Violeta Hoxhaj: Shoqata ‘Papa Klementi XI Albani’ mbështet protestat e studentëve shqiptarë në Shkup

SHOQATA E SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE SHQIPTARË "PAPA KLEMENTI XI ALBANI" MBËSHTET FUQISHËM KËRKESËN E STUDENTËVE SHQIPTARË PËR TË DREJTËN E DHËNIES SË PROVIMIT TË JURISPRUDENCËS NË GJUHËN E TYRE AMTARE SHQIPE
Nga
Violeta Hoxhaj
Shoqata
e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë "Papa Klementi XI Albani",
Suedi (SHSHASHS), mbështet fuqishëm protestat e studentëve shqiptarë në Shkup,
të cilat janë organizuar kryesisht për të kërkuar të drejtën e dhënies së
provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Këto protesta përfaqësojnë një
reagim të drejtpërdrejtë ndaj politikave aktuale që lidhen me përdorimin e
gjuhës në sistemin arsimor dhe atë profesional në Republikën e Maqedonisë së
Veriut.
SHSHASHS
dhe kryetari i saj z. Hysen Ibrahimi, është duke i përcjellë me vëmendje këto
zhvillime, të cilat u intensifikuan gjatë muajve prill dhe maj të vitit 2026,
duke reflektuar pakënaqësinë në rritje të studentëve ndaj vendimeve të
institucioneve kompetente në fushën e arsimit dhe drejtësisë. Studentët, me të
drejtë, kërkojnë trajtim të barabartë dhe respektim të të drejtave të tyre
themelore, veçanërisht në aspektin e përdorimit të gjuhës amtare.
SHSHASHS
konsideron se një nga shqetësimet kryesore mbetet detyrimi që provimet
profesionale, përfshirë provimin e jurisprudencës, të zhvillohen vetëm në
gjuhën maqedonase. Shoqata vlerëson se studentët argumentojnë në mënyrë të
qëndrueshme se, duke qenë se të gjithë ciklin e studimeve universitare e kanë
përfunduar në gjuhën shqipe, një kërkesë e tillë është e padrejtë dhe përbën
diskriminim të drejtpërdrejtë ndaj tyre dhe ndaj gjuhës së tyre amtare. Gjuha
shqipe është pjesë përbërëse e identitetit historik, kulturor dhe shoqëror të
shqiptarëve në këto troje.
Lidhur
me propozimin e zëvendëskryeministrit të parë, z. Bekim Sali, sipas të cilit
pjesa teorike e provimit të jurisprudencës do të zhvillohej në gjuhën shqipe,
ndërsa pjesa praktike do të mbetej në gjuhën maqedonase, SHSHASHS e konsideron
këtë zgjidhje të papranueshme dhe diskriminuese për studentët shqiptarë.
Shoqata mbështet qëndrimin e studentëve, sipas të cilit kjo zgjidhje e
ndërmjetme nuk garanton barazi të plotë dhe nuk i plotëson kërkesat legjitime
për përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha fazat e provimit. Për studentët
protestues, kjo çështje lidhet drejtpërdrejt me barazinë, dinjitetin dhe
respektimin e të drejtave të tyre si qytetarë.
SHSHASHS
bën thirrje që institucionet kompetente të Republikës së Maqedonisë së Veriut
të gjejnë një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme, në përputhje me standardet
demokratike dhe parimet e mosdiskriminimit. Gjithashtu, Shoqata shpreh
gatishmërinë që shqetësimet e studentëve
shqiptarë
t'ua paraqesë edhe institucioneve përkatëse në Suedi, me qëllim sensibilizimin
e opinionit ndërkombëtar për respektimin e të drejtave gjuhësore dhe arsimore
të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Në emër të SHSHASHS
Violeta Hoxhaj
Sekretare e Përgjithshme


