Albert Zholi: Qafa e Thanës

Nga
Albert Z. ZHOLI
Ishte
një mëngjes i freskët mali, kur një gjysh me nipin ndaluan në majë të Qafë
Thanës për tu çlodhur. Ja kjo është Qafë Thana bir,-tha gjyshi. Poshtë shtrihej
i qetë Liqeni i Ohrit, si një pasqyrë e lashtë që kishte parë gjithçka. Nipi u
mbështet mbi një gur dhe pyeti gjyshin që po rrinte aty pranë:
-Pse
quhet kështu kjo qafë? Dhe ç'histori mban mbi supe?-pyeti nipi gjyshin.
Plaku
buzëqeshi, si dikush që kishte pritur gjatë për këtë pyetje.
-Kjo
qafë, bir, nuk është thjesht një rrugë. Është një kujtesë e gjallë. Ka lindur
nga vetë toka, nga përplasjet dhe çarjet e maleve, nga era dhe shiu që e kanë
gdhendur për mijëra vjet. Prandaj është kështu, si një derë e hapur mes maleve.
Nipi hodhi sytë nga larg, drejt rrugës që zbriste për në Pogradec dhe më tej
drejt Struga.
-Po
njerëzit? A kanë kaluar këtu?
-Sa
të duash! -tha gjyshi. Që në kohët e
lashta, këtu kalonte Via Egnatia. Ushtri, tregtarë, karvane... të gjithë ecnin
në këtë qafë. Çdo hap mbi këtë tokë ka një histori. Pra kjo qafë ka shumë
ngjarje. Ai heshti për një çast, pastaj u ul dhe mori një degë të vogël nga
toka.
-E
sheh këtë pemë? Është thanë. Dikur, këto male ishin plot me këto pemë. Njerëzit
thoshin: "Po kalojmë te qafa e thanëve". Dhe kështu mbeti emri...
Qafë Thanë. Por emërtimi e ka më shumë zanafillën tek luftërat.
-
Si tek luftërat? - pyeti nipi me
kureshtje.
Sytë
e plakut u errësuan pak. - Edhe luftëra ka parë kjo qafë madje shumë. Në kohën
e Luftës Nacionalçlirimtare, krismat e pushkëve jehonin nëpër male. Partizanët
luftonin për çdo pëllëmbë. Kjo qafë ishte çelësi, kush e mbante, kontrollonte
rrugën. Era fryu lehtë, sikur donte të sillte zëra nga e kaluara. Por ka dhe
një histori dhe më interesante... Thuhet se shumë kohë më parë, kur në Qafë
Thanë kalonin ushtri e karvane pa fund, aty ndodhi një ngjarje që njerëzit e
tregojnë ende me buzëqeshje. Ishte pas një beteje të lodhshme. Disa ushtarë
osmanë, të rraskapitur dhe të uritur, u ngjitën në qafë duke kërkuar diçka për
të ngrënë. Sytë u ranë mbi disa pemë të mbushura me kokrra të kuqe pra thana.
-Shpëtim!
- thirri njëri prej tyre. Pa menduar gjatë, iu turrën pemëve. Filluan të hanin
me grushte, pa pyetur në ishin të pjekura apo jo. Thartësia e tyre ua mblodhi
fytyrën, por uria ishte më e fortë. Hëngrën e hëngrën, derisa barku nuk mbante
më. Por nuk kaloi shumë... dhe qetësia e malit u prish nga ankesat.
-O
medet! — u dëgjua një zë.
-Na
zuri barku! Ushtarët filluan të përkulen, të ankohen, disa u shtrinë përdhe.
Thanat, të ngrëna me babëzi dhe të papjekura, u bënë shkak për dhimbje e
trazira. Banorët e zonës, që e panë skenën nga larg, nisën të qeshnin me të
madhe.
-Ja
ku mbetën te qafa e thanave!- thanë.
Dhe
kështu, sipas gojëdhënës, emri mbeti: Qafë Thanë, vendi ku jo vetëm kalonin
ushtri e rrugë të mëdha, por edhe ku natyra dinte t'u jepte një mësim të vogël
atyre që harronin masën. Që nga ajo kohë, tregimi përcillet si një kujtesë e
thjeshtë: edhe në mes të urisë, duhet durim... se mali nuk fal lehtë.
-Dhe
sot?- pyeti nipi.
-Sot
kalojnë makina dhe njerëz të zakonshëm, por historia nuk ka ikur. Ajo është
këtu, në çdo gur, në çdo kthesë. Nipi u ngrit, hodhi edhe një herë sytë nga
liqeni dhe nga rruga e gjatë që shtrihej përpara. Tani nuk shihte më thjesht
një qafë mali.










