rastit e mbajtën
drejtoresha e shkollës, znj. Sonila Banushaj, dhe mësuesja e letërsisë, znj.
Adelina Ibrahimi.
Maturanti Kristi Merkuri bëri një
vështrim të shkurtër mbi jetën dhe krijimtarinë e autorit, ndërsa nxënësja
Franceska Bufaj drejtoi veprimtarinë, duke ua dhënë fjalën për diskutim të
gjithë të pranishmëve.
Diskutantët bënë vlerësime për
krijimtarinë e autorit, duke bërë një analizë të plotë strukturore dhe ideore
të tre romaneve të autorit: “Psherëtima e humbjes”, “Flijimi i maskave” dhe “Dëshmitari
i rremë”.
Aktiviteti vijoi me përshëndetjen e
autorit Bujar Skëndo, i cili nuk i fshehu dot emocionet e rikthimit në
gjimnazin ku u formua si nxënës me formim të plotë kulturor dhe letrar. Ai
tregoi nostalgjinë e atyre viteve dhe vlerën që ka një edukim i mirë për
nxënësit.
Mesazhe të forta autori përcolli për
rolin e procesit krijues, leximit dhe zgjerimit të fushës së njohjes nga të
rinjtë.
Nga ana tjetër, nxënëset Franceska
Bufaj dhe Megi Ahmeti kishin përgatitur një analizë të plotë letrare për dy
romane të autorit, “Psherëtima e humbjes” dhe “Dëshmitari i rremë”.
Nxënësja Emi Kapo përshëndeti me një
vlerësim për krijimtarinë e prof. Bardhosh Gaçes mbi letërsinë arbëreshe dhe
mbi një monografi të tij kushtuar lirikut të madh Ali Asllani.
Një bashkëbisedim i ngrohtë, me pyetje
nga gjimnazistët, u zhvillua mes tyre dhe autorit.
Nxënëset Kleida Sinaj, Samanta Brahimaj
dhe Losana Nela interpretuan fragmente nga romanet.
Kjo ditë e bukur e përurimit letrar u
mbyll me një numër artistik kërcimi, interpretuar nga nxënësja Lorena Zenelaj,
nën melodinë e këngës “Se kënduam Let It Be” të këngëtarit Sherif Merdani,
personazh i një prej romaneve të autorit Bujar Skëndo.
Kjo ditë ishte dhe do të mbetet një
kujtim i bukur për të gjithë nxënësit e gjimnazit “Halim Xhelo”, por edhe një
emocion i bukur për autorin.
Fjala ime: KËMBANË
ROMANORE E LIRISË SË KULTURËS
Shkurtore
Së pari, në
rrafshin e shkollimit, gjimnazin “Halim Xhelo” e kam ndër gjimnazet më në zemër,
ndoshta më për zemër në republikë, për arsye se mësuesi atdhetar dhe demokrat
Halim Xhelo, emrin e të cilit mban shkolla, ishte andej, nga anët e mia, nga Tërbaçi.
Faleminderit Sonilës, drejtoreshës së
shkollës së mesme “Halim Xhelo”, Vlorë! Faleminderit Adelinës, mësueses së letërsisë,
mikeshës sime të vjetër, aq të dashuruar me letërsinë, si dhe gjithë stafit të
kësaj lënde të bukur, sidomos nxënësve, këtyre filizave të mrekullueshëm, tek të
cilët unë kam besim se do të jenë jo vetëm më të mirët në Vlorë, por në
republikë.
Së dyti, kam mendimin që Bujar Skëndo është
i emocionuar, krenar dhe i kënaqur në kub, sepse, 1: si nxënës i shkëlqyer i
shkollës “Halim Xhelo”; 2. Me rrënjë nga Tërbaçi, nga fshati i Halim Xhelos dhe
3. Si pinjoll gjenetik i Halimit, direkt nga fisi i tij. Bujari është kushëri i
parë i të ndritshmit Kujtim Mici - Dragoit të këngës labe, mësuesit shembullor
dhe drejtorit historik e kryelartë të shkollës 8-vjeçare “Halim Xhelo”, Tërbaç (përmbi
20 vjet), sepse babai i Bujarit, Sulejman Dervishi dheë babai i Kujtimit Musa
Dervishi ishin vëllezër. Kaq për biografinë…, po ka ca gjëra që duhet t’i
themi: gjenetikisht, nuk vijnë nga hiçi personalitete të tilla të letrave
shqipe, si Bujar Skëndo, i cili ka një gjenezë fisnike: nga dera e madhe e Skëndojve.
Ndërkohë, letrarisht, hap një tjetër derë të madhe bujare në letërsinë bashkëkohore
shqiptare në rrafshin e zhanrit ekzistenciale, në rrafshin e letërsisë
psikologjike - nga individi te shoqëria, te liria, jo thjesht në rrafshin
universial, porse nga qiliza nis e buron gjithçka. Do ta quaja këmbanë e lirisë së kulturës fjalën
time, duke bërë një analizë të voçkël për veprën e tij të madhe, që nga “Psherëtima
e humbjes”, “Maskat…” dhe “Dëshmitari…”.
Individi, shoqëria dhe historia në 3 romanet e Bujar Skëndos
Bujar Skëndo është një figurë e njohur
në gazetarinë kulturore, në diplomaci dhe në letërsinë shqiptare. Nuk do të
merrem me arsimin e tij universitar, me studimet pasuniversitare, as me ndihmesën
e tij për gjuhësinë, historinë, politikën, diplomacinë e në fusha të tjera, ku
ai u dallua, sepse nuk është objket i kësaj veprimtarie, veçse kujtoj që është
vlerësuar “Personalitet i Shquar i Qarkut të Vlorës” në vitin 2020.
Skëndo shquan për një veprimtari të
gjatë në gazetari, kritikë letrare dhe artistike dhe, nga viti 2023 e në vijim,
spikat në prozën e gjatë. Ka bashkëpunuar me revistën “Nëntori”, ka punuar si
redaktor në gazetën “Drita”, ku është marrë veçanërisht me kritikën pa “buzëkuq”
të prozës, filmit dhe të teatrit, duke qenë aktiv në mendimin eseisitik,
estetik e letrar shqiptar.
Si shkrimtar, ai ka lëvruar sidomos
prozën e gjatë dhe ndër të tjera ka botuar dhe 3 romanet, që përurojmë sot në
Vlorë, pikërsisht në mjediset e bibliotekës së gjimnazit “Halim Xhelo”, në
bankat e së cilit ai kreu shkollën e mesme në vitet 1962-’66.
Botimet e shkrimtarit Bujar Skëndo janë:
1. “Psherëtima e humbjes”: roman; Tiranë,
Onufri, 2022, red. Kadia Dedja, 254 f.
2. “Flijimi i maskave”: roman; Tiranë,
Onufri, 2024, red. Kadia Dedja, 256 f.
3. “Dëshmitari i rremë”: roman; Tiranë,
Onufri, 2025, red. Kadia Dedja, 136 f.
I. Në qendër të romanit “Psherëtima e
humbjes” është drama shpirtërore e një familjeje dhe kriza e marrëdhënieve njerëzore.
Duke qenë se autori i njeh mirë dy botët, edhe këtë shqiptaro-ballkanike, si
bir i këtyre trojeve; por njeh po aq mirë e më thellë botën dhe psikologjinë
sociale përtej atlantike, pesimizmi për qelizën e shoqërisë, për djepin ku
tundet jeta, është i trishtueshëm, ndjen dhembje në kockë edhe porta e shtëpisë
së vjetër. Psherëtima e zgjatur, psherëtima e humbjes përfundimtare (nëse
fatkeqësisht vijon kjo gjendje e shkon rrokopujë bota), psherëtima e humbjes së
pakthyeshme është ngritur lartësisht në art, por jo vetëm kaq; dëshpërimi për mëkatarët
e sotëm jo vetëm në Manhatanin verbues nga llamburitjet e shkëlqimit të rremë
nuk është duf veç i Skëndos si shkrimtar, si njeri, si qytetar i universit, por
është edhe yni, është imi, yti, i të gjithëve, kudo ku jetojnë e banojnë njerëz
me vlera e virtyte, me dinjitet e familje nga Tirana në Nju Jork, nga Vlora në
Londër, nga Shkodra në Berlin, kudo ku ka njerëz, që e duan, e vlerësojnë, e
besojnë dhe e mirëmbajnë familjen dhe shenjtërinë e bekimit të jetës nga ajo.
Prandaj “Psherëtima e humbjes” u mirëprit
nga lexuesi shqiptar dhe lexohet me endje, se na duket si balsam për shërimin e
plagëve sociale, si një kushtrim i dëlirë qytetar për të mos shkarë në humnerat
e humbjes së dinjitetit, të vetë jetës.
II. Romani tjetër “Flijimi i maskave”,
në të cilin maska bëhet gati fytyra e vërtetë e gënjeshtrës, trajton shoqërinë
shqiptare të tranzicionit (që ende mjerisht nuk paska të sosur). Romani rrok
temën e korrupsionit, të krimit, pushtetin e inkriminuar dhe marrëdhëniet e tij
me botën e nëndheshme.
III. Romani “Dëshmitari i rremë”, i
cili na paraqitet me një parathënie nga dy autoritete të letrave shqipe, dr.
Sadik Bejko, poet, pedagog dhe Çerçiz Loloçi, studiues, gazetar, është një
roman i lidhur artistikisht me Festivalin e 11- të të Këngës në
Radiotelevizion, (22-25.12.1972), që siç e dimë, u prezantua nga Edi Luarasi
dhe Bujar Kapexhiu, me regjisor Mihal Luarasin dhe redaktor të teksteve
hallemadhin e paepur të “Rrënjëve”, Sadik Bejkon [Tiranë: “Naim Frashëri”;
1972, red. Pandeli Koçi, 136 f.]. Ai festival aq i bukur, i freskët e aq i
dashur për njerëzit e këngës u nxi, u hodh baltë mbi të pafund dhe pasojat që
pati Festival i Artë dhe artistët e Brezit të Artë si Sherif Merdani jepen me përshkrime
rrëqethëse në roman. Veçse autori Skëndo nuk rrëfen thjesht këtë ngjarje
tronditëse. Ai, si një kirurg i përkryer i klinikës shkrimore, operon në
kapilarët e absurdit të kohës. Ndoshta gazetari Sandër Baraj, vërvitur si mësues
letërsie në një fshat të humbur të Librazhdit, bëhet një figurë komplekse, që
paraqet interes për lexuesin, sepse është mjeshtëria njohëse, shkrimore dhe
artistike e shkrimtarit të na paraqes një personazh tipologjik në zhvillim si
Sandri, emrin real të personit që është futur në lëkurën e këtij personazhi, për
fat të keq të ndodhisë dhe për fat të mirë të letërsisë, shkrimtari e ka njohur
mirë, nga afër. Atmosfera e rëndë, shtypja psikologjike, psikoza e frikës dhe
ndrrydhja nga ankthi, siç na e paraqet autori, është tërësisht situatë traume, të
cilën e theksojnë dhe dy autorët e tekstit shtesë, në parathënien e romanit, është
situata e murme që i zë frymën jetës dhe zotëron keq në qytetin provincial të
viteve 1972-’75.
Ç’ka duket veçanërisht interesante te
profili i autorit Bujar Skëndo nuk është fabula e kalimit të ylberit (në
rrafshin mitologjik, se s’ ndodh, as ajo që ndodhi në rrafshin gjeografik të
kalimit të hapësirave Tiranë - Nju Jork), por kalimi i suksesshëm nga kritiku
cilësor me frymë të re të vërtetë kritike tek shkrimtari, më saktë, tek
romancieri me emër. Klas. Ca përvoja negative kanë qenë ndër shkrimtarë dështakë,
nga që e shuan me ujë në letërsinë artistike, deshën të bënin emër si kritikë,
por koha vërtetoi se shtinë në hi…
Skëndo përbën një fenomen në letërsinë
shqiptare, sepse përveç talentit, besimit, vullnetit, këmbënguljes, njohjes së
njerëzve e trevave, dokeve, traditave, mënyrës së jetesës së banorëve,
ekspeditave me vëzhgim në terren, diturisë dhe thjeshtësisë, ishte përvoja e
gjatë si kritik që e bëri të ndërtojë një prozë ku vëmendje të veçantë marrin
psikologjia e personazheve, morali familjar dhe shoqëror, si dhe marrëdhëniet e
individit në raport me kohën historike.
Nëse i shohim të tre romanet e autorit:
“Psherëtimën…”, “Maskat…” dhe
“Dëshmitarin…” si një tërësi, mendojmë se ato kanë një vend interesant,
të tyren në prozën bashkëkohore shqiptare, sidomos sepse trajtojnë tri shtresa
të ndryshme të përvojës shqiptare: dramën intime, deformimin shoqëror të
tranzicionit dhe traumën historike të diktaturës. Duke vlerësuar me
objektivitet se çfarë prurjeje kanë dhe në çfarë drejtimi e zhvillojnë romanet
prozën e Skëndos, mund të shprehemi:
1. “Psherëtima e humbjes” është ndërtesa
romanore që na fut labirintveve të jetës, nga drama familjare tek drama
ekzistenciale. Romani i parë bëhet kështu pika e nisjes së kësaj trilogjie
krijuese. Në qendër është humbja e marrëdhënieve njerëzore, vetmia, mungesa e
dashurisë së dëlirë dhe kriza e individit brenda guackës së familjes. Një
fragment i romanit e vendos protagonistin përballë një ndarjeje të papritur
familjare dhe ndjesisë se ka humbur kontrollin mbi jetën e vet. Kritika e botuar
për romanin e ka lexuar atë si roman psikologjik dhe ekzistencial, duke vënë në
dukje kontrastet, ftohtësinë emocionale dhe vetminë e personazheve me një
kolorit të pasur e të ri gjuhësor, me figura stilistike e mjeshtëri artistike.
Këtu shfaqet një tipar që do të jetë i rëndësishëm edhe në dy romanet vijues:
Skëndo nuk interesohet vetëm për atë që ndodh, por për atë që ngjarja i bën
shpirtit të njeriut.
2. “Flijimi i maskave” mund të quhet
romani i tranzicionit shqiptar, në të cilin shkrimtari e zgjeron dukshëm hapësirën
e prozës së tij. Nga familja kalon tek shoqëria. “Flijimi…” ndërton një
realitet ku ndërthuret krimi, pushteti, politika, media dhe marrëdhëniet njerëzore.
Romani është ndërtuar në dy linja rrëfimore dhe përdor figurën e maskës si
metaforë qendrore të identitetit të rremë, të krisur keq dhe të hipokrizisë
sociale. Kjo është prurja më e drejtpërdrejtë e Skëndos në prozën e
tranzicionit: përpjekja për ta kthyer realitetin shoqëror të Shqipërisë
postkomuniste në material romanor, jo thjesht në kronikë arkivi. Dhe këtu qëndron
një nga dallimet e tij: ai nujk mjaftohet me të ashtuquajturin “roman i
realitetit”, por përpiqet ta metaforizojë reliatetin, për ta bërë më të ndjeshëm
shpirtin njerëzor për reflektim. “Maska” bëhet këtu mekanizëm artistik, jo vetëm
objket përshkrimi.
3. “Dëshmitari i rremë”, i cili është
romani mbyllës i kësaj trilogjie, operon imtësisht me kthimin tek kujtesa dhe
diktatura. Romani i tretë bën kështu një lëvizje tjetër shumë të rëndësishme:
kthehet nga e tashmja turbullake tek e kaluara e frikshme diktatoriale, përmes
Festivalit të 11 - të të Këngës dhe fatit të këngëtarit Sherif Merdani, i shndërruar
në roman në figurën e Seran Mejdanit. Operativi i asaj kohe ishte makthi i
kujtdo dhe detyrimisht që do të ishte në modë edhe prodhimi i fajtorëve pafaj,
fabrikimi i fajtorëve artificialë, dënimi i njerëzve të pafajshëm, të zot, që bënin
emër, por ndërkohë do të ishte më me theks në modë fabrikimi i dëshmive të
rreme, që mori në qafë sa njerëz, sa jetë…
Por Skëndo nuk e ndërton “Dëshmitarin…”
vetëm si roman për një këngëtar, sado i famshëm që ishte ai. Në qendër vendos përpjasjen
midis artistit dhe mekanizmit repersiv të shtetit, nëpërmjet shtypjes, frenimit
me dhunë dhe përndjekjes së kundërshtarëve, sidomos atyre shkëlqimtarëve. Në
roman, figura e “dëshmitarit të rremë” shndërrohet në simbol të një sistemi që
kërkonte jo vetëm të dënonte njerëzit, por, siç u shprehëm, edhe të prodhonte dëshminë
kundër tyre. Kritikat për romanin kanë vënë në dukje atmosferën e frikës,
ankthit dhe shtypjes psikologjike, si dhe skenat e pakonceptueshme të gjyqit.
Këtu romani fiton edhe një përmasë
kujtesore: ai rikthen në vëmendje fatin e artistëve të dënuar pas Festivalit të
11 - të. Po çfarë i bashkon tre romanet? Cili është çelësi për të kuptuar
vendin e Skëndos në Letërsisë Bashkëkohore Shqiptare? “Psherëtima e humbjes” operon
me individin, “Flijimi i maskave” plugon shoqërinë, “Dëshmitari i rremë” i përvishet
fort historisë së të kaluarës së afërt. Pra hapësira e romanit zgjerohet:
familja, shoqëria, historia kombëtare. Por, në të tre rastet mbetet i njëjti problem
themelor: çfarë ndodh me njeriun kur humbet të vërtetën, dashurinë, dinjitetin,
lirinë e tij.
Në këtë trilogji romanore vërehet një
dukuri e vlertë: Kritiku letrar dhe eseisti i bën mirë romancierit për një
prirje të dukshme në analizën psikologjike, reflektimin, simbolin dhe nëntekstin
krahas rrëfimit dramatik të ngjarjes. Skëndo nuk është një romancier që “tregon
histori”, as të bëjë art për art. Ai synon ta përdorë historinë për të ngritur
një problem moral, psikologjik ose social, gjithëherët prurë me nivel të lartë
artistik dhe estetik. Nga humbja personale, neriu kalon tek humbja shoqërore
dhe më pas, larg qoftë, tek humbja e lirisë dhe e së vërtetës historike.
Kështu i lexoj unë të tre romanet e
shkrimtarit Bujar Skëndo, si një projekt i vetëm letraro-qytetar, që tingëllon
si këmbanë e lirisë së kulturës.




