Sevdail Hyseni: Gjuha në ankand

2h më parë


Sevdail Hyseni

Satirike

Gjuha në ankand

Në rrjetet sociale shprehjet në rend:

Po bëjmë një “post”, fort në “trend”,

“Like”-et reshin si shiu i pranverës,

e fjala “pëlqim” mbetet prapa derës.

Në çdo cep dialekti bëhet “standard”,

nga veriu në jug - një kakofoni bajat:

- Më shiko, “muje”, ta “dha”, o burrë,

fjalët lokaliste kundërmojnë si shurrë.

Dhe kështu, si bëhet, s’e ha hesapi,

gjuha bëhet lëmsh po si “lesh arapi”,

një fjali nis shqip e mbaron anglisht,

ne, pavetëdijshëm, i vëmë asaj bisht.

Kurse në Zvicër, nga Fondi Kombëtar,

ja një milion euro për ilirikun shqiptar,

kërkojnë rrënjët e ADN-së në gjuhësi,

për të gërmuar shqipen deri në lashtësi.

Kërkojnë çelësin e humbur të historisë,

ne shkelim fjalët shqip të përditësisë,

ata zbresin në shekuj t’i ngritin më lart,

ne i ulim ato me “breaking” dhe “start”.

Ironia jehon: bota kërkon rrënjët tona,

ne i presim vetë, pa turp, si pantallona.

Mos e bëni shqipen “trend” për një ditë,

se pa të s’kemi as zë, as dritë, as shpirt.

Në fund, një thirrje pa shumë retorikë:

- Pse e bëni gjuhën përshesh në publik?

Mbase kur të vijë dita, bota të na çmojë,

do të mbesim memec, pa gjuhë e pa gojë!

(Karikatura marrë nga interneti)