Edison Ypi: Anije e Ngecur

Nga
Edison Ypi
E
vetmja zeje që Shqipëria, kjo anije e ngecur, e ushtron pa u mërzitur, e vetmja
shkencë që nuk e lodh, e vetmja punë që e kryen me cilësi, e vetmja detyrë që e
plotëson pa i bërë naze, është vjedhja.
S'ka
muhabet tjetër lundërtari i anijes së ngecur veç për vjedhjet e të tjerëve për
të fshehur vjedhjen e vet.
Aq
gjatë e gjërë flasin mes vedi për vjedhjen dhe variacionet e vjedhjeve, sa
duket sikur në çastin që pasagjerët dhe ekuipazhi i anijes së ngecur do ndalin
së llafosuri për vjedhje, do vdesin.
Nuk
qan dot një hall, as nuk ndan dot një dert, se në anijen e ngecur atypëraty
biseda me tjetrin hyn e humbet nëpër labirinte vjedhjesh, gjiriza dallaveresh,
katakomba xhvatjesh.
Duke
folur për vjedhje dhe hajdutllëk, në anijen e ngecur shpenzojnë kohë më tepër
se për të gjitha veprimtaritë e tjera së bashku.
Punën
e porsa kryer, librin e porsa lexuar, filmin e porsa parë, mikun e porsanjohur,
biznesin e saponisur, në anijen e ngecur kurrë nuk harrojnë ta lidhin me
vjedhjen, hajdutllëkun, kusarinë, hajninë.
Në
të kundërt me pasojat e çdo sjellje degjenerative që herët a vonë çon në kalbje
dhe shembje, muhabetet me vjedhje udhëtarin e anijes së ngecur e ftillojnë, e
freskojnë, e rinojnë, e bëjnë më të qartë në spjegime, artikulime.
Vend
nderi në piedestalin e llafazanëve që flasin vetëm për vjedhje labirintike
mahnitëse nga më absurdet, më të çuditshmet, më të larmishmet, më grotesket,
janë të papërtuarit telefonues mengjezorë nëpër televisionet e anijes së
ngecur.
Ama
vendin e parë plotësisht të merituar për muhabete me vjedhje, akuza të
ndërsjellta për vjedhje, e mban sigurisht Parlamenti i anijes së ngecur. Se,
veç vjedhjes, në botë ka edhe punë, lodhje, sakrifica, histori, gjeografi,
kulturë, art, shkollim, hiç nuk dun me dit ata dreqër, kapitenët e anijes së
ngecur.
Zor
se gjen një pasagjer të vetëm të anijes së ngecur të tregojë qartë dhe saktë
një adresë pa u bërë lëmsh që në fjalët e para. Ama hapu një muhabet me
vjedhje, befas ndizen. Bëhen hezberë, çlirohen, marrin frymë, bëhen bilbill
gjyzarë.
Ta
akuzosh tjetrin se vjedh për të qënë i justifikuar së brendëshmi për të vjedhur
vetë, është sporti më i dashur për banorin e anijes së ngecur, shqiptarin e
sotëm.
Zor
se gjen dy pasagjerë të anijes së ngecur që rrahin ndonjë temë tjetër veç
vjedhjes. Në kafene, në autobuz, te oborri, te marketi, te farmacia, te buka,
te bulmeti, duke pritur autobuzin, dhe gjithkund tjetër, po pe dy të ngecur që
po llafosen, njëra nga të dyja: po flasin për hajdutllëqe, ose po vjedhin
njëritjetrin.
Fillimin
e një bisede me shtegëtarin e anijes së ngecur mund ta zgjedhësh vetë, mund ta
ndërtosh si të duash, por nga minuta e tretë e në vazhdim, mbath çizmet, vendos
skafandrën, me dashje-pa dashje je zhytur në një moçal me vjedhje.
Mos
u bëj merak se vjedhja jote mund të mbetet e pa thashethemnuar. Në anijen e
ngecur, për vjedhjejn tënde nuk harron të llomotisi kurrë një tjetër, i dyti me
një të tretë, të katërt, të pestë, e me rradhë, derisa në anijen e ngecur të
mos ketë mbetur asnjë i fundosur pa u njoftuar për hajdutllëkun tënd të vërtetë
apo të fantazuar.
Mediat,
portalet s'janë asgjë tjetër përpos panaire hajnash, pellgje vjedhjesh, mbi
anijen e ngecur.
Televizionet,
banaqet, showt, në anijen e ngecur, paradë hajdutësh që me shtëllunga fjalësh
bëjnë alibinë e vetes.
Në
anijen e ngecur vidhet edhe atje ku është bosh, ku s'ka asgjë për asnjë, po
ashtu edhe ku është plot, ku ka gjithçka për të gjithë. Edhe kot. Pa asnjë
shkak. Vidh të vjedhim në anijen e ngecur.
Anija
e ngecur gumëzhit nga vjedhjet dhe xhvatjet si koshere grenxash.
Karvanarët
e llocur të anijes së ngecur janë kleptokratë të pashërueshëm që nuk dinë as
nuk duan të punojnë. Dinë vetëm të vjedhin vetë duke u llafosur për vjedhjen e
tjetrit.
Vjedhja
në anijen e ngecur nuk është e pjesëshme, e përkohëshme, e rastësishme,
aksidentale. Është e kudondodhur, e përjetëshme, e pavdekëshme, e përsosur,
integrale, totale.
Vjedhja
ndër lundruesit e papërtuar të anijes së ngecur është e vetmja punë që kryhet
me qef, buzagaz, duke fërshëllyer, me cilësinë e duhur, në kohën e duhur,
vendin e duhur.
Banorit
të baltosur të anijes së ngecur po ja fale, nuk e do, e refuzon, e quan harram.
Hallall e quan vetëm kur ta vjedh.
Zoti e di si mundet me dal anija e ngecur nga oqeani i vjedhjeve, me vela të grisura, pa busull, në këtë natë pa yje.





