Viron Kona: Zonja

-Tregim-
Nga
Viron KONA
Në
pritje të skuqjes së sardeleve që kërcisnin në tigan, unë dhe Zonja, me sytë e
ngulur te tigani, prisnim që nëna të na gostiste me ndonjë sardele. Në familje
tonë i konsumonim shpesh sardelet, pasi e kishim shtëpinë buzë detit dhe ishte
ushqimi më i preferuar, por edhe më i lirë.
-Ti e more sardelen tënde, tani e ka radhën
Zonja. Edhe kjo ka gojë dhe do që të hajë, - më
thoshte nëna. Zonja ishte bërë prej kohësh pjesëtare e shtëpisë, askush
nuk guxonte ta diferenconte në familje. Kushdo që vinte për vizitë në shtëpi,
doemos që pyeste edhe për Zonjën, si për çdo pjesëtar tjetër të shtëpisë.
-Po
Zonjën si e keni? - pyesnin disa gra të lagjes, që pinin kafe me nënën time.
-Ua,
se për pak desh harrova të pyes për Zonjën, si është?- pyeste dikush tjetër.
-Eh,
mirë është, mirë, nuk rri në një vend ajo, sa andej-këndej, - përgjigjej nëna
ime dhe shtonte: -nuk ndahet nga djali im i vogël, ai e do shumë, por edhe ajo
shejtanka e do shumë, kudo, bashkë i sheh.
Zonja
ishte e urtë e paqësore dhe sytë i shkëlqenin, por ajo edhe zemërohej e
grindej, sidomos kur e kapnim për
bishti.
-Po
e kape macen për bishti, sherr do të kesh, - më tha një ditë babai, - sikur ty
të kapin për flokësh, çdo të bësh? Hë, çdo të bësh? Ke dhembje, apo jo?
-Kam,
o ba, kam.
-E
po, edhe Zonja ka dhembje.
Zonja
flinte me mua dhe unë ndjeja ngrohtësi në leshin e saj të butë si të
mëndafshtë. Ajo zgjohej kur unë kollitesha apo kur më dhembte dhëmballa.
Atëherë ajo më shihte si me ironi e pa m`i ndarë sytë dhe mjaullinte lehtë si
të më thoshte: “E po, dhëmballë është, pse e bën kaq të madhe!”
Një
ditë, për Zonjën pyeti edhe kapteri i lagjes, i cili vinte te babai im
rrobaqepës dhe qepte te supet e xhaketës
ushtarake shiritat e verdhë të gradave apo pullat e ndritshme. Pyesnin
edhe pleqtë e lagjes, veçanërisht xha Lili, fqinji përballë nesh. Ai dinte
shumë gjëra për macet.
-Macja,
- thoshte ai, - ka mbi 10 mijë vjet që jeton me njeriun. E veçanta e saj janë
sytë fosfor. Edhe dëgjimin dhe nuhatjen i ka më të zhvilluara se njeriu. Ajo ka
muskuj të rrallë, që e ndihmojnë për të vrapuar shpejt dhe për të kërcyer sa më
lartë... Në kohët e vjetra, përpara se t`ia jepnin ushqimin mbretit, ia jepnin
ta provonte njëherë macja. Ajo ka aftësi që të dallojë në çast, në se gjella
është me helm apo e pastër...
-Zonja
na ndihmon, - thoshte babai, - minjtë sapo e ndiejnë, struken thellë në
strofkat e tyre dhe s’guxojnë të dalin! Për minjtë, s`ka armik më të madh sesa
Zonja...
-Ashtu
është, - pohonte xha Lili, - Për macen nuk ka rëndësi numri i minjve, ashtu
sikurse për ujkun s`ka rëndësi numri i
deleve...
Zonja
vinte pas meje kudo ku shkoja. Nuk më ndahej edhe kur dilja dhe luaja futboll
me shokët me porta të vogla, që ne i thoshim porta “hungareze”, edhe kur kryeja
ndonjë porosi të vogël të nënës e babait në dyqanet e lagjes... Madje, ndodhte
që, kur unë luaja futboll me shokët, ajo
futej në fushë dhe, ashtu si unë,
bridhte pas topit, si të donte të më vinte në ndihmë. Ndodhte që u ngatërrohej
keq në këmbë lojtarëve të skuadrës kundërshtare dhe, kur skuadra ime fitonte
lojën, ata të tjerët ngrinin zërin e thoshin se ne ua kishim marrë me hile
fitoren.
-Futët
në lojë Zonjën, si “Kalë Troje” dhe na mashtruat! - ulërinte Zezi, që ishte
mbrojtës i skuadrës kundërshtare.
Në
shtëpinë tonë nuk kishim qen, pasi nuk e ndjenim të nevojshme. Punën e qenit,
domethënë të rojës së shtëpisë e bënte Princi, qeni i fqinjit, shtëpia e të
cilit ishte thuajse ngjitur me shtëpinë tonë, një gardh me kallama na ndante.
Ndërsa Zonja gjuante minjtë në të dy shtëpitë, Princi, si kompensim, ruante shtëpitë ditën dhe natën. Të thuash të
drejtën, edhe Zonja, edhe Princi ndiheshin që të dy të lumtur, pasi pjesëtarët
e të dy shtëpive kujdeseshin për ta. Ushqimin e hanin ku t`i zinte vakti. Madje
ishte kënaqësi të dëgjoje nënën time kur i thoshte fqinjës:
-Sot
Princi e hëngri drekën nga ne. Kishim gjellë me mish me patate, i dhamë edhe atij dhe e pashë që u kënaq.
Fqinja,
që mbante gjithnjë një buzagaz të lehtë, ia kthente.
-Edhe
Zonja ishte me fat sot. Peshkun e bëra tavë me qepë. Nuk kishte të ngopur. ha e
ha, sa s`plasi!
-Shumë
po bëni për këtë mace! - dëgjova që tha një ditë Duri, kryetari i këshillit.
-Na
është bërë si e shtëpisë, - i tha babai. -Madje, - shpjegoi ai, - një ditë, kur
djali ishte fare i vogël, as dy vjeç s`i kishte mbushur, Zonja na e shpëtoi nga
rrjedha e përroit që kalon afër shtëpisë. Djali duke ecur e duke u zvarritur,
kishte shkarë brenda në ujë, por ajo e kishte kapur me dhëmbë nga rrobat dhe
s`e lëshonte gjersa kishte shkuar gruaja, pasi kishte dëgjuar të qarat e djalit...-
Sidomos kjo histori që dëgjova rastësisht, ma shtoi edhe më shumë dashurinë për
Zonjën, e pra, ajo më kishte shpëtuar jetën, ç ‘mund të bënte më tepër!
Por,
Zonja, nuk na dhuronte vetëm kënaqësi, ndodhte që na nxirrte edhe ndonjë
telash. Halli më i madh ishte kur unë nisesha për në shkollë, sepse Zonja nuk
më ndahej. Edhe kur njëherë babai im i lidhi një fashë në sy dhe e mbajti pas
vetes, gjersa unë të dilja nga porta
jashtme e shtëpisë, Zonja,
përsëri, erdhi që erdhi. Kur unë po i afrohesha shkollës ajo më doli përpara.
M`i nguli sytë një copë herë, bëri mjau - mjau dhe nisi të ecte pranë meje.
Roja i shkollës i mbylli derën dhe nuk e lejoi të futej brenda, por ajo doli
diku prapa shkollës. Pikërisht kur mësuese Kulla po na shpjegonte aritmetikë,
ajo u hodh te parvazi i dritares dhe, duke i rënë xhamave me putra, bënte mjau
– mjau - mjau...
-E
kujt është ajo mace e shëmtuar? - pyeti mësuesja e zemëruar.
Të
gjithë në klasë kthyen sytë nga unë.
-Jotja
është? - m`u drejtua ajo.
-Po
mësuese, - iu përgjigja.
-Pse
e ke marrë me vete? Me macet dhe maçokët do merrem unë, apo me aritmetikën? Hë,
fol!
Unë
heshta. Në të vërtetë, mësuesen që e doja shumë, atë çast e mbajta inat sepse e
quajti Zonjën “mace të shëmtuar”.
Kur
Zonja e bëri zakon ardhjen te parvazi i
dritares së klasës sime, mua bashkë me babanë na thërriti drejtori i shkollës.
Pasi më qortoi rreptë, ai na paralajmëroi:
-Nëse
ju nuk i dilni për zot asaj maceje të pabindur, unë do të kërkojë që ajo të
mbyllet në kafaz, atje ku mbahen kafshët trazovaçe.
Unë
desha të kundërshtoja, por babai më tërhoqi për mënge që të mos flisja. Kur po ktheheshim në shtëpi dhe unë po qaja
nga frika se mos na e merrnim macen dhe na e mbyllnin në kafaz, babai më
qetësoi:
-Drejtori
nuk e dënon Zonjën, ai është zemër mirë dhe i do kafshët, por ne duhet të
nxjerrim mësim nga qortimi që ai na bëri dhe ta disiplinojmë Zonjën, më
dëgjove?
-Po,
o ba, po, - i thashë duke fshirë me mëngë lotët që më rridhnin faqeve.
Një
herë Zonja nuk u duk dy ditë në shtëpi.
-Ka
humbur Zonja! - thashë unë duke qarë dhe pashë me sy lutës nga prindërit.
-Qoftë
larg, mos ka pësuar aksident! - tha mamaja e merakosur.
-Nuk
e besoj se ka humbur, - tha babai, - ajo, Zonjë ka emrin dhe e zonja e vetes
është, por kushedi se çfarë do t`i ketë ndodhur. Le të presim...
Pas
dy ditësh Zonja u kthye. Si dhe çfarë i kishte ndodhur, ia tregoi babait
kapteri i lagjes:
-E
kapëm më në fund atë hajdutin e
shtëpive! Pale, ai e kishte zakon që vidhte edhe mace e qenë dhe i
shiste në tregun e madh të Fierit... Ai e kishte kapur Zonjën tuaj me rrjetë, e
kishte futur në thes dhe e kishte marrë me vete. Kishte hipur në
karrocerinë e një kamioni që shkonte në
Fier, por, kur kishte hapur thesin që t`ia tregonte dikujt, Zonja, kishte
kërcyer nga thesi, ishte hedhur nga kamioni në barin anës xhadesë dhe kishte
nisur rrugën e kthimit për në shtëpi.
Ky
episod u bë lajm në lagje. Të gjithë flisnin për Zonjën.
-Kjo
mace është trimëreshë e vërtetë, - thoshin
fqinjët, -shyqyr që shpëtoi me kaq! - Edhe fëmijët e lagjes e
përkëdhelnin me shumë dashuri Zonjën.
-Kudo
që ta çonte ai hajduti, ajo do të kthehej përsëri, - tha xha Lili, njohësi më i
mirë i maceve. -Madje, - vijoi ai, -
disa popuj të botës e kanë pasur macen si hyjni, për shembull në Egjipt, krye
perëndia e atij vendi kishte formën e një maceje. Macja ka nëntë jetë, ajo
është kaq e shkathët saqë, ngado që ta hedhësh bie gjithnjë në këmbë, ajo di
t`u shmangen rreziqeve, ajo edhe kur fle është në gatishmëri, nëse je me macen
dhe ti humbet rrugën, mos u shqetëso se ta tregon macja se si të kthehesh për
në shtëpi; ajo është edhe elegante,
besnike dhe artiste e vërtetë, ja, kështu si edhe Zonja juaj, - e mbylli fjalën
xha Lili, duke rrufitur kafenë me ajkë dhe duke shijuar një kupë plot me gliko,
që ia nxori nëna ime ngaqë ai lavdëroi Zonjën.
E
kam parë Zonjën edhe të zemëruar. Rrinte në fund të kallamishteve të bahçes
sonë dhe as hante dhe as pinte. Nuk
donte. Shkaku ishte se ajo kishte lindur gjashtë kotele, por ato ia kishte
marrë babai im dhe i kishte shpërndarë nëpër fqinjë. Dy prej tyre ia kishte
dhënë xha Lilit. Zonja ta këpuste shpirtin kur qante, ishte e egërsuar, çirrte
me thonj gjithçka, teksa vështrimin e mbante te porta jashtme e shtëpisë. Herë-herë dilte, humbiste
disa orë dhe në mbrëmje kthehej e kapitur.
-Kërkon
kotelet, - thoshte nëna ime me dhembje dhe përpiqej ta merrte me të mirë, duke
i ofruar ushqimin e saj të preferuar, sardele, kurse unë e përqafoja fort pas
vetes, si të doja t`i thosha se ajo më kishte mua, nuk ishte vetëm, se unë e doja
shumë, por jo vetëm unë...
Erdhi
koha që Zonja po plakej, ishte holluar e
rrudhosur dhe lëvizte më pak.
-Pashë
dy minj, atje jashtë, - tha babai një mëngjes.
-Eh,
edhe unë, - tha nëna dhe vijoi duke e parë babanë me sy kritik: -Vajtëm dhe i
dhamë andej-këndej kotelet e Zonjës, “bëj nder e gjej qeder”, se, ja, tani
minjtë po na hedhin valle nëpër sokak. -Edhe Princi i fqinjit, po plaket dhe,
në vend që të ruaj shtëpitë fle gjumë gjithë ditën e gjithë natën, - vijoi nëna
e merakosur, - një hajdut kishte arritur të futej në oborrin e shtëpisë së
fqinjit dhe kishte vjedhur mbrëmë çfarë kishte gjetur, madje edhe ca rroba të
varura në tel...Ai vidhte rehat, kurse Princi gërhiste dhe shihte ëndrra me
princesha...
-E
po, ai Princ e ka emrin dhe princesha do të ëndërrojë, - tha me humor babai dhe
vijoi:-Mosha bën të vetën, s`kemi çfarë kërkojmë më tepër prej tyre.
Një
ditë nuk e pashë Zonjën në shtëpi. Babai
më pa që po e kërkoja i shqetësuar, andej-këndej dhe më tha:
-Mos
u lodh kot, ka shkuar atje në fund të bahçes, mes kallamave, rri e përgjumur
dhe as ha e as pi, ti e kupton, - më tha ai, - ajo u bë 14 vjeçe, macet
afërsisht aq rrojnë. I çoni nga pak ushqim, që të mos ngordhi nga mungesa e ushqimit, na ka shërbyer gjatë tërë jetës.
Unë
qaja dhe shkoja herë - herë e i çoja ushqim, por ajo vetëm sa i merrte pak erë,
më shihte në sy si të më falënderonte, bënte mjau - mjau lehtë e sa mezi
dëgjohej dhe binte në përgjumje. Largohesha prej saj vetëm kur dëgjoja zërin e
mamasë.
-Hajde,
o bir, hajde se mbete atje te kallamat. Ja, do të marrim një mace tjetër.
-Jo,
unë dua Zonjën!
-Edhe
ne e duam, por... -Pastaj, si për të më qetësuar nëna tha: -Babai ka biseduar me xha Lilin, të cilit i
dhamë dy nga kotelet e Zonjës. Ato janë rritur dhe njërën prej tyre ai do të na
i japë ne.
Lajmi
ishte disi ngushëllues, sepse bëhej fjalë për njërën nga bijat e Zonjës, gjithsesi, ato ditë isha shumë i
dëshpëruar. Sikur vetëm unë! Të gjithë në shtëpi, por edhe fqinjët dhe shokët e
lagjes, madje edhe ata të klasës. Të gjithë më pyesnin për shëndetin e saj. Zonja na kishte lënë shumë kujtime...
Pas
ca kohësh, edhe kotelja e vogël, u mësua të rrinte pas meje, edhe ajo kishte
zakonet e Zonjës, nënës së saj, të cilën
e kujtonim sa herë dhe nuk e harronim...
.............
Shënim: 4 Tetori, është “Dita
Botërore e Kafshëve”, që nga viti 1925, kur Henrik Zimmermann, organizoi festën
e parë në Pallatin e Sporteve në Berlin, ku thuhet se morën pjesë mbi 5000
njerëz. Në vitin 1931, u miratua propozimi i tij për të festuar zyrtarisht 4
Tetorin, si Ditën Botërore të Kafshëve.










